MENU
klinika

Bejko: Si në vitet ‘90

Sot protestohet para selisë së PD, mbështetësit e Sali Berishës qëllojnë deputetin

08.01.2022 - 12:29

Ish-lideri historik i Partisë Demokratike ka thirrur sot mbështetësit e tij në protestë para selisë. Ai ka paralajmëruar se do të nxjerrë kreun aktual Lulzim Basha nga selia për shkak se pretendon se e ka shkarkuar nga detyra në Kuvendin e 11 Dhjetorit.

Protesta është njoftuar të nisë në orën 12:00 para selisë së Partisë Demokratike. Kjo e fundit prej disa ditësh qëndron e mbyllur pasi demokratët pretendojnë se në ambientet e saj po kryhen punime.

Mirëpo, ende pa nisur protesta, ka patur incidente e tensione. Anëtari i kësaj force politike dhe njëherësh kandidat për deputet, Roland Bejko ëhstë sharë dhe dhunuar nga mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha që kanë nisur të grumbullohen në seli.

Bejko ka shkuar në seli për të marrë pjesë në mbledhjen e thirrur nga Lulzim Basha por është rrethuar nga protestuesit dhe është ofenduar me fjalët më banale. Gjatë gjithë kohës ai është rrethuar nga këta persona dhe në disa raste është qëlluar me çadra.

“Kjo që ka ndodhur tani, mua më ka ndodhur dhe në ’91 kur protestonim kundër Enver Hoxhës”, tha Bejko ndër të tjera.

Ai theksoi se nuk do bëjë kallëzim në polici ndërsa u bëri thirrje Berishës të mbajë nën kontroll demokratët që ka thirrur në protestë.