Më 7 janar 1916 forcat e ushtrisë austro-hungareze depërtuan deri në Vjosë. Populli shqiptar nuk u bëri ndonjë qëndresë të armatosur, për shkak se ato dëbuan ushtritë serbe dhe malazeze dhe se ende tek masat e gjera të popullsisë ishte i freskët kujtimi, që ato ruanin për rolin pozitiv që Vjena kishte luajtur për krijimin e shtetit shqiptar në vitet 1912-1913.
Ndikim pati edhe përkrahja që i dhanë asaj në momentet e para të pushtimit disa prej atdhetarëve me reputacion në popull. Kështu, me rastin e marrjes së Durrësit nga forcat ushtarake austro-hungareze, si në katedralen ashtu dhe në xhaminë kryesore të qytetit të Shkodrës, u mbajtën kremtime dhe u bënë lutje në prani të autoriteteve ushtarake e civile, nga kleri i dy besimeve, populli dhe nxënësit. Fjalime të tjera u mbajtën dhe nga arqipeshkvi, kryetari i bashkisë e nga komisari civil August Ritter von Kral, përfaqësues i Ministrisë së Jashtme të Austro-Hungarisë pranë komandës ushtarake. Në përgjithësi u konstatua një qëndrim simpatik i popullsisë, “më fort korrekt i katolikëve, i përzemërt e plot besim nga myslimanët”.
Në fotografinë kryesore, nga Maximilian Lambertz (1882-1963), rekrutët shqiptarë të ushtrisë austro-hungareze në Krujë, qershor 1916 .
Deri në fund të marsit 1916 nën sundimin e ushtrisë austro-hungareze ranë dy të tretat e vendit. Në kuadër të interesave të saj strategjike, Ministria e Jashtme në Vjenë, lidhur me Shqipërinë hartoi një plan masash të cilat synonin: sigurimin e operacioneve ushtarake; ruajtjen e interesave politike dhe ekonomike të Monarkisë, duke mënjanuar çdo influencë armike; sigurimin e jetës dhe pasurisë së shtetasve; ngritjen kulturore dhe ekonomike të vendit dhe popullsisë; edukimin e popullit për vetëqeverisjen e ardhshme me vetëdije kombëtare, etj. Gjithashtu, nga komanda ushtarake kërkohej të respektoheshin zakonet e banorëve vendas, kultura dhe gjuha e tyre, duke përjashtuar çdo gjuhë tjetër të huaj përveç gjermanishtes. Për çështjet fetare duhet të kishte tolerancë të plotë, por ndalohej kategorikisht çdo lloj propagande. Për përmbushjen e këtyre planeve komanda ushtarake austro-hungareze ngriti tre drejtori (finance, drejtësie, arsimi) dhe e ndau vendin në 6 njësi administrative.
Me gjithë predispozitën e Vjenës për të ndjekur një politikë proshqiptare, nën kushtet e luftës nuk munguan edhe raste kur ushtarët me urdhër apo me iniciativën e tyre personale rekuizonin sende ushqimore e kafshë bartëse pa ndonjë plan. Shpeshherë popullsisë nuk i liheshin as kafshët bujqësore të nevojshme për punimin e tokës. Pagesat bëheshin shumë rrallë dhe jo me vlerën përkatëse, duke u lëshuar zakonisht vetëm dëftesa. Ushtarë të disa reparteve rrëmbenin orendi shtëpiake e stoli, prisnin pa mëshirë pemë frutore e drurë të tjerë të dobishëm për ekonominë e popullsisë. Disa xhami e shumë banesa për shkak të shqitjes së dërrasave kishin rënë e pothuajse ishin shembur. Reparte ushtarësh së bashku me kuajt e tyre strehoheshin nëpër shtëpitë e banorëve shpeshherë pa sistem. Ai opinion i mirë e miqësor i popullatës, që u duk në fillim erdhi duke rënë. Me gjithë urdhrat e rrepta që lëshonte komanda, mungesa e kontrollit dhe rraskapitja prej luftës bëri që shumë ushtarakë të krijonin një përshtypje të keqe në popull, pavarësisht se Vjena kërkonte të linte përshtypjen e mirë se ushtria austro-hungareze ishte në tokë neutrale dhe mike. Këto rrethana bënë që më 24 prill 1916, një numër i madh i përfaqësuesve të popullit mysliman të Shkodrës të mblidhej në xhaminë “Plakë” dhe të nënshkruante një memorandum, të cilin, më pas ia dorëzoi komandës së ushtrisë austro-hungareze.
