MENU
klinika

Çështja ''Xhafer Deva''!

Historianët në Shqipëri e Kosovë: 4 Shkurti dhe konflikti me Hitlerin…

11.02.2022 - 15:01

       Debati i nxehtë i ditëve të fundit, në të dy anët e kufirit shqiptar, është rindërtimi i shtëpisë së politikanit. Restaurimi i banesës së Xhafer Devës në Mitrovicë, Kosovë, u pezullua pas debatit që ndoqi kundërshtimi i ambasadorit gjerman në Prishtinë, i cili, risolli në vëmendje lidhjet e ish-ministrit të brendshëm të Shqipërisë me nazistët dhe drejtimin e divizionit SS Skanderbeg.

Polemikat e shumta, risjellin në vëmendje dritëhijet e politikanit.

“Xhafer Deva, si çdo figurë historike është figurë komplekse. Ka elementet e tij patriotike në periudhën e parë të luftës, në administrimin e Mitrovicës, gjatë pushtimit gjerman, kohë kur ai mundësi që Mitrovica edhe se nuk ishte pjesë e shtetit shqiptar (atë kohë, bashkuar nën pushtim) të kishte elementet identitare të kombit shqiptar përkundrejt Serbisë ku ajo ishte. Në pjesën e dytë të Luftës së Dytë botërore, Xhafer Deva ka mbi supe një nga krimet më të rënda vëllavrasëse të kryera në Shqipëri, që është masakra e 4 shkurtit, ku u vranë pa gjyq të rinj e të reja të Tiranës si hakmarrje ndaj vrasjes së nipit të tij, padyshim një krim kundër njerëzimit i kryer nga Xhafer Deva.”, tha Bido.

Por cilat duhet të jenë qasja ndaj objekteve të kujtesës të lidhura me personazhe kontroversë që nxisin debat?

“Duhet të ndajmë mendjen ose të shembim shtëpinë e Xhafer Devës, Vilën 31 që është e lidhur pazgjidhshmërisht me Enver Hoxhën, Sarajet e Toptanasve që janë të lidhrua me Esatin, qendrën e Tiranës që është e lidhur pazgjidhshëmrisht me fashistët dhe gjysma e Shqipërisë është ndërtuar pse lidhet me personazhe të tilla… ose zgjidhja e dytë, është t’i restaurojmë se kanë vlera historike” – tha ai.

Figurat historike që nga një pjesë shihen vetëm si kriminelë e nga një tjetër vetëm si heronj, pa gjetur një të mesme dritëhijesh, janë shoqëruar gjithnjë me debate, që pasqyrojnë ngjyresat e postluftës.

“Xhafer Deva duhet të shihet në kuadër të rrethanave të kohës, ai nuk ka qenë as nazist e as fashist. Qeveria e asaj kohe, ka qenë nga të vetmet në Europë që i ka marrë në mbrojtje hebrenjtë. Ai ka qenë i respektuar në SHBA, ka dhënë madje mësim në një universitet hebre në Kaliforni. Në këtë moment, Deva paraqet një figurë të rëndësishme kombëtare, e jo t’i vihet epiteti kolaboracionist apo Kuisling”, – tha Buxhovi në një intervistë për A2 CNN.

Sipas tij, Deva, pjesë e kabinetit të Rexhep Mitrovicës në vitet 1943-44, nuk ka pranuar të bashkëpunojë me qeverinë gjermane për çështjen e hebrenjve, por ka luftuar serbët. “Ka pasur një marrëveshje me Hitlerin që shteti shqiptar të jetë i paanshëm. Ai nuk ka pranuar që t’i dorëzojë hebrenjtë shtetit gjerman, dhe kjo ka shkaktuar konflikt me Hitlerin. Xhafer Deva ka qenë antikomunist dhe donte të krijonte Shqipërine etnike. Ai ka luftuar kundër çetnikëve serbë kundër copëtimit të Shqipërisë”, – tha Buxhovi.

Emri i Xhafer Devës, u rikthye në qendër të vëmendjes këto ditë, duke nxitur debate dhe polemika. Shkak është bërë një projekt i Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, UNDP-së dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për restaurimin e shtëpisë së ish-politikanit shqiptar në Mitrovicën e Jugut.

Qëllimi ishte ruajtja dhe rehabilitimi i trashëgimisë kulturore në Kosovë. Por, pas kritikave dhe kundërshtive të ashpra, institucionet njoftuan anulimin e projektit. Të hënën, ambasadori gjerman në Kosovë, reagoi me shqetësim ndaj planeve për restaurimin e shtëpisë së Devës, duke theksuar se nuk duhet të shtrembërohet e vërteta rreth Holokaustit, apo krimeve të luftës të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët lokalë.
Polemikat për Xhafer Devën, kritikat detyrojnë anulimin e projektit për restaurimin e banesës.

Gjithashtu, edhe Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, shprehu shqetësimin rreth projektit dhe tha se, nuk duhet të ketë vend për revizionimin e historisë së Luftës së Dytë Botërore dhe mohimin e Holokaustit.

Në një deklaratë të përbashkët, UNDP-ja dhe BE-ja, thanë se synimi i projektit të përbashkët me Ministrinë e Kulturës së Kosovës, ka qenë gjithmonë të bashkojë komunitetet dhe të kontribuojë në kohezionin social, duke përdorur trashëgiminë kulturore si instrument për dialog ndërkomunitar. Sakaq, ministri i Kulturës në qeverinë e Kosovës, Hajrullah Çeku, tha në një reagim se restaurimi i monumenteve bëhet për t’i shërbyer komunitetit, jo për revizionizëm historik, apo rehabilitim figurash.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Dëshmia e rrallë e ish-zv/ministrit të Brendshëm

“Çfarë më tha Xhafer Deva për ngjarjet e 4 shkurtit ’44”

Dëshima e rrallë e ballistit të arratisur

Letra që i dërgova Stalinit, për Enverin i shkruaja…