MENU
klinika

Mes tyre edhe Shqipëria/ Për çfarë bëhet fjalë?

SHBA dhe 8 vende të tjera kanënjë kërkesë për Këshillin e Sigurimit të OKB

06.02.2022 - 11:15

SHBA dhe tetë vende të tjera, mes tyre edhe Shqipëria i kanë bërë thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të dënojë testet e fundit të raketave të Koresë së Veriut.

Deklarata u nënshkrua nga përfaqësuesit e OKB-së nga tetë vende të tjera anëtare të OKB-së – Shqipëria, Brazili, Britania, Franca, Irlanda, Japonia, Norvegjia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, raportojnë mediat e huaja, duke cituar deklaratën e ambasadores së SHBA në OKB.

Ata vunë në dukje se lëshimi i kësaj rakete shënoi testin me rrezen më të gjatë të kryer nga Koreja e Veriut që nga fundi i vitit 2017, duke shtuar gjithashtu se Pheniani deri më tani ka lëshuar nëntë raketa balistike në shtatë raundet e testeve të raketave këtë vit.

“Lansimi i një rakete balistike me rreze të mesme veprimi (IRBM) nga Koreja e Veriut më 30 janar është një përshkallëzim i rëndësishëm në shkelje të rezolutave të shumta të Këshillit të Sigurimit dhe synon të destabilizojë më tej rajonin. Ne e dënojmë këtë veprim të paligjshëm me termat më të ashpër”, tha në një deklaratë të përbashkët ambasadorja e SHBA në OKB Linda Thomas-Greenfield.

“Nëntë raketat balistike të lëshuara në janar janë numri më i madh i lëshimeve që Koreja e Veriut ka kryer në një muaj të vetëm në historinë e programeve të saj të armëve luftarake dhe raketave balistike”, thanë ata në deklaratën e tyre të përbashkët.

“Ne u bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të Këshillit që të flasin me një zë për të dënuar këto akte të rrezikshme dhe të paligjshme”, shtuan ata.

Takimi i së premtes shënoi përpjekjen e dytë të SHBA-së dhe vendeve të tjera për të kërkuar llogari nga Koreja e Veriut për serinë e saj të fundit të lëshimeve të raketave, raportoi të shtunën Agjencia e Lajmeve Yonhap.

Koreja e Veriut organizoi raundin e shtatë dhe të fundit të lëshimit të raketave të vitit më 30 janar.