MENU
klinika

Historia përsëritet...

”Shoku” global i naftës më ’73 dhe ’79: Si u godit Shqipëria?

04.02.2022 - 17:54

        Pasojat e zhvillimeve globale kanë ndikuar gjithnjë në Shqipëri, pavarësisht shkallës së integrimit ekonomik që vendi ka pasur me botën. Në listën e gjatë të ndikimeve, veç ‘Depresionit të Madh’ të viteve ’30, në ekonominë shqiptare kanë pasur ndikim negativ edhe ato që njihen si ‘Krizat e Naftës’ të viteve ’70. Këto pasoja rritën me tej barrën në ekonominë shqiptare e cila po vuante edhe nga dështimi i modelit ekonomik por edhe nga ideologjia frenuese për të ndërmarrë hapa energjikë reformues dhe riorientues.

Kriza e parë e naftës në vitin 1973
Në Tetorin i viti 1973 shtetet e OPEC-ut ndaluan eksportimin e naftës në SHBA dhe në shtetet e tjera të perëndimit. Ky veprim u ndërmor në formën e një reagimi dënues ndaj atyre që mbështesnin Izraelin në luftën me Sirinë dhe Egjiptin.

Si pasojë e kësaj embargoje, çmimi i naftës u rrit ndjeshëm. Kjo i detyroi Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të mendonin për çmimin e energjisë dhe të shumë produkteve e shërbimeve tjera që lidheshin me naftën, për të cilat deri në atë vit nuk kishte pasur probleme.

Nga ana tjetër, kjo embargo shërbeu për të kuptuar peshën që shtetet arabe kishin në botë, duke pasur si levë ndikimi naftën që prodhonin. Kjo embargo që nisi në tetorin e vitit 1973, zgjati deri në marsin e vitit 1974. Kriza shkaktoi ngritjen e çmimit të naftës dhe mungesën e saj ndërsa në SHBA konsumi u ul me 20 %.

Ky zhvillim dha një efekt zinxhir në shumë industri që lidheshin direkt me naftën. Në këtë mënyrë, u nis të mendohej për burime alternative të prodhimit të energjisë.

Pas 5 muajve bllokim, shtetet e OPEC iu rikthyen ekportit të naftës në vendet e perëndimit por me çmime më të larta. Në afatgjatë, ndikimet e këtij veprimi u ndjenë në të gjithë botën pasi prodhuan recesion ekonomik, papunësi të lartë dhe inflacion të lartë mbi 10 %.

Kjo në fakt, shërbeu për të krijuar te bizneset mentalitetin e përdorimit sa më pak të naftës dhe mbrojtjes së ambientit.

Kriza e dytë, apo ‘shoku’ i naftës

Në vitin 1979 shpërtheu ajo që njihet si kriza ose ‘shoku’ i dytë i naftës.

Kjo krizë zgjati rreth 2 vite dhe kaloi në 2 faza. Faza e parë u shpalos në vitin 1979, pasi protestat masive kundër regjimit të Shahut të Iranit sollën një ndalim të plotë të industrisë së naftës të këtij vendi që ishte prodhuesi i dytë i naftës në OPEC, pas Arabisë Saudite.

Ndërkohë, faza e dytë ishte në vjeshtën e vitit 1980 dhe u shkaktua nga shpërthimi i Luftës mes Iranit dhe Irakut duke ulur në këtë mënyrë prodhimin e naftës. Kjo gjë shkaktoi panik në tregje dhe solli një rritje të fortë të çmimeve.

Kjo krizë u shoqërua edhe nga bllokimi i kanaleve të furnizimit të naftës në botë dhe vetëm në tetorin e vitit 1981, si rezultat i rritjes së prodhimit të naftës nga Arabia Saudite, u arrit të ulej çmimi i naftës, duke shënuar në këtë mënyrë fundin e krizës.

Shqipëria dhe pasojat e krizave të naftës

Por si ndikuan këto kriza në ekonominë shqiptare? Kjo analizohet në librin “Ekonomia e Shqipërisë në rrjedhat e historisë të shekullit të ‘20” me autor profesorin e njohur të ekonomisë, Hasan Banja.

