MENU
klinika

Aleksej dhe Valentina

Losevët ose gjuha e dashurisë ndaj urrejtjes…

28.02.2022 - 18:52

          “Gëzimi për përjetësinë” i Aleksej F. Losev mbledh letrat, që filozofi i madh i dërgoi nga Gulagu, Valentinës, bashkëshortes. Një Ti, nga ku shkëlqen diçka e fuqishme. Aleksej F. Losev (1893-1988) ishte një nga filozofët e mëdhenj rusë të shekullit XX, autor i një krijimtarie të madhe dhe monumentale, të aftë për t’u shtrirë në fusha të ndryshme të dijes./Konica.al

Studiues neoplatonist, i apasionuar pas traditës patristike, i stërvitur në rrymën filozofike postsolovieviana, ai dëgjoi me vëmendje si mësimet e idealizmit gjerman, ashtu edhe ato të Husserlit. Bëri një jetë me humbje. Humbi valixhen me dorëshkrimet e tij në fluturimin e nxituar nga Gjermania në shpërthimin e Luftës së Parë Botërore. Më pas, humbja e nënës dhe arkivave të tij, gjatë Revolucionit. Humbja e lirisë për idealet, humbja e gruas dhe, më pas, thuajse humbja e plotë e shikimit.

“Gëzimi për përjetësinë. Letra nga Gulagu” është korrespondenca e filozofit me të shoqen, në një periudhë dhimbjeje, ndarjeje dhe persekutimi.

Losev u arrestua më 18 prill 1930, sepse në librin e tij  “Dialektika e mitit”, ai kishte sulmuar hapur materializmin historik dhe mitologjinë relative të marksizmit, me fjalët dhe imazhet të formuluara për të kontrolluar mendjet e njerëzve. “Banditë me frakë”, “kanibalë me kësulë”, “peshkaqenët e financës”, nuk ishin vetëm slogane vdekjeprurëse për studiuesin, por tentativa katastrofike për të ndërtuar një botë mitike dhe të re. Demistifikimi i mekanizmave ideologjike të pushtetit sovjetik i kushtoi shtrenjtë filozofit: izolim, pyetësor rraskapitës dhe poshtërues dhe së fundmi, përvoja e natës së arsyetimit dhe jetës në shpellën Gulag. Një shpellë primitive e karakterizuar nga bashkëjetesa e detyruar me të burgosur të tjerë, të detyruar të vuajnë ngacmime dhe dhunë. Imponimet dhe ngadhënjimi i marrëzisë mendore e çuan Losevin rrëzë kolapsit të brendshëm, në buzë të greminës.

“E megjithatë, shpirti im është aq i shqetësuar, në të ka aq shumë vuajtje kafshësh absurde, mungesë gëzimi, butësie, lutjeje, ndihem kaq i braktisur nga Zoti dhe i privuar nga mëshira e tij, sa në fund pyes veten, mos po nxitoj drejt riskut të një katastrofe shpirtërore monstruoze dhe të pariparueshme, i një kolapsi ekzistencial të të gjitha projekteve dhe idealeve të mia më të dashura”. Ç’argumenton filozofi në “krijesa e frikur”, që ndihej si një qen i rrahur, në një moment kaq dramatik në nivel ekzistencial? Nga letrat me të shoqen, fillon e regëtin një dritë e dobët në shpellë. Është shenja e turbullt dhe e largët, por e sigurt për një gëzim të fshehtë dhe të patregueshëm: ai i një Ti. Letrat e të shoqes, të shkruara me zemër në dorë dhe me ëmbëlsinë e një miqësi të thellë, përmbajnë një përtej që flet për plagën e tanishme, duke e dashur atë./Konica.al

Valentina, me të cilën ishte lidhur në martesë nga prifti Pavel Florenskij me Sergiev Posadin, nuk është vetëm nuse, por nënë, bijë, motër shpirti dhe Ti. 

Në ndarjen midis asaj që Zazubrin, do të përcaktonte si copa të vogla të Revolucionit ose fragmente jete të bëra copë e çikë, nga Macrhistoria e pakuptueshme, shkëlqen diçka e fuqishme dhe e papritur. Diçka që nuk e lejon veten të mbyllet dhe është kujtimi i një bekimi. Para dasmës, Losev i kishte dhuruar Valentinës një tekst të shkurtër nga Pavel Florenskij  “Gëzimi i përjetshëm”, si për t’i treguar një bashkim fati, të njëjtin drejtim, një vështrim në të njëjtin intensitet. Dhe kështu Valentina, dhjetë vjet më vonë, në gjendjen e burgosur, i shkruante të shoqit, autorit të  “Filozofisë së emrit”  (1927), se ajo e njihte tashmë forcën dhe origjinën e fjalës: “I dashur, mirëmëngjes! Në këtë moment, këtu te ne, kemi mbrëmje të bukura me yje, i shikoj yjet çdo ditë dhe them me vete, se ndoshta edhe ti po i shikon në të njëjtën kohë. Qielli është i njëjtë për ne, domethënë këtu dhe në Svir, sepse jemi thuajse në të njëjtën gjerësi gjeografike”.

Ëmbëlsia dhe hidhësia, dëshpërimi dhe besimi, pafuqia e mendjes njerëzore përballë mjerimit të gulagëve, dëshira për të mos humbur shpresën: emocionet njerëzore janë të ngatërruara dhe të pleksura, na bëjnë të njihemi me to. Jetës së Losevëve u afrohemi sikur t’i shikojmë nga brima e çelësit, derisa vetë ata të na hapin derën, për të hyrë në humnerën e njerëzimit të tyre të madh./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kur Stalini telefonoi Pastërnakun...

”Le Monde” analizon veprën e Ismail Kadaresë


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit