Regjisor i ”Pallatit 176”, komedisë që shënoi menjëherë sukses dhe vazhdon të jetë e pëlqyer për të gjitha brezat, Mevlan Shanaj, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të aktorit Anastas Kristofori, i cili, veç të tjerash u bë shumë i njohur për rolin e drejtorit në këtë komedi pikante, simbol i jetës së përditshme dhe mentalitetit në Shqipërinë e viteve ’80-të.
Në një reagim për mediet, Shanaj shprehet se kjo është një humbje për artin në Shqipëri, ndërsa vlerëson se ai ishte një djalë me intelekt dhe fin në krijimin e karaktereve, me një zë të ngrohtë, si dhe tepër modest.
Ky është mesazhi emocionues i tij, për artistin dhe mikun e ndjerë:
”Është një ditë e dhimbshme, ishte një mik shumë i lashtë.
Qysh nga vitet 66 e deri më sot po ikën një vlerë kombëtare, jo vetëm një mik personal.
Anastas Kristofori ishte një aktor tepër i veçantë në Teatrin Popullor që quhej dhe ai deri në fund, ka lënë gjurmë te publiku, por edhe te shoqëria. Një djalë me intelekt dhe shumë fin në krijimin e karaktereve, me një zë të ngrohtë dhe tepër modest.
Tërë këto vite, asnjë nuk dinte se ç’bënte Anastas Kristofori. Ai jetonte në rrugën ”Myslim Shyri”, por modestia e tij, tërheqja e tij i jepte madhështi ndjenjës që kishte për artin më të bukur, atë të aktrimit në skenë.
Prej viteve të tëra, ka punuar me regjisorë të ndryshëm, sidomos me Piro Manin dhe arrinte në publik, por një komunikim më të thjeshtë e ka në “Pallatin 176”, ku unë kam qenë regjisor.
Çdo rol e bënte me seriozitet.
Më kujtohet njëherë, kishte parë diku regjistrimet televizive dhe erdhi i shqetësuar e më tha: A ka mundësi, se kam merak sesi më ka dalë ky monolog. Ishte një bashkëpunëtor shumë i mirë.
Publiku nuk e di, por Anastas Kristofori shquhej për intelekt, ai asnjëherë nuk atakoi të tjerët, por bëri një jetë modeste” – u shpreh ai.