MENU
klinika

Pak ditë më parë u la në burg kryeinspektorja

Sarandë shpallen në kërkim dy inspektorë

28.02.2022 - 11:07

Operacioni “Heshtja” i finalizuar pak ditë më parë kundër ndërtimeve pa leje në Sarandë është shtrirë në shkelje të tjera të zyrtarëve në këtë qytet.

Policia ka njoftuar se janë shpallur në kërkim M. A., 30 vjeç, dhe N. J., 26 vjeç, banues në Sarandë, me detyrë Inspektor në Inspektoriatin Vendor të Mbrojtjes së Territorit, pranë Bashkisë Sarandë.

Ata dyshohet se kanë lejuar ndërtimet pa leje në zona të ndryshme në qytetin e Sarandës, në bashkëpunim me Kryeinspektoren e IMT Romina Pulaj a arrestuar pak ditë më parë.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i policisë

Vijon operacioni policor i koduar “HESHTJA”. Shpallen në kërkim dy shtetas. Më parë, në kuadër operacionit policor të koduar “HESHTJA”, është arrestuar shtetasja R. P., 31 vjeçe, si dhe u shpall në kërkim shtetasi P. P., 66 vjeç.

Në vijim të operacionit policor të koduar “HESHTJA”, për goditjen e aktivitetit të kundërligjshëm në fushën e ndërtimeve pa leje në qytetin e Sarandës, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë bënë shpalljen në kërkim të shtetasve M. A., 30 vjeç, dhe N. J., 26 vjeç, banues në Sarandë, me detyrë Inspektor në Inspektoriatin Vendor të Mbrojtjes së Territorit, pranë Bashkisë Sarandë.

Pasi janë siguruar prova ligjore në lidhje me ndërtimin e paligjshëm të një pallati 7 katesh ende të pa perfunduar por edhe disa shtesa pa leje, në disa pallate në ndërtim, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë me vendimin Nr.21, datë 24.02.2022, ka vendosur për këta dy shtetas, masat e sigurisë në mungesë “Arrest në burg”, per veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”,

Të dy këta shtetas dyshohet se me veprimet/mosveprimet e tyre kanë lejuar ndërtimet pa leje në zona të ndryshme në qytetin e Sarandës, në bashkëpunim me Kryeinspektoren e IMT R. P., e arrestuar me datë 21.02.2022, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprime të mëtejshme.