MENU
klinika

Analiza

Ku do të pozicionohet Olaf Scholz, në zgjidhjen e krizës

09.02.2022 - 12:21

Uashington, Berlin, Kiev, Moskë – Kancelari gjerman po bën një ofensivë diplomatike. Por nuk e ka të lehtë. Scholz është i ri në detyrë dhe ka shumë “mirëkuptues të Rusisë” në partinë e vet.

I matur, pragmatik – dhe me qetësi, kështu e bën politikën Olaf Scholz. Në javët e fundit ndoshta edhe më qetë se ç’pritej. Brenda vendit kancelari ka pësuar rënie në sondazhe, kurse në planin ndërkombëtar ai është kritikuar se nuk ka marrë një pozicion të qartë në krizën e Ukrainës. Kritika kryesore ka të bëjë me refuzimin e Gjermanisë për të dërguar armë në Ukrainë. Të njëjtin qëndrim e ka mbajtur edhe kancelarja e mëparshme, Angela Merkel, dhe ai nuk u prit mirë. Sepse tekefundit, armëbërësit gjermanë kanë vite që bëjnë biznes të mirë me Egjiptin, Izraelin dhe kurdët. Përse jo me Ukrainën?

Kritika e dytë kishte të bënte me faktin që qeveria federale u përpoq për një kohë të gjatë ta linte jashtë listës së sanksioneve ndaj Rusisë gazsjellësin Nord Stream 2, i cili nuk ka hyrë ende në punë. Tubacioni që kalon nëpërmjet Detit Baltik nga Rusia në Gjermani është një “projekt i sektorit privat” dhe “plotësisht apolitik”, tha Olaf Scholz në dhjetor.

Kancelari i nervozuar?

Pyetja erdhi nga SHBA-të: A është Gjermania ende një aleat i besueshëm? Kjo është “marrëzi”, tha me një ton relativisht të ashpër Scholz, në një intervistë për kanalin amerikan të lajmeve, CNN, të hënën në Uashington, pas bisedës me Presidentin amerikan, Joe Biden. Kancelari gjerman duket pak i nervozuar që perceptimi i publikut ndryshon kaq shumë nga mënyra sesi ai dhe këshilltarët e tij e shohin dhe planifikojnë situatën.

Zyra e kancelarit thotë se ka javë që po bëhet një punë e madhe në sfond për të gjetur një zgjidhje paqësore të krizës në Ukrainë. Përveç kësaj, ka një koordinim të vazhdueshëm me partnerët evropianë dhe transatlantikë për atë se çfarë duhet të ndodhë në rast të një përshkallëzimi të mëtejshëm. “Po bëjmë përgatitje intensive për të vendosur sanksionet e duhura në rast të një agresioni ushtarak kundër Ukrainës”, tha kancelari në Uashington.

Vladimir, duhet të flasim!

Përse nuk e dëgjon këtë publiku? A ka ndonjë gabim në komunikim? “Kjo qeveri federale është e pafat, sepse sapo mori detyrën shpërtheu kriza e madhe transatlantike, euro-atlantike,” thotë Wolfgang Ischinger, kryetari i Konferencës së Sigurisë së Mynihut.

Vetëm pak ditë më parë, edhe Ischingeri e kishte kritikuar qeverinë e re federale për politikën e saj në Ukrainë. Tani e mbron. “Duhet respektuar edhe fakti që kancelari Scholz, i cili kurrë më parë nuk ka pasur një takim personal si kancelar me Vladimir Putinin apo Joe Bidenin, nuk mund ta thërrasë Putinin në telefon, siç mund ta bëjë Emmanuel Macron, e t’i thotë: Vladimir, duhet të flasim!”

Javë diplomatike

Presidenti francez kaloi pesë orë duke negociuar me Presidentin rus në Moskë të hënën, më pas fluturoi për në Kiev për të takuar presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, dhe më pas u kthye në Berlin. Të martën në mbrëmje ai u konsultua aty me Olaf Scholz dhe presidentin polak, Andrzej Duda. Trekëndëshi i Vajmarit, kështu quhet formati i bisedimeve midis tre vendeve, ekziston prej 30 vitesh, por pas një pauze shumë të gjatë e raktivizoi kancelari Scholz.

