MENU
klinika

''Trëndafili i bardhë''

Përurohet shtatorja e mbretëreshës së shqiptarëve

01.02.2022 - 11:35

         Mbretëresha e shqiptarëve, në fakt, nuk mbretëroi më shumë se 1 vit. Ndërsa kaloi në ekzil, plot 63 vite. Geraldina, mbërriti në Shqipëri më 28 qershor 2002 dhe u nda nga jeta në Tiranë, më 22 tetor të atij viti.

Me rastin e 20-vjetorit të kthimit në atdhe të familjes mbretërore shqiptare të para luftës, në Tiranë, pranë bulevardit “Zogu I”, përurohet ditën e sotme, shtatorja e mbretëreshës Geraldinë, konteshës hungareze, e cila e lidhi fatin me Shqipërinë dhe shqiptarët.

Geraldina, do të ishte jo vetëm një bashkëshorte dhe nënë shembullore, por njëherazi edhe një veprimtare aktive në drejtim të emancipimit të popullit shqiptar dhe veçanërisht, me përkushtimin më të madh për figurën e femrës në Shqipëri.

Me nismën dhe përkujdesin e drejtpërdrejtë të mbretëreshës, u hodhën themelet e maternitetit të ri të Tiranës (1937), që sot mban emrin e saj, ”Nëna mbretëreshë”, si dhe të të parit stacion radiofonik të vendit – Radio Tiranës (1938).

Në një intervistë të fundit të saj, më 2002, disa muaj para vdekjes, ajo do të shprehej:

“Unë jam shqiptare prej ditës që kam shkelë për herë të parë në tokën shqiptare. Kjo më ka dhënë gjithmonë një krenari dhe besim për Shqipërinë dhe shqiptarët tonë të dashtun. Që kur erdha ma së parit në Shqipëri, në dhjetorin e vitit 1937 unë u befasova nga ky vend i mrekullueshëm, nga njerëzit e saj trima, të besës e krenarë për emrin që mbajnë se janë shqiptarë. Unë e kam thënë edhe ma parë në një libër, që është shkruar për mua nga shkrimtarja franceze zonja Josephine Dedet në Paris në vitin 1996 dhe që është përkthyer tani vonë në Tiranë (vitin e kaluar),por po them edhe për gazetën tuaj, se për t’i vlersue shqiptarët, duhet t’i njohësh mirë ata në vendin e tyre, në Atdheun e Shqipeve.

E pra, unë atje i takova të gjithë shqiptarët dhe i njoha të gjithë shqiptarët. Nuk ishte vetëm Kurora Mbretërore që na bashkoi zemrat, por ishte dhe vazhdon me qënë dhe sot e kësaj dite bashkë, dashuria e madhe për Atdheun dhe krenaria për flamurin Kombëtar Shqiptar, për Atdhenë, për atë vend të mrekullueshëm. Me kët rast po ju tregoj se e kam mësuar gjuhën shqipe vetëm për dy muaj dhe këtë e kam treguar ma së mirit kur kam pasë rast të flasë edhe para mikrofonit të Radio Tiranës.

Martesa ime me Mbretin Zog I ka qënë ngjarja ma e rëndësishme e jetë sime të dashtun. Ai vetë ishte një shëmbull i pakrahasushëm se si punonte dhe sa sakrifikonte për popullin shqiptar. Jo vetëm por kohën kur ishim bashkë në Shqipëri punonte, por edhe në egzil ai s’pushoi së punuarit për Atdheun e tij. Tashmë dihen takimet dhe korespondecat e Tij me presidentin amerikan Rusvelt, me Kryeministrin e Britanisë së Madhe, Çurçill, e me presidentin francez De Gol.Po jo vetëm me këto, por dhe me të gjitha Mbretërit e asaj kohe të Europës dhe Mesdheut e Azisë deri në Amerikën e Jugut, Afrikë e Australi”