Në studimin e tij, profesor Banja evidenton se në përkeqësimin e situatës ekonomike të Shqipërisë në vitet ’80, ndikim të madh ka pasur edhe konjuktura ndërkombëtare dhe jo vetëm zhvillimet e brendshme. Sipas profesorit të njohur, ndikimi u shpreh me rënien e çmimeve të lëndëve të para që dëmtonin ndjeshëm interesat ekonomike e financiare të vendeve në zhvillim.

“Në fillim të viteve 1970 çmimet e mineraleve që eksportoheshin ishin në përgjithësi të larta. Por në vitin 1973 dhe në vitin 1979 ekonomia botërore u godit nga dy kriza të naftës të cilat sollën rritjen e çmimit të saj nga vendet e OPEC për shkak të ngjarjeve që ndodhën në Lindjen e Mesme, që janë dhe prodhuesit kryesorë të naftës në botë.

Në mënyrë të veçantë, rritje e ndjeshme e çmimit të naftës u shënua në krizën e vitit 1979.

Kjo krizë solli si pasojë edhe rënien e çmimeve të eksporteve të vendeve me pak të zhvilluara ose në zhvillim. Një dukuri e tillë e dëmshme preku edhe eksportet shqiptare” shkruhet në studim.

E sikur të mos mjaftonte kjo, edhe prodhimi vendas i naftës në fillimin e viteve ’80 njohu një rënie të fortë duke u përgjysmuar nga 2.5 milionë ton në vit në më pak se 1 milionë ton në vit.

Në këtë periudhë, vendi përballej me mosrealizimet e planeve ekonomike, me prapambetjen e bujqësisë dhe me defiçite të ndjeshme në naftë, në energji elektrike dhe me rënie të fortë të eksporteve si dhe me përkeqësimin e ndjeshëm të kushteve të këmbimit në tregtinë e jashtme duke pasur si pasojë përkeqësimin e fortë të bilancit tregtar dhe të bilancit valutor të vendit.

Forcimi i “Regjimit të Kursimit”! Masat e ngutshme për kursimin e karburanteve

Në vitet ’60, kur Shqipëria u shkëput nga Bashkimi Sovjetik, u përball me një krizë të forta, deri në pikën sa i mungonte drithi për popullatën. E nga ky ‘leksion’ Shqipëria nisi një fushatë kombëtare kursimi, që u emërtua si “Regjimi i Kursimit”. Kjo politikë ekonomike u ashpërsua ndjeshëm gjatë krizës.

Këshilli i Ministrave miratoi në vitin 1979 vendimin për kursimin e karburanteve dhe lëndëve të tjera djegëse.

Vendimi përcaktonte detyrimin për Ministrinë e Komunikacionit dhe për Universitetin e Tiranës që të përcaktojnë menjëherë llojet e pajisjeve për kursimin e karburanteve që duhej të vendoseshin menjëherë në mjetet me benzinë (kamionë, kamionçinë, vetura etj.)

Po ashtu, vendimi përacaktonte detyrimin që të pakësohej me 20% normativa mujore e harxhimit të benzinës për autovetura.

Gjithashtu, vendimi përcaktonte detyrimin e marrjes së masave që mjetet të kontrolloheshin çdo muaj nga ana teknike lidhur me harxhimin e karburantit dhe kur rezultonte se harxhohej mbi normativat e caktuara, atëhere mjetet duhej të hiqeshin nga puna derisa të riktheheshin në gjendje teknike të mirë.

Po ashtu, në atë periudhë u vendos edhe detyrimi që Ministritë dhe institucionet e tjera qendrore të kryenin një studim për të zëvëndësuar transportin automobilistik të mallrave me mjete të tjera që sillnin më shumë leverdi ekonomike.

Po ashtu u vunë rregulla të forta, për karburantin që përdorej në bujqësi nga traktorët.

 

Nga: Kreshnik Kuçaj, për ”Scan”

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Delegatët e parlamentit të kohës

”Tirana është kryeqyteti i Shqipërisë”