MENU
klinika

Arsyet

Fermerët po braktisin serrat dhe po ikin në emigracion

13.02.2022 - 08:59

Çfarë po ndodh me serrat e ngritura vite më parë nga të ardhurat e punës në emigracion? Pse fermerët e Lushnjës dhe Beratit po lënë investimet e tyre për të punuar sërish në emigracion? Bujqit tregojnë shqetësimet, që nga mospërballimi i rritjes 25% të kostos së prodhimit, që nisi me ndryshimet e skemës së TVSH në 2019, dhe shtrenjtimin vjet me 27% të çmimit të plastmasës, dyfishimin e çmimeve të inputeve bujqësore e deri te mosgjetja e tregut të shitjes që solli falimentimin e serave dhe rikthimin e tyre në emigracion.
Fatmir Ndoja, me origjinë nga Tropoja, investoi në vitin 2010 në fshatin Lunas të Lushnjës, 8 milionë lekë për blerjen e 30 hektarëve tokë bujqësore dhe ngritjen e një serre me sipërfaqe 5 dynymë, me të ardhurat e kursyera pas 11 vitesh punë në emigracion. Në serrë, Fatmir Ndoja kultivonte domate, tranguj, speca dhe bostan.

Në vitet e para, aktiviteti lulëzoi, ndërsa prej 3 vitesh, të ardhurat nga mbjellja e serave janë me humbje. Për shkak të shitjes së prodhimeve nën kosto, Fatmir Ndoja vendosi që këtë vit të mos kultivojë më perime në serrë, por të emigrojë në Gjermani për të punuar në ndërtim kundrejt pagës prej 15 euro/ora.

“Në 2010-n, të ardhurat e kursyera nga puna e emigracionit në Greqi dhe Belgjikë i investova në bujqësi. Investimi fillestar për ngritjen e serës kushtoi 4 milionë lekë. Për blerjen e tokës me sipërfaqe 35 ha, shpenzova 4 milionë lekë të tjera. Në vitet e para, fitimet vjetore nga prodhimi ishin të kënaqshme, arrinin deri në 15,000 euro.

Tashmë prej 3 vitesh vijojmë të prodhojmë perime dhe zarzavate me kosto të lartë, ndërsa i shesim me çmime nën koston e prodhimit. Kjo situatë na ka shkaktuar humbje të larta, të papërballueshme. Për këtë arsye kam vendosur të largohem përsëri në emigracion”, tregon fermeri nga fshati Lunas i Lushnjës, në bisedën e zhvilluar me revistën “Monitor”.

Fermerët e serrave, në vështirësi nga rritja e kostove 25%

Humbjet nga prodhimi i serrave nisën në 2019-n, kur filloi zbatimin ndryshimi i skemës së TVSH-së të kompensueshme nga 20% që ishte më parë në 6%.

Diskutimet për ndryshimin e skemës u shoqëruan në 2018 me protesta nga fermerët, të cilët paralajmëruan se reduktimi i shkallës së kompensimit do t’u rrisë kostot e prodhimit.

Në vitet më pas, humbjet nga prodhimet bujqësore u thelluan, për shkak të rritjes së çmimit të fidanëve për të mbjellat, inputet bujqësore dhe naftës. Në anën tjetër, fermerët shprehen të shqetësuar se nuk arrijnë dot të gjejnë treg shitje për produktet e tyre.

Mbingopja e tregut nga prodhimi i domates, specit, trangullit apo bostanit ka ndikuar në rënien e çmimit të shitjes. Prej disa vitesh, fermerët po shesin produktet e tyre nën kosto, arsyeja kryesore që e ka kthyer investimin e ngritjes së serave të paleverdishëm.

Kostoja e prodhimit për 1 dynym serrë është rritur mbi 25%, ndërsa çmimi i shitjes së produktit final është shumë i ulët.

“Kostoja për prodhimin e 1 dynym domate, duke nisur me shpenzimet për blerjen e fidanëve, kostoja prej 20,000 lekësh për spërkatjen e bimëve me plehra kimikë, pagesat prej 1,000 lekë/dita për punëtorët që vjelin domaten, çmimet e larta të blerjes së plastmasës për të zëvendësuar atë të dëmtuarin dhe pagesat e agronomit, vjet ishin 130,000 lekë nga 100,000 që kushtonte në periudhën 2019-2020. Vjet domatet i shitëm 200 lekë/arkën (arka ka 18 kg domate).

