Pak ditë më parë, u njoftua pezullimi i aktivitetit artistik skenik, për shkak të covid-19. Por, nga kjo e martë, institucioni bën me dije vijimin e shfaqjeve.
Programi artistik online i Teatrit Kombëtar, sikurse edhe në të tjera institucione të artit në vend, për shkak të rrethanave rikthehet sërish virtulisht, për publikun e gjerë.
Teatri bën me dije se, aktiviteti artistik online, nis prej 21 janart:
“Të dashur miq, ndërkohë që shfaqjet tona janë shtyrë për një periudhë më të përshtatshme, për shkak të rasteve të evidentuara dhe të dyshuara me Covid-19, Teatri Kombëtar do të zhvillojë aktivitetet artistike online në faqen e tij zyrtare në ”Facebook” këtë fundjavë”.
Gjithashtu, për shkak të covid-19, u ndërpre vënia në skenë e shfaqjes “Coriolanus”, e Shekspirit, për muajin janar.
Sipas njoftimit, rikthimi i “Coriolanus”, që erdhi në skenë me regji nga Altin Basha, do të vijojë me programin artistik online, në faqen e teatrit.
“Deri në rikthimin e produksionit madhështor të Teatrit Kombëtar “Coriolanus”, ju ftojnë të ndiqni larmishmërinë e programeve tona online”, bën me dije institucioni për këtë vepër të Shekspirit, që shënoi më parë si premierë një sukses në teatër.
Programi:
Mbrëmjen e datës 21 janar programi artistik online i Teatrit Kombëtar, do të vijojë me poezi nga autorë të njohur shqiptarë dhe të huaj, që do të vijnë në orën 19:00 live në Facebook.
Në këtë program artistik online, do të ketë lexime artistike dhe vepra që janë në “Netët e leximit të dramës shqipe”. Sipas teatrit, më 22 janar do të vijë një prej këtyre veprave teatrore, ajo me titull: ”Duke Pritur Gobon” – lexim artistik, 22 janar – ora 19:00.
Pjesë e projektit “Netët e leximit të dramës shqipe””, njofton institucioni mes të tjerave.
Në këtë program ndërtuar online janë dhe pjesë nga cikli edukativ, që u zhvillua më parë në TK. “Historia e dramaturgjisë shqiptare – nga prof. Josif Papagjoni; 23 janar ora 19:00, pjesë e ciklit edukativ – leksione për teatrin”, – thuhet më tej. “Duke pritur Gobon” është një vepër e autorit Armand Bora, që u dorëzua në teatër në “Netët e leximit të dramës shqipe”, në edicionin e katërt.
Në nëntor të vitit që lamë pas, regjisorë, aktorë dhe studiues u bënë bashkë dhe në “Leksione për Teatrin”, që u zhvillua nga Teatri Kombëtar në ambientet e “ArTurbina”.
Objektivi kryesor i këtij cikli disaditor, ishte edukimi i brezave të rinj mbi historinë e teatrit shqiptar dhe atij botëror, si dhe njohjen me figurat që kanë kontribut në zhvillimin e tij. Studiues dhe kritik i teatrit Josif Papagjoni, ligjëroi mbi temën “Regjisura në dramaturgjinë shqipe”, pjesë edhe në programin artistik online.