MENU
klinika

Merret vendimi nga KLGJ

Kush është anëtarja më e re e Gjykatës së Lartë

09.02.2022 - 17:01

Arbena Ahmeti është anëtarja më e re Gjykatës së Lartë. Ky është vendimi më i fundit i marrë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për emëruar në këtë detyrë gjyqtaren më të re Ahmeti, e cila ka qenë më parë në Gjykatën Administrative në Tiranë.

“Në funksion të jetësimit të një ndër prioriteteve të tij kryesore, atij të vendosjes në funksionim të plotë të Gjykatës së Lartë, duke emëruar individë me integritet të lartë etik dhe profesional, pas përfundimit të procedurave të verifikimit për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës administrative, të shpallur me vendimin nr. 84, datë 26.02.2020, Këshilli vendosi miratimin e renditjes së kandidatëve si më poshtë: Arbena Ahmeti”, thuhet në njoftimin e KLGJ-së.

Në vijim të vendimmarrjes së mësipërme, Këshilli vendosi të propozojë për emërim në Gjykatën e Lartë, në pozicionin e lirë në fushën e të drejtës administrative, të shpallur me vendimin nr. 84, datë 26.02.2020, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, kandidaten znj. Arbena Ahmeti, duke disponuar gjithashtu edhe për të drejtën e ankimit brenda 5 ditëve, nga dita e njoftimit të vendimit.

“Këshilli ka avancuar me prioritet përpjekjet që Gjykata e Lartë të rifitojë kuorumin e nevojshëm për të zgjedhur anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, si dhe të adresimit të çështjeve të prapambetura për të çuar më tej objektivat thelbësore të reformës në drejtësi përmes konsolidimit të një gjyqësori plotësisht të pavarur, të paanshëm, të përgjegjshëm, efikas dhe profesional”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Zonja Ahmeti ka kaluar fazën e vlerësimit në procesin e Vettingut në sistemin e drejtësisë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN