MENU
klinika

Pushtimi i Ukrainës është afër...

Si operon ushtria ruse në kushte ekstreme të motit?

08.02.2022 - 12:42

Edhe në shekullin e 21-të, lufta mund të ndikohet nga kushtet klimaterike dhe kjo mund të jetë një faktor kyç në çdo ofensivë që Rusia pretendon të ndërmarrë në Ukrainë.

Por lind pyetja: A ka ardhur Rarputitsa më herët?

Rasputitsa është termi që përdoret për tiu referuar baltës së pranverës, kur udhëtimi në Rusi dhe Ukrainë në rrugë tokësore bëhet më i vështirë. Zakonisht ndikimi i saj ndihet më shumë në muajin mars, pasi bora fillon të shkrihet. Deri më tani, ky dimër ka qenë jashtëzakonisht i butë në pjesën më të madhe të Ukrainës.

Ndërsa CNN udhëtonte me makinë nga qyteti lindor i Mariupolit për në Zaporizhzia në Ukrainën qendrore më 1 shkurt, filloi të binte shi. Shoferi ngriti supet me mosbesim. “Duhet të jetë borë,” tha ai. Në Zaporizhzia, bora po shkrihet. Edhe në mesnatë, ndërsa mjegulla shtrihej mbi lumin Dnieper, temperaturat ishin nën zero. Dhe më pas filloi të binte sërish shi.

Analistët ushtarakë po debatojnë nëse zgjatja e dimrit të butë mund të ndikojë në planet për pushtim. Kremlini ka mohuar vazhdimisht se pretendon të sulmojë Ukrainën, por më shumë se 100,000 trupa ruse janë vendosur pranë kufijve të Ukrainës, së bashku me armë të rënda, tanke dhe raketa balistike, shkruan abcnews.al

Në videot e postuara në mediat sociale, në disa zona ku janë vendosur forcat ruse shihet toka e cila është e mbuluar nga balta. Të dhënat nga Copernicus, programi i BE-së për Vëzhgimin e Tokës, tregojnë se në pjesën më të madhe të Europës Lindore temperaturat ishin mbi mesataren në janar.

Temperaturat në Ukrainë ishin nga 1 deri në 3 gradë Celsius më të larta se mesatarja e 30 viteve të fundit, një nga shumë ndryshimet që ka sjellë kriza klimatike në këtë rajon. Copernicus vëren gjithashtu se në janar, “Toka në Europën Lindore ishte kryesisht më lagësht se normalja. Kombinimi do të thotë më pak acar dhe më shumë baltë.

Kjo nuk është befasi për Svitlana Krakovska, shefe e Laboratorit të Klimatologjisë në Institutin Hidrometeorologjik të Ukrainës në Kiev.

“Ajo që ne po shohim në një trajektore afatgjatë është ulja e ditëve me dëbore si dhe netëve me ngrica, tha ajo për CNN.

SHBA-ja vlerëson se një inkursion rus do të ishte më i lehtë nëse temperaturat do të shënonin ulje.

“Presidenti rus Vladimir Putin do të duhet të presë pak derisa toka të ngrijë në mënyrë që ushtria të mund të kalojë,” tha Presidenti i SHBA Joe Biden në një konferencë për shtyp muajin e kaluar.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se Putin do ta kuptojë nëse duhet të pushtojë ose jo vendin në fund të marsit. Por Dara Massicot, një studiuese e politikave në Korporatën RAND, thotë se “ndonëse toka e ngrirë do të ishte një anë pozitive për forcat ruse, nuk është një faktor përcaktues. Është e rëndësishme të kemi parasysh se raketat e me rreze të shkurtër dhe sulmet ajrore nuk ndikohen nga ky faktor”.

Forcat ruse janë përmirësuar ndjeshëm gjatë dekadës së fundit, thotë Massicot. Forcat ajrore kanë fituar shënjestrim dhe komunikim më të mirë dhe shumë nga pilotët e saj kanë fituar përvojë luftarake në Siri. Tanket ruse, qindra prej të cilave tani ndodhen brenda kufirit të Ukrainës, nuk pengohen më nga tokat me baltë.

