MENU
klinika

Një personazh i pavdekshëm...

Ndahet nga jeta, aktori shumë i dashur për publikun

02.02.2022 - 14:23

         Ndërron jetë në moshën 78-vjeçare, aktori Anastas Kristofori. Aktori u bë shumë popullor dhe po kaq i dashur, nga mbarë publiku shqiptar, sidomos me rolin e tij, ndër më të spikaturit ky, si Perikliu i komedisë së pavdekshme, ”Pallati 176”.

Aktori Anastas Kristofori lindi më 28 nëntor të vitit 1943 në fshatin Vuno të rrethit të Vlorës.

Pas mbarimit të studimeve të larta në Institutin e Lartë të Arteve (Akademia e Arteve) në vitin 1970, filloi punën me Trupën Profesioniste të Teatrit Popullor (Teatri Kombëtar) në vitin 1971.

Të shumta do të jenë rolet e tij, në skenën e këtij teatri.

Këtu mund të përmendim rolin e zotit Dëllfit në dramën “Arturo Ui” të Bertold Brehtit, roli i sekretarit të Prefektit në dramën “Prefekti” e Besim Levonjës, rolin e Apostolit në dramën “Komunistët” e Ruzhdi Pulahës, rolin e Perikliut në komedinë “Pallati 176” e Adelina Balashit e shumë të tjera.

Roli i tij më i fundit do të jetë në vitin 2009 në teledramën “Burgjet plot, liria në derë”.

Në kinematografi roli i tij i parë ishte në vitin 1976 roli i Stavrit, Ekonomatit të Strehës Vorfnore në filmin “Lulëkuqet mbi mure”, më tej do të vazhdonin edhe role të tjera, si psh: roli i Ndoc Markut në filmin “Besa e kuqe” në vitin 1982, rolin e z. Antonio, Kuestorit të Tiranës në filmin “Vendimi” në vitin 1984, rolin e z. Mavrojanis në filmin “Misioni përtej detit” në vitin 1988 etj. Roli i tij më i fundit, do të jetë roli i Perikliut në kinodramën “Po vjen Ai” në vitin 1998, një vazhdim televiziv i komedisë së njohur “Pallati 176” i Adelina Balashit.

Për meritat e tij artistike, Anastas Kristofori është vlerësuar me titullin e lartë “Artist i Merituar”.