Rusia konfirmon se një delegacion diplomatik ka mbërritur në Bjellorusi, me pretendimin për uljen në bisedime me Kievin.
Por presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy e ka refuzuar ofertën, duke thënë se bisedimet në Minsk mund të ishin të mundshme nëse Rusia nuk do të kishte sulmuar Ukrainën nga territori bjellorus.
Megjithatë, ai e lë të hapur derën për negociata në vende të tjera.
“Nëse nuk do të kishte pasur veprime agresive nga territori juaj, ne mund të bisedonim në Minsk… qytetet e tjera mund të përdoren si vend për bisedime.
Sigurisht që ne duam paqe, duam të takohemi, duam që lufta të përfundojë. Varshavë, Bratislavë, Budapest, Stamboll, Baku – ua kemi ofruar rusëve.
Çdo qytet tjetër do të na përshtatet gjithashtu – në një vend, nga territori i të cilit nuk lëshohen raketa ndaj nesh. Vetëm kështu negociatat mund të jenë të ndershme dhe mund t’i japin fund luftës”, tha Zelensky.