MENU
klinika

''New York Times''

Madeleine Albright, Putinit: Gabim historik, lufta në Ukrahinë!

24.02.2022 - 19:18

         Nga: Madeleine Albright

Në fillimin e vitit 2000, unë isha zyrtarja e parë e lartë e SHBA-së, që u takua me Vladimir Putinin, në cilësinë e tij të re, si ushtrues i detyrës së presidentit të Rusisë. Në atë kohë, ne në administratën Clinton, nuk dinim shumë për të, veç faktit që ai e kishte nisur karrierën në KGB.

Unë shpresoja që takimi me të do më ndihmonte të kuptoja disi, sesi ai dhe të vlerësoja se çfarë mund të nënkuptonte ngjitja e tij e papritur në pushtet, për marrëdhëniet SHBA-Rusi, që ishin përkeqësuar për shkak të luftës në Çeçeni.

Sapo u ula përballë tij, në një tavoline të vogël, në Kremlin, më bëri menjëherë përshtypje kontrasti midis Vladimir Putinit dhe paraardhësit të tij, Boris Yeltsin. Ndërsa Yeltsinit i pëlqenin shakatë dhe lajkat, Putini fliste pa emocione dhe pa shënime përpara, mbi vendosmërinë e tij për ta ringjallur ekonominë ruse dhe për t’i shtypuar rebelët çeçenë.

Rrugës së kthimit për në SHBA, hodha diku përshtypjet e mia. “Putini është trupvogël dhe me një çehre të zbehtë. Ai është aq i ftohtë, saqë duket gati si zvarranik”- shkrova. Ai pretendonte se e kuptonte, se, pse duhej të binte Muri i Berlinit, por nuk e priste ndarjen e Bashkimit Sovjetik.

“Putin është i turpëruar nga ajo që i ndodhi vendit të tij dhe i vendosur, për t’ia rikthyer madhështinë”- shtova më tej. Muajt ​​e fundit, më është kujtuar ai takim gati 3-orësh me zotin Putin, teksa ai po grumbullonte trupat. në kufi me Ukrahinën fqinje.

Pasi e quajti një trillim shtetësinë ukrahinase, në një fjalim televiziv të çuditshëm, ai firmosi një dekret duke njohur pavarësinë e dy rajoneve të kontrolluara nga separatistët në Ukrahinë dhe dërgoi menjëherë trupat ruse.

Pretendimi revizionist dhe absurd i zotit Putin, se Ukrahina është “krijuar artificialisht, nga Rusia” dhe se, iu grabit perandorisë ruse, është plotësisht në përputhje me botëkuptimin e tij të deformuar. Ç’është më shqetësuese, për mua: Ajo ishte përpjekja e tij, për të krijuar pretekstin për një pushtim në shkallë të gjerë.

Por, nëse e bën këtë, do të ishte një gabim historik.

Gjatë njëzetë viteve që nga koha kur u takuam bashkë, Putini ka ndjekur rrugën e tij, duke hequr dorë nga zhvillimi demokratik, në favor të ndjekjes së modelit të Stalinit. Ai ka grumbulluar rreth vetes, një pushtet maksimal politik dhe ekonomik – duke bashkëvepruar, apo duke e shtypur konkurrencën e mundshme – ndërsa është angazhuar për të rivendosur sferën e dominimit rus përmes pjesëve të dikurshme të ish-Bashkimit Sovjetik.

Ashtu si udhëheqësit e tjerë autoritarë, ai e barazon mirëqenien e tij me atë të kombit dhe opozitën, me tradhtinë.

Putini është i sigurt se, amerikanët pasqyrojnë cinizmin dhe epshin e tij për pushtet dhe se, në një botë ku të gjithë gënjejnë, ai nuk është i detyruar të thotë të vërtetën. Për shkak se beson Që Shtetet e Bashkuara po e dominojnë rajonin e tyre me forcë, mendon se edhe Rusia ka të drejtë të bëjë të njëjtën gjë. Putini, ka synuar për vite me radhë, ta rrisë reputacionin ndërkombëtar të vendit të tij, të zgjerojë fuqinë ushtarake dhe ekonomike të Rusisë, ta dobësojë NATO-n dhe përçajë Evropën, (duke krijuar një hendek midis saj dhe Shteteve të Bashkuara).

Por, Ukrahina dallon nga këto të fundit. Në vend që t’i hapë rrugën Rusisë drejt madhështisë, pushtimi i Ukrahinës, do të sillte poshtërimin e Putinit, duke e izoluar vendin e tij në aspektin diplomatik, duke e dëmtuar rëndë ekonomikisht, si dhe duke e bërë strategjikisht më të cenueshëm përballë një aleance perëndimore, më të fortë dhe më të bashkuar.

Ai ka lëvizur tashmë në këtë drejtim, kur njoftoi të hënën, vendimin për të njohur dy enklavat separatiste në Ukrahinë dhe për të dërguar atje trupat ruse, në cilësinë e “paqerujatësve”. Tani, ai ka kërkuar që Ukrahina, të njohë aneksimin e Krimesë nga Rusia dhe të heqë dorë nga armët e avancuara.