Olaf Scholz po përdor një ofensivë diplomatike për të dalë nga ky qëndrim defensiv. Pas Uashingtonit, ai ka në plan të vizitojë Kievin dhe Moskën, në datat 14 dhe 15 shkurt. Deri atëherë do të ketë shumë vizita në Berlin: Pas trekëndëshit të Vajmarit, të mërkurën pritet kreu i qeverisë daneze, të enjten krerët e qeverive të Estonisë, Lituanisë dhe Letonisë. Vendet baltike janë në të njëjtën linjë si Polonia sa i përket marshimit të trupave ruse. “Jemi në situatën më të vështirë që nga viti 1989”, tha Andrzej Duda të martën në mbrëmje në Berlin.

Çfarë do të bëhet me Nord Stream 2?

Vendet e Evropës Lindore po bëhen gjithnjë e më nervoze për ato që Duda i quan dislokime “të paprecedentë” të trupave ruse. Ata kërkojnë një linjë më të ashpër ndaj Moskës dhe më shumë presion mbi të. “Ne kemi nevojë për unitet dhe solidaritet dhe nuk duhet të bëjmë asnjë hap prapa dhe besoj se i kemi mjetet e nevojshme”.

Një mjet, edhe në sytë e polakëve, është Nord Stream. Tubacioni i dyfishtë i gazit lidh Rusinë me Gjermaninë përmes Detit Baltik. Nord Stream 2 ka përfunduar, por nuk është ende funksional. “Nëse Rusia shkel kufirin me Ukrainën me tanke dhe trupa, për shembull, Nord Stream 2 nuk do të ekzistojë më”, tha prerazi presidenti amerikan Biden të hënën. Kancelari Scholz që qëndronte pranë tij, as që e zuri në gojë “Nord Stream 2”.

Shumë mirëkuptues të Rusisë në SPD

Ngurrimi nuk është rastësi. Scholz ndodhet në dilemë me partinë e tij, SPD-ja, e cila tradicionalisht ka një mirëkuptim të gjerë për Rusinë. Politikanët e SPD-së nga shtetet federale të Gjermanisë Lindore priren të ndjekin interesa të politikës ekonomike që bazohen në lidhjet e vjetra nga epoka e RDGJ.

Nord Stream 2 përfundon në landin Mecklenburg-Vorpommern. Kryeministrja socialdemokrate e shtetit federal verilindor, Manuela Schwesig, është përpjekur prej vitesh të sigurojë ndërtimin e gazsjellësit, duke qenë kështu në të njëjtën linjë me anëtarin e partisë së saj dhe ish-kancelarin Gerhard Schröder, një mik personal ky i Vladimir Putinit.

Ish-kancelari në biznesin e gazit

Schröder kaloi në biznesin rus të gazit menjëherë pas humbjes së zgjedhjeve federale të vitit 2005. Ai është Kryetar i Komitetit të Aksionarëve të Nord Stream dhe Kryetar i Bordit të Drejtorëve të Nord Stream 2, si dhe kreu i bordit mbikëqyrës në kompaninë shtetërore ruse të energjisë Rosneft. Schröder u emërua së fundmi edhe si anëtar në bordin mbikëqyrës të Gazprom-it rus.

Roderich Kiesewetter, deputet i Unionit Kristiandemokrat (CDU), mendon se kjo lëvizije nuk është rastësi: “Ajo duhet parë si një përpjekje e Rusisë për të ndarë pozicionin e qeverisë gjermane për ta hequr Nord Stream 2 nga lista e sanksioneve të mundshme dhe për të diskredituar kështu Gjermaninë në tërësi”.

“Unë jam kancelari!”

Kancelari Olaf Scholz i kundërshton me forcë akuza të tilla. Në Uashington, ai i tha CNN për ish-kancelarin socialdemokrat, “Ai nuk flet për qeverinë. Ai nuk punon për qeverinë. Ai nuk është qeveria. Unë jam kancelar tani dhe politikat e Gjermanisë janë ato që dëgjoni nga unë.”

Megjithatë, kur bëhet fjalë për sanksionet, këto strategji mbeten të paqarta. Kancelari Scholz nuk premton ta thotë kurrsesi se a do të heqë dorë Gjermania nga Nord Stream 2 në rast invazioni apo jo. Ai e arsyetoi këtë duke thënë se Gjermania nuk dëshiron të dëmtojë rolin e saj si ndërmjetëse dhe, sipas Scholz, nuk do t’i hapë të gjitha kartat mbi tryezë, sepse është e nevojshme që Rusia të kuptojë se pasojat mund të jenë shumë më të mëdha se ç’mendon ajo tani.”/DW

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga Russian Today/ "Për Nord Stream 2 Qeveria gjermane është e gatshme të..."

A ka një marrëveshje midis Gjermanisë dhe SHBA?