MENU
klinika

Sulm ndaj aeroporteve dhe bazat ushtarake

Nis lufta në Ukrainë, Rusia sulmon me raketa Kievin!

24.02.2022 - 08:58

Lufta në Ukrainë ka nisur. Mediat ndërkombëtare raportojnë se në orët e para të mëngjesit sulmi i Rusisë ka nisur dhe raketat janë lëshuar në kryeqytetin Kiev dhe qytetet e tjera të vendit. Trupat ushtarake ruse janë parë në bregun jugor të Ukrinës duke kaluar kufirin.

Separatistët e mbështetur nga Rusia në Donetsk të Ukrainës kanë nisur sulme në shkallë të gjerë kundër forcave ukrainase përgjatë vijës së kontaktit. Sulmet me raketa kanë nisur në Kiev dhe menjëherë kanë nisur sirenat. Raketat janë lëshuar edhe drejt avionëve luftarakë ukrainas në një aeroport jashtë qytetit.

Gazetari i medias ndërkombëtare Guardian, Luke Harding, i cili ndodhet në Kiev, tha se shpërthime janë raportuar në të gjithë vendin, duke përfshirë në Kiev, Kharkiv, Mariupol, Dnipro, Odessa, Slavayansk dhe Kramatorsk. Dy shpërthime të mëdha u raportuan se u dëgjuan nga qyteti i Mariupol njëra pas tjetrës.

Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës tha se Rusia filloi bombardimet intensive të njësive ushtarake ukrainase në lindje, si dhe qendrave të kontrollit ushtarak dhe fushave ajrore.

Ndërkohë, Presidenti i Ukrainës Zelenskiy mbajti një fjalim urgjent kombëtar këtë mëngjes, duke futur në fuqi ligjin ushtarak ndërsa u bëri thirrje njerëzve të qëndrojnë të qetë. Ai shtoi se kishte folur me presidentin amerikan Joe Biden. “Ushtria funksionon. Unë do të jem me ju gjatë gjithë kohës. Qëndroni të fortë. Ne do të fitojmë sepse jemi Ukraina. Lavdi Ukrainës”, tha Zelensky.

Zyrtarët ukrainas thonë se trupat ruse kanë zbarkuar në Odessa, ndërsa të tjerët po kalojnë kufirin për në Kharkiv. Ministria e Brendshme e Ukrainës e bëri njoftimin në Telegram , duke shtuar se sulmet me raketa kanë në shënjestër avionët luftarakë ukrainas në një aeroport jashtë Kievit.

Shërbimi i emergjencave shtetërore thotë se sulmet janë nisur kundër 10 rajoneve të Ukrainës, kryesisht në lindje dhe jug të vendit. Zëvendësministri i Brendshëm i Ukrainës, Anton Gerashchenko, ka konfirmuar gjithashtu se një pushtim rus ka filluar.

Pushtimi ka filluar. Sapo ka pasur raketa në selinë ushtarake, aeroportet, magazinat ushtarake, pranë Kievit, Kharkiv, Dnieper.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


SHBA apel qytetarëve amerikanë

“Duhet të lini menjëherë Ukrainën!”

Forcat ruse po grumbullohen në kufirin e Ukrainës...

“Putini po luan me zjarrin”!