Partia Demokratike ka kërkuar nga KQZ verifikimin sipas ligjit të dekiriminalizimit të kandidatit të “Shtëpisë së Lirisë” në Lushnje, Elton Bano.
PD pretendon se ka të dhëna se Bano ka fshehur një dënim për vjedhje në Britani të Madhe.
“Sipas informacioneve të verifikuara në rrugë konfidenciale nga Partia Demokratike, rezulton se shtetasi Elton Ilir Bano, i datëlindjes 24.07.1978 ka qenë i proceduar dhe i dënuar në Britaninë e Madhe për kryerjen e veprës penale të vjedhjes, në periudhën 1998-2000.”- thuhet në kërkesën e PD drejtuar KQZ-së.
PD thekson se këto të dhëna janë fshehur qëllimisht në deklarimin e kandidatit, një fakt që sjell përjashtimin e menjëhershëm të tij. “Fshehja e këtyre të dhënave ka qenë me qëllim për të penguar institucionet të kryejnë verifikimin.”-thuhet ndër të tjera në kërkesën e PD.