Mungesa e tregut për shitjen e domates më detyroi që vjet t’i hedh në kanal 30 tonë prodhim. Prodhimi në serra ka një veçori, nëse një vit nuk arrin dot të marrësh paratë e investuara, nuk arrin të rimëkëmbesh edhe vitin tjetër. Deri tani, arritëm të mbijetonim me të ardhurat tona, pa ndihmën e askujt, nuk kemi mundësi financiare të vazhdojmë prodhimin.

Për këto arsye, vendosa që këtë vit të mos mbjell asnjë kulturë në serrë dhe të rikthehem në emigracion. Në fshatin Lunas, shumica e fermerëve kanë shkuar sërish në emigracion. Sot nuk gjen asnjë të ri në fshat, pasi kanë emigruar”, pohon fermeri Ndoja, zotërues i serës me sipërfaqe 5 ha.

Ai shpjegon se e ka të pamundur të kultivojë kultura të tjera bimësh, pasi çmimet e larta të inputeve bujqësore i kanë shtuar pesimizmin për punimin e tokës. “Çmimi i uresë nga 3,500 lekë/kv – 4,000 lekë/kv, sot shitet 9,000 deri në 10,000 lekë/kv. Çmimi i shitjes së 1 kv gruri varion nga 2,500 deri në 3,500 lekë/kv. Nëse llogarit shpenzimet që nga ureja dhe kostot e mbjelljes, fitimet nga korrja janë zero”.

Sipas kryetarit të Sindikatës së Fermerëve, Eduart Sharka, vitin e kaluar, fermerët shitën 90% të produkteve të tyre nën kosto. “Kjo është arsyeja kryesore pse shumë fermerë po lënë tokat djerr, po braktisin investimet në serra dhe po largohen. Në zonën e Lushnjës dhe më tej janë me qindra raste fermerësh që investuan në ngritjen e serrave me të ardhura nga emigracioni dhe tashmë po braktisin investimin për të punuar në serat e Sicilisë apo Kretës.

Sektori i bujqësisë vijon të mbetet kaotik, pasi mungojnë subvencionet, kur fermerët preken nga rritja e çmimeve të inputeve bujqësore, apo fidanëve. Në këtë situatë, çdo investim i ri arrin të lulëzojë vetëm 3 vitet e para, ndërsa më pas, vetëm sa mbijeton”.

Prodhuesit nuk gjejnë treg për shitjen, hedhin produktet në kanal

Në zonën rurale të Lushnjës, që konsiderohet si zemra e zonës së Myzeqesë takon shumë fermerë të rinj, të cilët kanë braktisur investimet dhe po i rikthehen emigracionit.

Arsyet e lënies së serrës janë mungesa e gjetjes së tregut për shitjen e prodhimeve, ndërsa kostot e prodhimit nga viti në vit po bëhen të papërballueshme.

Ardit Llupo është një tjetër fermer nga Lushnja, që të ardhurat nga puna e emigracionit i investoi në ngritjen e serrës, por tashmë është i detyruar të braktisë investimin familjar për t’u rikthyer në Itali.

Ai zotëron 4,5 dynymë të mbjella me patëllxhan dhe kungull në sera, një investim i ngritur 20 vite më parë nga puna e tij dhe e babait në emigracion.

“Për ngritjen e serave investuam rreth 3 milionë lekë me të ardhurat e fituara nga puna në Itali. Serra u ngrit në vitin 2000, rreth dy dekada më parë, një investim që sipas logjikës financiare duhet të ishte i konsoliduar.

Vitet e para fitimet kanë qenë të mira, por prej tre vitesh, prodhimi është në krizë. Arsyeja është rritja e kostos së prodhimit dhe mungesa e gjetjes së tregut për t’i shitur produktet me fitim.

Në vitin 2019, kostoja për mbjelljen e 1 dynym serrë ishte 80,000 lekë, sot llogaritet 130,000 deri në 150,000 lekë/dynym. Prej 2019-s, kostoja e prodhimit të perimeve është rritur, ndërsa çmimi i shitjes ka rënë. Nga ndryshimi i skemës së TVSh-së së kompensueshme, janë prekur më tepër rritja e çmimit të plehrave kimike dhe fidanëve. Një fidan bime kushton 12 lekë. Shpenzimet për blerjen e 2,400 bimëve fidan për 1 dynym sera janë rreth 30,000 lekë.

Për serrën tonë, me sipërfaqe 4,5 dynymë , vetëm shpenzimet për blerjen e fidanit arrijnë 130,000 lekë. Janë edhe shpenzimet e plastmasës dhe të fuqisë punëtore për ta vjelë. P.sh., për vjeljen e mashurkës duhet të punësosh 7 gra. Kostoja për pagat e punëtorëve është e papërballueshme, pasi dita e punës paguhet 1,500 lekë.

