MENU
klinika

The Guardian

Fati i Evropës do të vendoset në Ukrainë!

04.02.2022 - 20:36

Nga Evropa Lindore ne shikojmë Ukrainën me frikë. Fati i tij mund të vendosë të ardhmen e kontinentit

Trauma e kaluar do të thotë se ne shqetësohemi për rimarrjen e Rusisë në sferën e saj të ndikimit të luftës së ftohtë dhe se perëndimi do të na braktisë përsëri.

Dy pika në lidhje me krizën në Ukrainë janë të qarta. Së pari, Vladimir Putin dëshiron të rivendosë kontrollin rus mbi Ukrainën, pavarësisht nga çmimi. Ëndrra e tij politike për rivendosjen e sferës së ndikimit sovjetik është jehonë në një listë dëshirash të “garancive të sigurisë” paraqitur qeverive perëndimore nga Rusia në dhjetor 2021.

Së dyti, çfarëdo që Putini të vendosë në krizën aktuale, në Evropën Qendrore dhe Lindore ekziston frika reale se kufijtë e vendosur tani janë nën kërcënim. Këto frikë janë të bazuara në arsye. Ajo që dukej joreale në vitet e menjëhershme të pas luftës së ftohtë, tani është përsëri një mundësi reale.

Më saktësisht, ne po flasim për më shumë se një frikë. Ankthi i Evropës Qendrore dhe Lindore është ekzistencial. Në vitet 1980, shkrimtari çeko-francez Milan Kundera shkroi se kombet e vogla janë vazhdimisht në ankth për ekzistencën e tyre, sepse pavarësia e tyre vihet vazhdimisht në pikëpyetje.

Meqenëse ka dyshime edhe për praninë e tyre në hartë, ata e përjetojnë sovranitetin e tyre në një mënyrë të brishtë, nervoze. Kërcënimi ushtarak rus ndaj Ukrainës rizgjon traumat e vjetra dhe, në mënyrë paradoksale, jo vetëm ato të krijuara nga lindja.

Një ankth tjetër është, për ta thënë troç, se perëndimi do të na braktisë përsëri. Kolumnisti i Guardian, Simon Jenkins, për shembull, vuri në dukje, se perëndimi “me mençuri” nuk ndërhyri në Hungari në 1956 ose në Çekosllovaki në 1968.

Për evropianët qendrorë dhe lindorë, paralele të tilla dëshmojnë se rusët nuk janë të vetmit që këmbëngulin në inkuadrimin e ngjarjeve të sotme në kushtet e luftës së ftohtë.

Evakuimi i personelit të ambasadës nga Kievi mund të kuptohet si një “masë paraprake e kujdesshme” nga këndvështrimi i MB-së; por për njerëzit në Evropën Qendrore dhe Lindore, mund të ketë një kuptim krejt tjetër.

Paqëndrueshmëria e politikës së jashtme të SHBA-së në vitet e fundit është një tjetër burim ankthi për vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, jo vetëm për shkak se tërheqja e trupave amerikane nga Afganistani ka detyruar shumë aleatë të SHBA-së të rishqyrtojnë prioritetet e tyre strategjike të sigurisë.

Vlen të kujtohet se qeveritë e Polonisë dhe Hungarisë kanë legjitimitet elektoral, por nuk përfaqësojnë plotësisht shoqëritë e tyre të polarizuara, për të mos përmendur të gjithë rajonin.

Megjithatë, në Varshavë, Vilnius, Riga dhe Talin,ka plot ankth. Bëhen pyetje nervoze: a janë qeveritë perëndimore aleatë të besueshëm? Pse të mos mbroni Ukrainën me bindje të plotë? Pse të mos rimendoni kontekstin gjeopolitik të gazsjellësit Nord Stream 2 nëse ruajtja e vlerave “evropiane” do të thotë shumëçka?

Shumë qytetarë të Evropës Qendrore dhe Lindore kanë kujtime të jetesës nën sundimin e Moskës. Për ta, 30 vjet pavarësi nuk janë të mjaftueshme për të larguar shqetësimin se jemi të bllokuar në një cikël historie që përsëritet vazhdimisht.

Të menduarit në termat e sferave të ndikimit na kthen në një kohë kur vendet satelitore të Bashkimit Sovjetik nuk ishin në gjendje të vendosnin lirisht se cilës aleancë ushtarake apo regjimi politik ata aspironin t’i përkisnin.

BE-ja dhe NATO-ja u themeluan për të parandaluar që historia të përsëritet: nëse perëndimi është vërtet i përkushtuar ndaj vlerave demokratike, ai duhet të mbrojë Ukrainën.

Vendet perëndimore nuk duhet të pranojnë kthimin në logjikën e vjetëruar të sferave të ndikimit. Nevojitet një përgjigje vendimtare ndaj armiqësisë së Putinit.

Por çdo vendim perëndimor do të ketë pasoja të mëdha për Evropën. Paqëndrueshmëria e mëtejshme gjeopolitike do të ndikonte në Evropën Qendrore dhe Lindore ushtarakisht, ekonomikisht dhe në aspektin e migracionit. Ekziston gjithashtu rreziku që ky shqetësim gjeopolitik mund të përforcojë kthesën e rajonit drejt nacionalizmit. Frika, siç tha në mënyrë të famshme kardinali de Retz, është pasioni që dobëson më shumë gjykimin. Fati i Evropës do të vendoset në Ukrainë.

Burimi: The Guardian

Përktheu dhe përshtati: Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


BILD: Ja plani i Rusisë për pushtimin e Ukrainës

A është Evropa në prag lufte?