Në kohën e paskomunizmit në Shqipëri, të gjitha mediet e huaja ishin në kërkim dëshmive të gjalla mbi regjimin. Kurt Kola, me kalvarin e vuajtjeve mbi vete, u bë mishërimi i plotë i epokës. Në librin e tij “Tranzicioni komunist në Shqipëri”, Kola ka rrëfyer me hollësi intervistën e parë, për një medie italiane, që daton në vitit 1993.
Intervistë me gazetarin italian për “Corriere della sera” – 1993, speciale
Ishte intervista e parë me gazetarë të huaj, ndaj po e përshkruaj me detaje. Mjekra gjysmë e thinjur mbulonte një fytyrë burrërore dhe zbulonte dy sy të zinj, që lëshonin dritë vibruese. Ai synonte të shihte thellë në botën time të ndjeshme. Përshëndeti me mirësjellje, që pasqyronte
kulturën e qytetërimit prej nga vinte. Forcërisht iu përgjigja me përshëndetje tradicionale. Ende pa zënë vend, hodhi vështrimin rreth orendive të zyrës, të cilat për shkak të kohës së përdorimit të gjatë qenë jashtë modës, por në harmoni me emrin e institucionit: “Shoqata e të Dënuarve Politikë”.
Pas fjalëve të prezantimit, u hodh në detyrën e gazetarit.
– Jam gazetar i gazetës ”Corriere della Sera”. Herë e parë që vij në Shqipëri dhe posaçërisht për ju që përfaqësoni një shtresë që i mbijetoi një diktature të egër edhe brenda të njëjtit sistem. Ndaj, dua ta nis me ju, si udhëheqës i kësaj kategorie:
– Cila është jeta juaj?
– Jeta ime nuk është bardhezi, por është e zezë sterrë.
Kopja origjinale e sistemit të përçudnuar komunist.
– Vetëm kaq? Shkurt dhe evazive? Ju lutem, më gjatë! Hollësira. Si jeni trajtuar? Është një kalvar i gjatë vuajtjesh.
Përkufizimi im e preku dhe e nxiti për më shumë informacion. Rregulloi diktofonin mbi tavolinë dhe u përqendrua të dëgjojë.
– Është në profesionin tuaj të hulumtoni, të zbuloni të mira e të këqija dhe t’i hidhni në publik. Por nga unë do të dëgjoni vetëm të këqija, makabritete të tilla që, sado të fortë ta keni imagjinatën, nuk arrini dot as t’i imagjinoni e as t’i besoni! Sepse ato janë të pabesuara nga ne që i pamë
e i hoqëm, jo për qytetarët Perëndimorë.
– Ushqimi?
– Aq sa për foshnjën e porsalindur; për të rriturin e të moshuarin gjashtëqind gram bukë misri e ç’embrionizuar, shpesh e prishur, e thartuar. Një lugë makarona me krimba në drekë dhe një lugë supë orizi me miza në darkë. Ky ka qenë trajtimi ushqimor në kampet e internimit komunist
për gratë dhe fëmijët e kundërshtarëve politikë të regjimit.
Në kampim e internimit Tepelenë, një model i atyre hitlerianë: Dakow, Buhenvald e të tjerë, sipas dëshmive të atyre që kishin qenë në ato kampe nga gjermanët dhe ishin këtu nga komunistët, gjashtë muaj na kanë sjellë miellin e derrave të Gjirokastrës për të gatuar bukën, i cili ishte pesëdhjetë përqind miza. Nga konsumimi i kësaj buke, që kundërmonte erë mbytëse e ne e hanim me uri, kanë vdekur mbi dyqind foshnja, zero deri në një vjeç nga bllokimi i zorrëve dhe problemet me stomakun. Nga përdorimi i ushqimit të paktë e të kufizuar, mospërdorimi i frutave, zarzavateve, humbëm aftësinë e shikimit natën. Uria arriti deri në lutje ndaj zotit: Na ngop një herë me bukë thatë dhe na merr shpirtin! Mbathveshja, këmishët e gjithçka ishin të arnuara me flokë grash për mungesë peri.
– Come? Come? Non capisco! – pyeti nxitimthi, duke më parë çuditshëm. Ai e kuptonte, por nuk e imagjinonte si mund të përdoren flokët e gruas, për të qepur rroba dhe ishte vërtet e paimagjinueshme. Pati raste të tjera që shpërfytyrohej e më shikonte si anormal, kurse unë i
përgjigjesha me të qeshur.
– Si nuk keni vdekur të gjithë?!
– Ne që shpëtuam, sapo u rritëm, na futën në burgje politike, kështu me alternim burg-internim, gjatë gjithë sistemit komunist…
– Trajtimi në burgje ndryshonte me internimin?
– Internimi i ka të gjitha moshat dhe të dyja gjinitë, është shumë më i vështirë, por burgu në komunizëm ka metoda trajtimi e tortura të pakonceptuara nga mendja njerëzore.
– Jam shumë kurioz të më tregosh disa prej tyre…
– Torturat përdoren në hetuesi për ta detyruar të arrestuarin me çdo kusht të pranojë fajësinë e pakryer. Ato janë metoda barbare që nuk i bën dot te kafshët, jo më te njeriu i pafajshëm. Ja disa prej tyre: E lidhin këmbë e duar me pranga. I rruajnë kokën me brisk dhe në vendin pa flokë i hedhin morra, i mbulojnë me një gotë që të mos dalin prej aty… Brenda pesë a gjashtë minutave, i burgosuri ose i bie murit me kokë e vdes, ose çmendet. Është njësoj sikur morrin e ke në tru.