Ky memorandum kishte gjithsej 6 pika dhe pasqyronte të gjitha shqetësimet e popullsisë myslimane, si më poshtë:
1) Popullsia myslimane ka respekt të thellë për Madhërinë e tij Perandorin dhe Mbretin e Austro-Hungarisë, i cili ka krijuar Shqipërinë e lirë dhe gjatë luftës me anën e trupave të tija trime dhe heroike e ka çliruar nga duart e armiqve aleat.
2) Duke qenë se parimet e besimit islam kanë ngritur midis burrave dhe grave një mur ndarës, populli mysliman nuk është i predispozuar të presë trupa ushtarësh në shtëpitë e familjet e tyre, kjo është e mundshme vetëm në ato shtëpi, të cilat, sipas urdhrave të qeverisë janë caktuar nga populli për këtë qëllim.
3) Megjithëse gjimnastika dhe ushtrimet ushtarake i shërbejnë përmirësimit të shëndetit fizik dhe vlera e tyre pranohet nga ne, prapëseprapë, vendimi përkatës konsiderohet sot si i parakohshëm, duke qenë se vendi ynë në vitet e fundit sidomos në vitin e fundit ka vuajtur shumë, veçanërisht nga zija e bukës, por edhe nga vuajtjet e tjera që na janë shkaktuar nga armiqtë.
4) Derisa të formohet qeveria e përgjithshme civile, ne i lutemi autoriteteve ushtarake që këto, lidhur me nevoja të ndryshme të tyre, t’i drejtohen Këshillit të Bashkisë, i cili, pastaj konform ligjit vepron me popullin.
5) Në këtë kohë, në të cilën rrugët e tregtisë janë të mbyllura, ushqimi i popullatës është i lidhur me vështirësi të posaçme, ne të gjitha shpresat e jetesës, i kemi varur tek bujqësia. Prandaj, ne lutemi që arat, fushat dhe kopshtet tona të ruhen si edhe të evitohen dëmtimet.
6) Populli ka shpresë dhe është i bindur se qeveria ushtarake e Austro-Hungarisë ka për të marrë parasysh me simpati dhe me dashamirësi këtë lutje të drejtë. Porse në qoftë se qeveria nuk do të jetë në gjendje t’i japi kësaj lutje rëndësinë që ajo meriton, atëherë tek popullata janë shfaqur rezerva mbi furnizimin e qytetit me ushqime në të ardhmen dhe lutjet përkatëse që paraqiten të transmetohen më lartë.
0
Një pjesë e mirë e pjesëtarëve të këtij tubimi rreth 690 persona, u arrestuan nga komanda austro-hungareze, me pretekstin se kjo nuk kishte qenë një mbledhje për qëllime fetare, por akt demonstrativ, që kishte vazhduar ditë e natë nga e premtja e deri të dielën sa më në fund autoritetet ushtarake ditën e tretë vendosën ta shpërndajnë pasi i paralajmëruan disa herë të hiqnin dorë nga veprimi revoltues.
Në këtë rast u plagosën lehtë dy persona, duke u hedhur kundër bajonetave të trupave.
Propagandës lidhur me formimin e batalioneve vullnetare për një stërvitje 8-javore, me përjashtim të disa myslimanëve në Shqipërinë e Mesme, ata të Shkodrës, për arsyet e mësipërme nuk iu përgjigjën. Ky fenomen edhe sipas vetë autoriteteve austro-hungareze, nuk duhej të interpretohej si një mungesë patriotizmi e shqiptarëve ose si një kundërshtim ndaj tyre, sepse edhe sikur të bëhej në zonat me civilizim më të lashtë një tentativë për rekrutim vullnetar do të jepte të njëjtin rezultat.