MENU
klinika

Scriptorium

Stevenson dhe lumturia

12.01.2022 - 15:19

Javier Cercas/

Robert Louis Stevenson jeton, megjithëse nuk është konsideruar si shkrimtar aq i madh, krahasuar me të tjerë, më të mëdhenj por që nuk përmenden më.

Romanet e tij lexohen ende, poezitë e tij recitohen ende dhe vazhdojnë të citohen esetë e tij. Një nga më të cituarat është ¨Apologia de los ociosos¨ që shpreh përpjekjen e tij për t´iu kundërvënë utilitarizmit të kohës; ai aty, shpreh qëndrimin e tij se argëtimi nuk konsiston në të bërin asgjë por të bërit shumëçka që nuk njihet nga formularët dogmatikë të klasës dominante. Ai pohon se: ¨Asnjë detyrë nuk është e mbivlerësuar, as detyra për të qenë të lumtur¨.

Pasi ka kaluar një shekull prej largimit të tij nga jeta, bota vazhdon të jetë po aq utilitariste sa kur ai jetonte, vetëm që nuk është utilitariste aq haptazi.

Dëshmia për këtë është edhe shpeshtësia me të cilën kujtohet shprehja e mësipërme, sot e shndërruar në klishe, madje ka mendimtarë që thonë se detyrimi universal për të qenë të lumtur është bërë shkaku i të gjitha fatkeqësive tona.

Kjo ide është e mprehtë, por e pavërtetë, ashtu si shumë të tjerë që preferojnë të shndritshmen e jo të vërtetën e harrojnë se ideja nuk shndërrohet në klishe ngaqë është e pavërtetë por sepse është e vërtetë ose sepse thelbin e ka të tillë.

Stevenson kishte të drejtë, të paktën unë kështu mendoj. Borges-i që e adhuronte, e rikujtonte dhe e përmendte përmes disa vargjeve përshembull: ¨Kam kryer mëkatin më të rëndë që mund të bëjë një njeri: nuk kam qenë i lumtur¨.

Nuk kam lexuar asnjë libër motivues, por më kanë pëlqyer jashtëzakonisht veprat ¨las Meditaciones¨ e Marko Aurelios ose ¨De la vida bienaventurada¨ e Senekës, ku thuhet se ¨i lumtur është ai që falë arsyes nuk i trembet asgjëje dhe nuk dëshiron asgjë¨ dhe që është ¨artizan i jetës së tij¨ jetë në të cilën ¨e mira më e madhe është harmonia e shpirtit¨.

Si shumë të mençur, Marco Aurelio dhe Seneca këshillonin arratisjen nga jeta sociale që është plot me llogaritje, paragjykime, vanitet dhe të strehimin në veten tënde, ata ishin të bindur që njeriu më i fortë dhe më i lumtur është i aftë të rrijë vetëm.

Kqyrur me këtë lupë, lumturia është projekt ambicioz, ndoshta tejet ambicioz; ndaj duhet të kënaqemi me më pak. Me gëzimin, për shembull, ashtu siç e përshkruante Clement Rosset: si një ngjitje pa kushte apo zbrazëtira me realen.

Nuk e dimë se çfarë do të na sjellë 2022, por e dimë me siguri që shumë do të vdesin, ndoshta njerëz të dashur për ne, do plasin luftëra, do të ketë të përçmuar e të ofenduar, që do të na zhgënjejnë e do të zhgënjejmë dhe se vetja jonë do të detyrojë të vuajmë për idiotësi të pafundme.

Të gjitha këto janë të sigurta por gjithashtu është e sigurt që jemi gjallë, e të jesh gjallë është mrekulli- që është dashur të ndodhin një zinxhir gjërash që ju të jeni duke lexuar këtë artikull e unë të mund ta shkruaja e përpos të gjithë luftërave, të ofenduarve, të përçmuarve, të zhgënjyerve dhe vuajtjeve idioteske, ekzistenca e pasigurt dhe kalimtare është e vetmja që kemi; ndaj ajo çfarë na duhet të bëjmë është ti lëmë anash gjërat e parëndësishme, ta përqafojmë e shtrydhim jetën deri në pikën e fundit. Ky është gëzimi; ndërgjegja ateiste që ne jemi ¨një shkrepëtimë rrufeje mes dy errësirash¨. Për të cituar Vicente Aleixandre: ¨vetëdija ngazëllyese që për sa kohë zgjat rrufeja, duhet shijuar fort¨.

Javier Cercas është romancier Spanjoll. Ai jep letërsi spanjolle në universitetin e Gironës. Ka fituar këto çmime:  Independent Foreign Fiction Prize në 2004,  International Dublin Literary Awars në 2008, European Book Prize në 2016.

Artikulli u shqipërua nga Albana Murra.

 

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


BLOGU I ALBANA MURRËS/ SCRIPTORIUM

“Historia e një romani”

Blogu i Albana Murrës/ Scriptorium

“E bukura” ku strehohet?

Blogu i Albana Murrës/ Scriptorium

“Të jetosh është e jashtëzakonshme”