MENU
klinika

Çfarë tregohet në filmin kosovar?

‘Zgjimi në Mars’ nominohet për “Filmin Zviceran të Vitit”

26.01.2022 - 20:10

Filmi i Dea Gjinovcit bën fjalë për jetën e familjes Demiri, e cila për shkak të vështirësive në periudhën e pasluftës në Kosovë, me shpresën për një jetë më të mirë, kishte kërkuar azil në Suedi

Sot, juria e Festivalit kryesor të Filmit të Zvicrës, që mbahet për çdo vit në Solothurn, ka bërë të ditur titujt e filmave që janë nominuar për çmimet e festivalit prestigjioz. Në mesin e filmave të nominuar për 13 çmime nga të gjitha zhanret është edhe filmi “Zgjimi në Mars” i regjisores shqiptarozvicerane, Dea Gjinovci.

Bëhet fjalë për çmimet “zyrtare”që jepen për filmat më të mirë zviceranë, në përgjithësi.

Dea Gjinovci ka studiuar për Ekonomi dhe Politikë në SOAS në Londër si dhe për shkenca në Paris. Ka kryer master për Antropologji dhe Film Dokumentar. Ajo shtë prodhuese e regjisore filmash dhe është vlerësuar me disa çmime për punën e saj. Qendra e saj e jetesës është në Paris dhe në Gjenevë.

Filmi i Dea Gjinovcit bën fjalë për jetën e familjes 6 anëtarëshe Demiri, e cila për shkak të vështirësive që kishte kaluar në periudhën e pasluftës në Kosovë, me shpresën për një jetë më të mirë e të pabrenga, kishte kërkuar azil në Suedi.

Në këtë vend me kritere të ashpra të azilit, është i njohur “Sindromi i Refuzimit”, që është një gjendje kome e cila prek zakonisht të rinjtë azilkërkues të cilët integrohen mirë, e më pas papritmas ju vjen vendimi që të kthehen në vendet e prejardhjes. Ibadetja dhe Djeneta, dy vajza të familjes Demiri, preken nga kjo sëmundje misterioze e cila zgjati gati 5 vjet në rastin e njërës nga vajzat.

Krahas lëngatës në familje, filmi ndjek edhe linjën me kryeprotagonistin, Furkanin, i cili me pasion bashkëbisedon me vëllain e tij më të madh, rreth planeteve tjera dhe jetës në Mars, ku ai pretendon të shkojë në një të ardhme. Atje, sipas tij, nuk do të ketë më probleme me të cilat ballafaqohet në jetën e përditshme, shkruan albinfo.ch. Për ta realizuar këtë qëllim, ai mbledh gjëra nga një “varrezë veturash” dhe fillon të ndërtojë “anijen kozmike”, e cila do ta dërgojë në Mars…

Ndonëse “Çmimi Zviceran i Filmit” do të jepet në Cyrih në muajin mars, duket se Zvicra perëndimore (frankofone) ka “karta më të forta” këtë vit. Shumë nga kineastët e nominuar kanë mbaruar studimet në ECAL (École Cantonale d’art de Lausanne) ose HEAD – Genève (Haute École d’art et de design Genève). Ose ata punojnë në Zvicrën frëngjisht-folëse ndonëse kanë sfond të ndryshëm, shkruajnë sot mediat zvicerane.

Është interesante shumësia e gjuhëve të folura në këta dhjetë filma, pavarësisht faktit se të gjithë janë prodhuar në Zvicër. Kështu në filmi “Réveil sur Mars” (Zgjimi në Mars) flitet gjuha shqipe, në atë “Rërë e lagur”, gjuha japoneze, në “Soul of a Beast” (Shpirti i një bishe) flitet ukrainisht, në “Azor”, spanjisht, në “Dida”, serbisht, etj.

Gjithsej 96 filma janë nominuar në 13 kategori. Në kategorinë kryesore “Filmi më i mirë” janë, përveç “Soul of a Beast” edhe “Azor”, i regjisorit Andreas Fontana, “La Mif” i Frédéric Baillif, “Rërë e lagur” e Elene Naveriani dhe “Olga” nga Elie Grappe. Ky i fundit ishte në garë për nominim të filmit nga Zvicra për Oscar-in, në kategorinë e filmave jo amerikanë por nuk kishte hyrë në listën e ngushtë. Të theksojmë: në zgjedhje të ngushtë pati hyrë filmi “Zgjoi”, bashkëprodhim Kosovë-Zvicër, Shqipëri, Maqedoni.

Kategoria “Filmi më i mirë” tërheq me vete 25,000 CHF.