MENU
klinika

Kur CIA vëzhgonte Ambasadën…

Diplomatët shqiptarë janë agjentë të Policisë Sekrete!

27.01.2022 - 15:21

         Nga: Auron Tare

Në janar të vitit 1950, Shërbimet e Fshehta amerikane, që ndiqnin situatën në Shqipëri, tërhiqnin vëmendjen e autoriteteve për lëvizjet e Nuçi Kotes, njërës prej figurave kryesore të emigracionit shqiptar në Perëndim. Nga të dhënat e tyre në terren, siç konfirmohet në dokumentin e zyrës së Operacioneve Speciale, dyshohej se djali i ishkryeministrit të dënuar nga qeveria e Hoxhës me burgim të përjetshëm, kishte vendosur kontakte me zyrtarët e legatës shqiptare në Itali.

Kota, juristi i njohur, që ishte arratisur fill pas përfundimit të luftës, kishte fituar besimin e amerikanëve jo vetëm nga origjina antikomuniste, por edhe veprimtaria politike për përmbysjen e regjimit të Tiranës dhe sidomos miqësia me misionarët amerikanë që kishin shërbyer në Shqipëri në vitet e Monarkisë. Hugh Grant, kryediplomati i SHBA-së në Tiranë (1935-1939) por jo vetëm garantonte autoritetet e SHBA-ve për besnikërinë dhe devocionin e Kotes në shërbim të kauzës për zhvillimet antikomuniste në Shqipëri. Megjithatë, siç konstatohet edhe nga ky dokument, shërbimet e fshehta amerikane që i ndjekin me vëmendje e në dinamikë të gjitha lëvizje e djalit të ishkryeministrit kontaktet e tij me diplomatin shqiptar në Romë mbetshin potencial isht të dyshimta. Po çfarë pasqyron memorandumi i Zyrës së Operacioneve Speciale për kontaktet e Nuçi Kotes me Legatën Shqiptare në Romë…

DOKUMENTI ZYRA E OPERACIONEVE SPECIALE Uashington D.C. 27 janar 1950
Memorandum: Për ndihmësdrejtorin e Politikave të Koordinimit Subjekti: Kontaktet e NUÇI KOTA me Legatën Shqiptare në Romë
1. ( Emri i fshirë) ka marrë një raport nga një burim relativisht i besueshëm se NUÇI KOTA është në kontakt të vazhdueshëm me FILIP KOTEN, sekretari i Parë i Legatës Shqiptare në Romë. Ata komunikojnë vetëm me telefon, me qëllim që të mos shikohen në prani të njëri-tjetrit.

2. Në këtë informacion është e rëndësishme të theksohet se Filip Kota është i vetmi person i Legatës Shqiptare që nuk është anëtar i Shërbimit të Fshehtë Shqiptar. Megjithatë, ka ardhur në vëmendjen tonë se Sotir Kosmo, i identifikuar si një agjent i Shërbimit të Fshehtë Shqiptar (shiko memorandumin topsekret SO DB 21144a, datë 21 dhjetor 1949, me subjekt: Aktiviteti i Shërbimit Inteligjent Shqiptar në lidhje me Komitetit e Shqipërisë së Lirë) ka dëshmuar se po mundohej të realizonte arratisjen e Filip Kotes. Në këto rrethana, ne mendojmë se në dëshminë e Kosmos nuk ka asnjë të vërtetë në pretendimin e tij.

3. Ne do t’ju mbajmë të informuar mbi detaje, nëse kemi, nga kjo çështje. Ndërkohë, është urgjentisht e domosdoshme që asnjë veprim të mos ndërmerret në bazë të këtij memorandumi, pasi çështja është delikate. Gjithashtu, do të ishte shumë e rëndësishme nëse ju na jepni informacion, të cilin ju mund ta keni mbi marrëdhëniet e Nuçi Kotes dhe Filip Kotes.SO DB 21963 (Emri i fshirë) Ndihmësdrejtori.

CIA vëzhgonte Ambasadën Shqiptare në Romë
Në dokumentin e botuar sot, dalë nga arkivi i deklasifikuar amerikan, kemi një memorandum të hartuar për një nga drejtuesit me të lartë të Zyrës së Operacioneve Speciale, OPC, Asistenti i drejtorit të operacioneve, James Mcgarner. Dokumenti i 27 janarit 1950 sjell në vëmendjen e drejtuesve të operacioneve klandestine amerikane një vëzhgim shumë interesant të oficerëve amerikanë të terrenit.

