MENU
klinika

Ndryshon ligji për pronarët përfitues

Gjoba të kripura bizneseve që fshehin aksionerët

16.02.2022 - 13:53

Një seri ndryshimesh të Miratuara nga Këshilli i Ministrave në ligjin për Pronarët Përfitues përcakton gjoba të kripura ndaj atyre bizneseve që nuk depozitojnë në kohë të dhënat me pronarët apo aksionerët e tyre. Ato nisin nga 500 dollarë për rastet e mosrespektimit të afateve, për të shkuar deri në 6 mijë dollarë kur autoritetet konstatojnë se ato bëhen me qëllim për të fshehur të dhëna të rëndësishme mbi burimet financiare të pronarëve apo aksionerëve të tyre. Gjobat do të aplikohen nga Titullari i Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe do mund të ankimohen në gjykatën administrative.

Ligji “Për pronarin përfitues” miratuar më datë 29.7.2020 u pasua nga krijimi regjistrit të pronarëve përfitues, ku do të regjistrohen të dhënat e pronarëve përfitues të subjekteve që kanë detyrimin e raportimit të tyre.

Në rastin e regjistrimit fillestar të pronarëve përfitues, përfaqësuesi ligjor i tyre duhet të paraqesë dokumentacionin që vërteton numrin unik të identifikimit dhe emrin e subjektit raportues, si dhe datën e regjistrimit të subjektit në regjistrin përkatës; dokumentacionin që vërteton të dhënat e identifikimit të pronarit; si dhe dokumentacionin e autoritetit kompetent regjistrues, që vërteton se pronari përfitues i regjistruar është zotërues i 25 (njëzet e pesë) % ose më tepër të aksioneve/kuotave të kapitalit, të të drejtave të votimit ose të interesave të pronësisë.

Ligji ka ardhur si një rekomandim i Moneyval, strukturës evropiane kundër pastrimit të parave, dhe ka qëllim zbardhjen e pronarëve të vërtetë, apo aksionerëve që qëndrojnë pas kompanive.

Vitin e shkuar Qeveria pranoi shtyrjen e afatit të depozitimit të të dhënave nga disa shoqata biznesi, kryesisht të huaja, të cilat kërkuan më shumë kohë në dispozicion për mbledhjen e dokumentacionit përkatës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Si do bëhet “pastrimi” i pasurisë?

Kategoritë që përfitojnë nga amnistia e re fiskale

Për shpëtimin e ekonomisë së Shqipërisë!

Projektimi i së ardhmes post-Covid bizneset dhe forcat politike