Armando Broja është kthyer në personazhin kryesor të mediave sportive në Angli, ku tashmë të gjithë flasin për të ardhmen e sulmuesit shqiptar.
20-vjeçari ka mahnitur me paraqitjet e tij dhe nuk është aspak çudi që në këto ditë në media ka pasur vetëm diskutime rreth skuadrës për të cilën do të luajë futbollisti shqiptar në edicionin e ardhshëm, meqë atë aktual do e mbyllë te Southampton.
Në listën e pretendentëve së fundmi është shtuar edhe Arsenal dhe me sa duket, Broja nuk ka kthyer në përgjigje të prerë ndaj klubeve që kanë shfaqur interes për të.
Burime të “Express Sport” në Angli ka bërë të ditur se sulmuesi shqiptar ka vendosur që të lërë gjithçka të hapur deri në verë. Kështu, ai do të mbyllë sezonin me Southampton dhe pastaj do të shqyrtojë çdo opsion të mundshëm, qoftë ky qëndrimi në këtë klub, kthimi te Chelsea apo transferimi në një klub tjetër.