Përveç shpenzimeve të larta, ata nuk gjejmë treg për shitjen e produkteve. Grumbulluesit vendas i kërkojmë produktet me çmime të lira që janë nën koston e prodhuar. Edhe pse punojmë të gjithë familjarisht për serrën nuk arrijmë dot ta përballojmë financiarisht jetesën. Aktualisht, për të nxjerrë të ardhurat e familjes, po punoj shofer në një kompani.

Është turp të kesh investimin tënd dhe të punosh në privat”. Arditi Llupo shton se edhe me punën e gjetur nuk është optimist, pasi kompania që tregton plastmasë ka rënie të kërkesës dhe nuk po arrin të përballojë shpenzimet e pagave të punonjësve.

“Shpresa ime e vetme mbetet rikthimi që të punoj në emigracion. Pres që shumë shpejt të largohem për në Itali ku do të punoj si bojaxhi. Jam kthyer para 4 vitesh nga emigracioni dhe do të largohem përsëri. Nuk shikoj të ardhme në punët e bujqësisë”.

Edhe fermerët e Beratit po braktisin serrat

Fenomeni i braktisjes së serrave të ngritura vite më parë është shtrirë masivisht edhe në zonat rurale jashtë Lushnjës.

Ardit Tafa, drejtuesi i farmacisë bujqësore nga fshati Guriçan i Beratit, pohon për “Monitor” se një numër i lartë fermerësh në këtë zonë po rikthehen në emigracion, pasi kanë falimentuar.

I tillë është rasti i Muharrem Gjozit, 40-vjeçari nga fshati Guriçan. Këtë vit nuk e ka mbjellë serrën me sipërfaqe 3.5 dynymë, që ngriti para 6 vitesh me paratë e fituara nga puna në Greqi, pasi humbjet janë 67% e shpenzimeve për mbjelljen sezonale të një kulture.

Gjozi thekson se problemi kryesor që shkaktoi krizën e biznesit të tij ishte mungesa e tregut, pasi produktet nga grumbulluesit kërkohen me çmim nën koston e prodhimit.

“Vjet, shpenzova 150,000 lekë për 1 dynym domate të mbjella në sera. Nga shitja e prodhimit fitova vetëm 50,000 lekë dhe humba 100,000 lekë për dynym. Domatja e prodhuar në serë vitin e kaluar u shit 20-25 lekë/kg, ndërsa trangullin nga muaji shtatori deri në nëntor e shita 15 lekë/kg.

Vetëm fidanin e trangullit e kam blerë 35 lekë/bimë. 100,000 lekë është vetëm kostoja e blerjes së fidanit dhe 60,000 lekë janë shpenzimet për blerjen e plehrave kimike.

Ky është viti i dytë që kemi humbje nga prodhimi. Sivjet nuk kemi hedhur fidanë të rinj për shkak të mosgjetjes së tregut për shitjen e produkteve. Në këtë situatë e kemi të pamundur të mbijetojmë, pasi për zhvillimin e serës më është dashur të marr edhe kredi.

Për këtë arsye vendosa të rikthehem në emigracion për të punuar në ndërtim”, veçon ndër të tjera fermeri Muharrem Gjozi, që dashuria për tokën dhe nevoja për të qenë pranë familjarëve e nxiti që në 2015 t’i investojë në atdhe kursimet e emigracionit. Investimi fillestar ishte në vlerën e 3 milionë lekëve.

Buxheti i ulët për bujqësinë dhe mungesa e fondeve mbështetëse ndaj bujkut konsiderohen arsyet kryesore pse fermerët po braktisin tokën nga kreu i Sindikatës, z. Eduart Sharka. “Fondi për Ministrisë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është 1,2% e totalit të buxhetit, në Kosovë zë 3,6% të buxhetit kursë në vendet e Europës, 5%.

Në BE, pesha e bujqësisë në Prodhimin e Brendshëm Bruto është 2-3%, ndërsa në Shqipëri është 20% e PBB-së. Raporti është shumë i zhdrejtë dhe që këtu nisin problemet për sektorin.

Në anën tjetër, zbatimi i subvencioneve do të lehtësonte kostot e prodhimit për fermerët dhe do t’i nxiste ata të punonin tokën. Për shkak të mungesës së mbështetjes së bujqësisë, fermerët po përballen çdo vit me humbje”./Monitor

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


950 milionë lekë për naftën falas në bujqësi

Si do të bëhet shpërndarja tek fermerët

Ulen sipërfaqet e mbjella në Lushnje

Bukë me miell importi, fermerët ‘braktisin’ grurin