Veprimet e Putinit, kanë shkaktuar vendosjen e shumë sanksioneve nga Perëndimi, ndërsa të tjerat janë gati, në rast se ai nis një sulm në shkallë të gjerë dhe tenton të pushtojë gjithë Ukrahinën. Ky sulm do të shkatërronte jo vetëm ekonominë e vendit të tij, por edhe rrethin e ngushtë të miqve të tij të korruptuar, që nga ana tjetër, mund ta sfidonin udhëheqjen e tij.

E sigurt është se, do të ishte një luftë e përgjakshme dhe katastrofike, që do të gllabërojë shumë burime dhe do t’i kushtojë jo pak viktima, ushtrisë ruse. Nga ana tjetër, do të krijojë një nxitje urgjente që Evropa të pakësojë varësinë e saj të rrezikshme, nga energjia ruse. (Kjo gjë ka nisur tashmë, me lëvizjen e Gjermanisë, për të pezulluar certifikimin e gazsjellësit “Nord Stream 2”).

Një akt i tillë agresioni, do ta nxiste NATO-n, të përforconte ndjeshëm krahun e vet lindor dhe të merrte në konsideratë stacionimin e përhershëm të forcave në shtetet balltike: Poloni dhe Rumani. Mbështetja e fortë nga Perëndimi, do të gjeneronte një rezistencë të ashpër të armatosur nga Ukrahina. Në Kongres, të dyja partitë po diskutojnë mbi një projektligj të ri, që përfshin shtimin e ndihmës në armë vdekjeprurëse për Ukrahinën. Në këtë rast, nuk do të kishim përsëritjen e qëndrimit pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, në vitin 2014. Do të ishte një skenar, që do të kujtonte pushtimit fatkeq të Afganistanit nga Bashkimi Sovjetik, në vitet 1980.

Joe Biden dhe liderët e tjerë perëndimorë, e kanë bërë shumë të qartë këtë gjë. Por edhe nëse Perëndimi do jetë në një farë mënyre, në gjendje ta pengojë zotin Putin nga një luftë gjithëpërfshirëse – gjë që tani, nuk është aspak e sigurt – është e rëndësishme të kujtojmë, se loja e tij e preferuar nuk është shahu, siç supozojnë disa, por xhudo.

Ne duhet të presim që ai të vazhdojë të kërkojë shanse, për të rritur ndikimin e tij dhe për të na goditur në të ardhmen. Do të jetë në dorën e SHBA-së dhe aleatëve të saj, që t’ia mohojnë atij këtë mundësi, përmes një diplomacie të fortë dhe duke rritur mbështetjen ekonomike dhe ushtarake për Ukrahinën.

Edhe pse nga përvoja ime personale, them se Putini, nuk do të pranojë kurrë, se ka bërë ndonjë gabim, ai ka treguar se mund të jetë edhe i durueshëm, sa edhe pragmatik. Po ashtu, ai është i vetëdijshëm se përplasja aktuale, e ka lënë edhe më të varur nga Kina.

Ai e di se Rusia, nuk mund të ecë përpara, pa pasur disa lidhje me Perëndimin. “Sigurisht, më pëlqen ushqimi kinez. Është kënaqësi, të përdorësh shkopinjtë. Por, kjo është thjesht, diçka e parëndësishme. Kina, nuk ka mentalitetin tonë, që është evropian. Rusia, duhet të jetë pjesë e fortë e Perëndimit”- më tha ai, në takimin tonë të parë.

Putin duhet ta dijë, se një Luftë e dytë e Ftohtë, nuk do të shkonte domosdoshmërisht mirë, për Rusinë, madje edhe me armët e saj bërthamore. Aleatët e fortë të SHBA-së, mund të gjenden në gatishmëri, në çdo kontinent. Ndërkohë, miqtë e Putinit përfshijnë njerëz si Bashar Al-Assad, Alexander Lukashenko dhe Kim Jong-un.

Vladimir Putin dhe homologu i tij kinez, Xi Jinping, duan të pretendojnë se, ne, tani po jetojmë në një botë shumëpolare. Ndonëse kjo është e vetëkuptueshme, s’do të thotë se fuqitë e mëdha kanë të drejtë ta copëtojnë botën në sfera ndikimi, siç bënë shekuj më parë, perandoritë koloniale.

Pavarësisht fqinjëve, Ukrahina ka të drejtë të ketë sovranitetin e vet. Në epokën moderne, vendet e mëdha e pranojnë këtë dhe po ashtu, edhe Putini. Ky është mesazhi që nënvizon diplomacia e fundit, e Perëndimit. Ai përcakton edhe ndryshimin, midis një bote të qeverisur nga sundimi i ligjit dhe një bote që nuk i njeh fare këto rregulla.

 

Shënim: Madeleine Albright, ka qenë Sekretare amerikane e Shtetit, në vitet 1997-2001. Ndër librat e saj të fundit, janë “Fashizmi: Një paralajmërim” dhe “Ferri dhe destinacione të tjera”.