– Ka ndodhur kjo?!
– Sigurisht, madje dajës së babait tim, i cili në pak sekonda i ra qoshes së murit me kokë dhe vdiq.
– Ja një tjetër më barbare…
– No! No! Basta! – Nisi të bërtasë, sikur po e godisnin në krye me shufër hekuri. Kishte vënë dy duart në kokë e instinktivisht e kruante sikur hiqte morrat, tashmë imagjinarë.
Qëndroi një copë herë ashtu i heshtur e i vrarë thellë në ndërgjegje…
– Do të ndryshojmë temë, janë fakte tronditëse këto që keni parë e përjetuar ju, të duket se je në një botë killerësh. Politika sot, qeveria doja të dija, më intereson…
– Është një mishmash politik, një amalgamë e komunizmit rrënjosur në mendjen dhe ndërgjegjen e një pjese, me demokracinë që synohet të ndërtohet. Si zor të shkëputen tërësisht nga rregullat e monizmit për të ndërtuar sistemin e pastër pluralist me rregullat e demokracisë Perëndimore.
Nuk kemi politikanë të modelit tuaj e akoma më keq është se këtyre iu pëlqen mendja e vet para mendjes së gjithkujt tjetër, dhe duke vepruar sipas modelit monist për të bërë modelin pluralist demokratik, do ndërtojnë një hibrid që do çudisë botën tuaj të qytetëruar e do marrë në qafë popullin më keq se ai që kishim.
– Qeveria, ministrat, presidenti, nuk janë politikanë?! -pyeti duke shprehur në fytyrë një farë dyshimi, mos po bënte gabim.
– Padyshim, zoti gazetar! Janë politikanë, por të formuar nga shkolla marksiste që shkencën politiko-filozofike të sistemit demokratik e konsideron reaksionare dhe nuk e pranon në shkollat e saj. Për sqarim, asnjë ministër, as kryeministri e presidenti, nuk kanë studiuar as shkenca politike marksiste, por profile të tjera universitetesh. Në profilet e tyre janë të aftë. Bie fjala, presidenti, si mjek kardiolog është shumë i aftë, si politikan, zero!
– Come e possibile?!
– Sigurisht, te ju s’mund të ndodhë ndaj çuditeni, por te ne është gjë normale, madje e vlerësojnë. Ju e dini se ne kemi pasur sistem diktatorial për rreth 50 vjet. Në sistemin diktatorial nuk ka vlerë kultura, universiteti, sepse prioritet mbi gjithçka është ruajtja e pushtetit të
diktatorit. Në ministritë, në dikasteret e ndryshme, ata që punësohen të parët janë spiunët që survejojnë e raportojnë çdo gjë. Ky rregull përcaktohet me dy fjalë: injorant, por besnik. Dhe vazhdon në nivelin më të lartë të qeverisë.
Me këtë kualitet përzgjedhjeje, ku ministre bujqësie diktatori çonte një mjelëse të dalluar lopësh apo ministër arsimi emëronte një kovaç, me të drejtë u krijua bindja tek ata që kishin mbaruar shkollat e larta, që çdonjëri prej tyre mund të drejtonte një dikaster ministror, qoftë edhe
kryeministrinë. Ky koncept i diktaturës është ngulitur në mendjen e çdo universitari të atij regjimi dhe praktikohet edhe sot.
– Ti ringrazio tanto per quello che hai fatto per me!
– Të falënderoj! Më dhe një leksion politik interesant!
– Pyetja që do të bëj e që më ka ngacmuar në vetëdije, lidhet fort me jetën tuaj tërësisht të privuar. Si jeni arsimuar, kur nuk keni bërë universitet, se nga kjo bisedë konstatoj arsimim e njohuri kulturore përtej universitetit. Kam kureshtje dhe jam i surprizuar.
– Jeni brenda realitetit. Unë e kam pasur ëndërr universitetin, por as në ëndërr nuk e kam parë si godinë e si fakultet. Por Zoti, në këtë errësirë që më mbante djalli me të gjitha të këqijat dhe privacionet e mundshme, më kish afruar dritën e mendjes dhe shpirtit. Kjo dritë, e cila nuk u
shua për asnjë çast, ishin korifejtë e kulturës dhe baballarët e kombit, klerikët katolikë shkolluar në universitete për teologji dhe secili me një fakultet të dytë në shkenca humane. Ishin kryeministra, ministra, ushtarakë të lartë, kryetarë bashkish, të cilët ishin arsimuar në universitet më prestigjioze të Europës e Amerikës. Këta madhorë dinjitozë e potentë të dijeve qenë profesorët e mi që në moshë fëminore, deri sa u rrita e u formova me modelin e tyre. Në mënyrë figurative unë kam qenë në shumë universitete të Romës, Berlinit, Neë Jorkut etj.
– Capisco, mio amico! Grazia tante! – Fliste tërë respekt e xhentilesë e, teksa po e përcillja më drejtohet:
– Si ka mundësi që gjithë ato tmerre, i tregon duke buzëqeshur?
– Më janë bërë pjesë e jetës dhe i respektoj, – i thashë për humor.
– Voi siete sant’uomo! – shpërtheu ai.
Intervista u botua në shtyp atë kohë dhe pati jehonë atje dhe zemërim këtu, në sferën e lartë qeverisëse.