MENU
klinika

Tomori, Shpiragu dhe zana e bukur

Pa biletë, për të parë kalanë e legjendës!

11.02.2022 - 17:21

        Kalaja e Beratit, që daton para Krishtit, njihet si në një nga zonat më të bukura jo vetëm të qytetit, por gjithë Shqipërinë. Ndërsa, turistë shqiptarë dhe të huaj, mund të shijojnë ambientet brenda saj, pa biletë hyrëse.

Ministrja e Kulturës, Margariti, bëri të ditur ditën e sotme, se kalaja e Beratit do të vizitohet pa biletë. Duke u shprehur sakaq, se vendimi për heqjen e tarifës hyrëse erdhi pas shqetësimit të ngritur nga banorët e qytetit.

“Duke iu përgjigjur shqetësimit të banorëve të Beratit, vendosëm të heqim biletën hyrëse në Kala. Tanimë, turistë shqiptarë e të huaj, mund të shijojnë vizitat në një nga zonat më të bukura jo vetëm të qytetit, por gjithë Shqipërinë” – deklaroi, ministrja.

Kalaja e Beratit, një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, një fortesë e madhe që sundon mbi lumin Osum. Kalaja është ngritur sipas një plani në formë trekëndëshi. Parë nga poshtë, kalaja duket si pjesë e kodrës.

Kulla e hyrjes së brendshme është e bërë nga blloqe guri, që u përkasin fortifikimeve ilire, ndërtuar në shekujt IV-II para Krishtit. Maja e kodrës është e rrethuar me një mur të jashtëm periferik me 24 kulla.

Në brendësi, kalaja mban rreth 14 kisha, falë të cilave u bë mjaft e dëgjuar fortesa e hershme.

Dhe legjenda thotë…

Mijëra e mijëra vjet më parë jetonte një Zanë shumë e bukur. Një ditë ajo u takua me dy vëllezër viganë, Tomorin dhe Shpiragun.

Sikurse ndodh shumë herë ndër legjenda dhe shpesh në të vërtetë, të dy vëllezërit ranë në dashuri me Zanën e bukur. Kaq fort ua trazoi zemrat të dy vëllezërve dhe kaq thellë u hyri grindja për të, sa që shpërtheu lufta vëllavrasëse.

Tomori, duke patur një shpatë të shkëlqyeshme, i ra vëllait të vet më të vogël brinjëve, ndërsa ky i fundit, i armatosur me një topuz shumë të rëndë, iu turr me furi duke e goditur sa mundet më fort.

Zoti, që shihte çdo gjë, u trishtua dhe u zëmërua prej pamjes aq të dhimbshme, grindjes aq të përgjakshme midis vëllezërve. Ata duheshin ndëshkuar për këtë mënxyrë që shkaktuan. Prandaj, Ai i ktheu fajtorët në gur dhe i dënoi të mbajnë ndër shekuj në trup gjurmët e këtij luftimi të tmerrshëm.

Që nga ajo kohë e lashtë e deri sot vëllai i madh, Tomori, i tregon diellit hapësirat e veta gropa – gropa dhe plasa të panumërta. Ndërsa, vëllait të vogël, Shpiragut, kushdo që kalon në këto treva, i sheh brinjët e coptuara e të thelluara vija-vija.

Shkaktarja e kësaj mënxyre, Zana e bukur hirëplotë, nuk duhej t’i shpëtonte zëmërimit të Zotit, ndaj Ai e ktheu në një kodrinëzë shkëmbore, mbi të cilën një ditë filluan të vendosen gurë mbi gurë dhe u ndërtua një kështjellë e madhe, e bukur, që qendron edhe sot madhështore mbi qytetin e Beratit.