Filmi ka njohur suksese të njëpasjëshme në Evropë dhe tani, edhe në Amerikë. Një temë e largët ose krejt e huaj për evropianët e ditëve të sotme, aq më pak për amerikanët e shoqërisë konsumiste. Një grua e vetme përballë familjes së saj të vogël, për të cilën duhet të luftojë. Një vendim marrë vetë, duke e ditur sesa rrezikon në një shoqëri patriarkale, që ajo si gra, në fakt, e mund me punën dhe vetëmohimin e saj. Kjo është tabloja gati-gati e paimagjinueshme për shoqëritë moderne, por që haset jo pak në Ballkanin ”tradicional”.
Në rrugëtimin për të gjetur paqen me bletët, Fahrija fillon ta gjejë edhe paqen me vetveten…
Interesimi për të parë filmin “Zgjoi”, nën regji të Blerta Bashollit, vazhdon të jetë i lartë.
Më pak se një javë ka mbetur deri në publikimin e pesëshes së nominuar nga “Academy Awards”, për filmin më të mirë ndërkombëtar, raportojnë mediet në Kosovë.
Kandidati i Kosovës, ka mundësi të jetë në mesin e tyre.
Kritikat pozitive për filmin dhe predikimet që theksojnë se filmi i Bashollit do të jetë në mesin e të nominuarve veçse po ndez një valë të re të interesimit për filmin.
Si kundërpërgjigje nga ekipi ka ardhur lajmi se, “Zgjoi” tani është i qasshëm në platformat online. Producenti Yll Uka, ka thënë se ai mund të blihet ose të merret me qira në platformat e njohura online, si: “Vudu”, “Amazon Video”, “Kino Now”, “iTunes”.
Rolin kryesor e luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera, shfaqen: Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj, drejtor fotografie Alex Bloom, montazher Enis Saraçi dhe Félix Sandri, bashkëproducent Valon Bajgora, Agon Uka, Britta Rindelaub, Kristijan Burovski, Tomi Salkovski, Paskal Semini.
“Zgjoi“ është një bashkëprodhim filmik në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Zyra Federale për Kulturë FOC dhe Cinéforom (Zvicër), Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografi (Shqipëri), prodhuar nga Industria Film dhe Ikonë Studio me bashkëprodhim nga Alva Film Production, Black Cat Production, AlbaSky, Swiss National TV, ndërsa të drejtat e shitjes globale i ka LevelK.