MENU
klinika

Pse 57-vjeçari ndërmori aktin e pazakontë

Laçiani çmonton shtyllat, lë pa drita 10 mijë njerëz

03.02.2022 - 12:58

Shtyllat u rrëzuan në mënyrë të qëllimshme në hyrje të qytetit të Laçit, në një ngjarje që dyshohet e qëllimshme. Vidat që mbanin të lidhur strukturën e hekurt janë hequr, duke sjellë rrëzimin e shtyllës dhe nga forca është këputur në mes edhe shtylla tjetër që ndodhej 500 metra më larg. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së martës, ndërsa ekspertë të Policisë dhe Prokurorisë kanë nisur një hetim për të verifikuar rastin që mund të klasifikohet deri në akt terrorist. Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Kurbinit, deri më tani një person është shoqëruar dhe po merret në pyetje si i dyshuar për rrëzimin e shtyllave të tensionit të lartë.

BANORËT: DËGJUAM NJË SHPËRTHIM

Nga kjo situatë, që prej mbrëmjes të së martës, disa zona të Kurbinit mbetën pa energji elektrike, e për rrjedhojë, edhe pa ujë të pijshëm.

“U fikën dritat te shtëpia dhe dëgjuam një shpërthim të madh te nënstacioni elektrik që ndodhet këtu afër dhe pamë që kishte rënë shtylla e madhe. Ishte një stuhi e paparë në ato momente. Që mbrëmë në orën 19:00 jemi pa drita dhe nuk e dimë se kur mund të vijnë. Po ashtu, nuk kemi as ujë të pijshëm, sepse kur ikin dritat, mungon edhe uji, për shkak se nuk furnizohen me energji pompat. Hajt se pa drita e bën robi një hall, por pa ujë s’kemi çfarë bëjmë”, thotë një banore e Laçit.

Ndërsa një tjetër banor thotë se linja e tensionit të lartë është bërë 2 vite më parë.

“Si të fiken dritat nuk ka as ujë, ajo dihet. Asnjë llaf s’na kanë thënë deri tani se kur mund të vijnë dritat. Nuk e kuptoj si u rrezuan këto shtylla se nuk ka pasur as ndonjë erë të fortë. Nuk ka dy vite që është bërë linja elektrike e tensioni të lartë dhe me u rrëzuar s’më duket normale”, thotë qytetari.

Prej mëngjesit të së mërkurës, në terren kanë mbërritur punonjësit e Operatorit të Sistemit të Transmetimit të Energjisë Elektrike, të cilët kanë nisur ndërhyrjen për vënien në funksion të linjës së tensionit të lartë dhe rikthimin e energjisë elektrike, punë e cila pritet të zgjasë deri në 1 javë.

Ndërkohë, disa zona të tjera në Lezhë u përballën me mungesë të energjisë për shkak të një avarie në linjën e tensioni të lartë që furnizon nënstacionin elektrik të Rrilës.

“Për shkak të një avarie në linjën e OST 110kV Laç 1 – Fushë-Kuqe, mbrëmjen e djeshme është stakuar energjia në harkun kohor 18:09-18:23 dhe 21:30-22:00 si pasojë e këputjes së përcjellësve, duke lënë pa energji disa nënstacione. Për pasojë, gjatë kësaj kohe kanë mbetur pa energji disa zona në Kurbin.

Prej mbrëmjes së djeshme, ora 22:00, linja e OST-së është rivendosur në punë dhe të gjitha nënstacionet furnizojnë me energji normalisht zonat e prekura nga avaria”, thuhet në njoftimin zyrtar të OSHEE-së.