MENU
klinika

Studimi

Retina e syve zbulon sesa gjatë do të jetoni?!

31.01.2022 - 22:55

Një test i thjeshtë i syve, mund t’i japë mjekëve të dhëna, se edhe sa kohë i ka mbetur një njeriu për të jetuar. Një ekip studiuesish ndërkombëtarë, ka zbuluar një lidhje midis moshës biologjike të retinës së syrit të një personi dhe rrezikut të vdekjes. Membrana në pjesën e pasme të syrit përmban qeliza të ndjeshme ndaj dritës, të cilat fillojnë që të përkeqësohen gjatë moshës së mesme. Një studim me thuajse 47.000 të rritur zbuloi se njerëzit, retina e të cilëve ishte “më e vjetër” se mosha e tyre aktuale, kishin më shumë gjasa të vdisnin gjatë dekadës së ardhshme.

Zbulimi mund të çojë në një mjet kontrolli rutinë për një sërë sëmundjesh kërcënuese për jetën, përfshirë atë të Alzheimerit. Autori kryesor i studimit dr.Minguang He nga Qendra për Kërkimin e Syve në Australi shprehet se:

Retina ofron një “dritare” unike të aksesueshme për të vlerësuar proceset themelore patologjike të sëmundjeve sistemike vaskulare dhe neurologjike, që shoqërohen me rrezik të shtuar të vdekshmërisë.

Studiuesit monitoruan mesatarisht për 11 vjet pjesëmarrësit në studim, që të gjithë midis moshës 40–69 vjeç. Secilit person iu skanua fundusi, sipërfaqja e pasme e syrit si pjesë e studimit të Biobank në Britaninë e Madhe. Më pas ekipi krahasoi “moshën biologjike” të secilës retinë me moshën kronologjike të atij personi, duke zbuluar një “hendek të moshës së retinës” tek shumë pjesëmarrës.

Diferencat më të mëdha, lidheshin me një rrezik më të lartë prej 49–67% të vdekjes nga çdo shkak tjetër përveç sëmundjeve kardiovaskulare ose kancerit. Kjo ndodhi pasi ata morën parasysh faktorët potencialisht me ndikim si tensioni i lartë i gjakut, Indeksi i Masës Trupore (BMI), zakonet e jetesës dhe përkatësia etnike. Studiuesit shprehen se:

Gjetjet tona të reja, kanë përcaktuar se hendeku i moshës së retinës, është një parashikues i pavarur i rritjes së rrezikut të vdekshmërisë dhe sidomos i vdekshmërisë nga sëmundjet jo kardiovaskulare dhe as ato kanceroze. Këto gjetje sugjerojnë se mosha e retinës, mund të jetë një biomarker klinikisht i rëndësishëm i plakjes.