Pas 4 orësh bisedimesh negociatat mes delegacioneve ukrainase dhe ruse kanë përfunduar.
Këshilltari i kreut të zyrës së Presidentit Ukrainas, Volodymyr Zelensky, Mykhailo Podolyak tha se delegacionet ruse dhe ukrainase do të udhëtojnë në kryeqytetet e tyre për konsultime përpara një raundi të ri negociatash.
Sipas mediave të huaja mësohet se gjatë takimit palët kanë biseduar për një sërë temash, kryesisht është folur në lidhje me armëpushimin në Ukrainë.
“Delegacionet ruse dhe ukrainase do të udhëtojnë në kryeqytetet e tyre për konsultime përpara një raundi të ri negociatash. Palët kanë identifikuar një sërë temash prioritare për të cilat janë përcaktuar vendime të caktuara. Qëllimi kryesor i bisedimeve të sotme ishte diskutimi i armëpushimit në Ukrainë,”, raportohet të ketë thënë ai.
Zyra e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky ka kërkuar tërheqjen e të gjitha trupave ruse, përfshirë nga Krimea dhe Donbasi, në bisedimet e paqes në Bjellorusi.
Takimi mes dy delegacioneve u zhvillua në Bjellorusi dhe zgjati rreth katër orë.