Historia me tenisti serb Novak Djokovic mund të përsëritet edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas asaj që ndodhi në Australi. Numri 1 në botë për meshkuj është regjistruar në turneun Masters të Indian Wells (nis më 10 mars në Amerikë), por prania e tij aty është e paqartë.
Shkak është vaksina, të cilën Djokovic nuk e ka kryer, çka solli edhe përjashtimin e tij nga Australia, pak orë para fillimit të grand slam-it. Turneu i Indian Wells ka publikuar një njoftim se për të marrë pjesë duhet që tenistët të kenë kryer vaksinën.
Për pasojë, ai mund të mos lejohet të luajë në këtë turne Masters, pasi ende nuk është vaksinuar. Edhe mjaft turne të tjerë Masters apo grand slam e kanë bërë të detyrueshëm kryerjen e vaksinës, ndaj karriera e Djokovic është në dilemë. Ai rrezikon të humbasë edhe kreun e renditjes botërore.