Rrezikun e penetrimit të Shërbimit të Fshehtë shqiptar në radhët e mërgatës. Oficerët amerikanë, me sa duket kanë vështruar për një kohë të gjatë Legatën Shqiptare të Romës, duke krijuar një ide të qartë se cilët diplomatë shqiptarë punonin edhe për Shërbimin Inteligjent. Për këtë arsye, oficerët amerikanë dyshojnë se një anëtar i komitetit “Shqipëria e Lirë”, NUCI KOTA, ka lidhje me diplomatët shqiptarë. Nuk është shumë e qartë nga ky dokument se përse Nuci Kota dhe diplomati Filip Kota kanë një marrëdhënie të fshehtë, por duket qartë se oficerët amerikanë kanë identifikuar një shqiptar të mërgatës si agjent i Shërbimeve shqiptare, Sotir Kosmo. Emri i Sotir Kosmos nuk është i njohur në ngjarjet politike të emigracionit shqiptar në Itali. Nuk ka të dhëna të mjaftueshme për të kuptuar rolin e tij në infiltrimin e komitetit “Shqipëria e Lirë”.

Përveç një memorandumi ku amerikanët flasim mbi përpjekjet e agjentit shqiptar Kosmo, nuk dihet roli i tij i saktë. Megjithatë, edhe nga ky dokument mund të kuptojmë se Sotir Kosmo mund të ketë qenë një agjent i dyfishtë i dërguar nga Shërbimi shqiptar, për të krijuar një diversion në radhët e mërgatës, por edhe për të transmetuar të dhëna të rreme për Shërbimin amerikan. Nga ky dokument kuptojmë se Shërbimi Sekret Shqiptar jo vetëm kishte arritur të krijonte një bazë të fortë operacionale brenda territorit shqiptar, por kishte arritur të infiltronte agjenturën e vet në Perëndim.

Si e ndiqte Sigurimi veprimtarinë e komitetit “Shqipëria e Lirë”
Në një raport të vitit 1949, Sigurimi i Shtetit informonte: “Kriminelët shqiptarë të luftës janë hedhur në aktivitet sidomos gjashtë muajt e fundit. Nga informatat që kemi, në qershorin e këtij viti, me iniciativën e anglezëve, në marrveshje me jugosllavët u fillua puna për krijimin e një komiteti politik ekzekutiv, me atributet e një qeverie provizore (është fjala për komitetin “Shqipëria e Lirë”). Ky komitet, i mbështetur në ndihmën e jashtme jodirekte, do të merrte përsipër përmbysjen e situatës në Shqipëri, por që ta bënte këtë dhe aq më tepër, që të mund të bëhej Jugosllavia-Kosova qendër nga ku do të fillohej aktiviteti kundër Shqipërisë, kjo lëvizje duhej të paraqitej si një lëvizje e re dhe komitet i ri, i larë nga çdo ves i së kaluarës.

Në këtë manovër, amerikanët e mendonin që, si brenda dhe jashtë Shqipërisë, të bënin për vete njerëzit indiferentë, atdhetarë të ndershëm, antifashistë dhe ta neutralizonin, sa të ishte e mundur, Ushtrinë dhe aparatin e shtetit. Prandaj, komiteti i ri nuk doli thjesht si kombinim grupesh politike, por si komitet që përfaqëson masën e shqiptarëve jashtë: Mit’hat Frashëri, Abaz Kupi, Seit Kryeziu, Nuçi Kota, Zef Pali etj. Si qendër e përkohshme është caktuar New Yorku, por kjo thuhet se është e përkohshme. Pra, qendra e tij e vërtetë besohet të jetë në Trieste, me një komitet në Shkup, që deri tani mbahet në mënyrë ilegale”. (Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme-Tiranë, Fondi i Kriminelëve të Luftës, dosja 289, faqe 56 – 57 ). Ndërkaq, në një tjetër raport të Ministrisë së Punëve të Jashtme (Sektori i Zbulimit Politik) flitet për disa nga takimet e atdhetarëve shqiptarë, të cilët stigmatizoheshin me cilësimin “kriminelë lufte”. Ndër të tjera, aty nënvizohet: “Komiteti i reaksionarëve është treguar tepër aktiv dhe ka marrë forma të ndryshme.Që në lindjen e tij ka pasur karakter reaksionar. Për të mos u demaskuar krejtësisht, anëtarët e tij kanë ndryshuar shumë herë emrin e tyre, duke u maskuar me emra të ndryshëm.

Në fillim, d.m.th. që në vitin 1944 (tetor), e quajtën veten “Komiteti i Kolonisë”, pastaj “Komiteti i Bashkimit Kombëtar” dhe tani “Lëvizja Patriotike Shqiptare”. Pjesëtarët e këtij komiteti janë: kryetar-Nuçi Kota, anëtarë-Ramazan Spati, Haki Elmazi, Zef Salili, Isuf Begeja, Sefedin Çollaku, Vasil Gërmenji, Nexhat Mitrovica etj., promotorë të kolonisë janë Nuçi Kota dhe Ramazan Shpati. Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, datë 22.5.1948, mbi “Gjendjen e sotme të kolonive shqiptare në shtetet e ndryshme”. (Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, viti 1948, dosja 217). Raportet e Sigurimit mbi aktivitetin e liderëve të komitetit “Shqipëria e Lirë” dhe bashkëpunimin e tyre me shërbimet perëndimore janë periodike, së paku deri në fundin e viteve ‘60.