Massicot ka vënë në dukje se Rusia po përdor mjete logjistike për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve të tilla, shkruan abcnews.al

Kushtet e tokës kanë rëndësi për disa vende. Ukraina Lindore ka më shumë toka bujqësore, vend ideal për tanket. Por kufiri verior me Bjellorusinë përfshin mijëra kilometra katrorë moçal që do të pengonte forcat sulmuese (siç bënë nazistët në 1941 gjatë Operacionit Barbarossa.)

Por kjo sigurisht varet nga lloji dhe shkalla e operacionit ushtarak që Rusia mund të ketë menduar. Në fazat e hershme të një konflikti, sulmet ajrore dhe raketore do të ishin më të rëndësishme sesa një rritje e njësive të mekanizuara.

Rusia ka zhvendosur një numër të konsiderueshëm raketash balistike Iskander, të cilat kanë një rreze prej rreth 300 milje afër Ukrainës gjatë muajit të fundit. Në lindje, pozicionet e vijës së parë të Ukrainës nuk kanë lëvizur prej vitesh; raketat dhe artileria me rreze të gjatë mund t’i shënjestrojnë ato pavarësisht nga moti.Avionët luftarakë, të cilët do të kishin për detyrë të sulmonin njësitë ukrainase në lëvizje, do të kishin nevojë për një mot të mirë.

Por kjo është një thikë me dy presa.

Qielli i mbuluar nga retë do ti lejonte rusët të lëviznin trupat pa u dalluar nga të tjerët. Nëse Kremlini vendos të sulmojë, do të ishte pozitive fillimisht një mot i keq i ndjekur më pas nga një qiell i kthjellët pasi të kryhen operacionet. Moti i mirë do të kishte rëndësi edhe për ukrainasit. Ukrainasit në raste të tilla do të kërkonin mbrojtjen ajrore të SHBA-së dhe NATO-s për të penguar përparimin rus, raporton abcnews.al

Natyrisht, kushtet e motit nuk janë konsiderata e vetme, as e rëndësishme për Kremlinin. Përparimi (ose mungesa) e negociatave mbi kërkesat e publikuara të Rusisë dërguar SHBA-së dhe NATO-s ka të ngjarë të jenë faktori vendimtar.

Krakovska, një autore e raportit të Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike, thotë se ekziston një lidhje e qartë midis ndryshimit të klimës dhe ndryshimit të temperaturave në dimër të Ukrainës.

Kjo është veçanërisht e theksuar në Ukrainën Lindore, ku temperaturat gjatë dimrit janë mesatarisht rreth 3 gradë Celsius më të ngrohta sesa në vitet 1960.

“Tridhjetë vite më parë, vendi tani do të ishte i mbuluar nga bora veçanërisht në Ukrainë lindore, për të paktën tre muaj të sezonit të ftohtë dhe do të kishim netë me ngrica për rreth pesë muaj,” tha Kralovska.

“Në vitin 2020, dimri ishte i butë, vetëm disa ditë temperaturat ishin nën zero dhe ra shumë pak borë”.

Presidenti rus Vladimir Putin dikur ishte ambivalent për ngrohjen globale. Në vitin 2003, ai madje tha se “Ndoshta ndryshimi i klimës nuk është dhe aq negativ në një vend kaq të ftohtë si i yni, pasi 2-3 gradë nuk do të ishin të dëmshme për vendin.”

Por gjatë kohëve të fundit, ai ka pranuar dëmin që po i bën mjedisit të Rusisë. Tani kjo mund të ndikojë në llogaritjet e gjeneralëve të tij. Temperaturat gjatë dimrit në Ukrainë mund të jetë të paqëndrueshme por temperaturat për pjesën tjetër të mbetur të shkurtit priten të jetën më të ulëta se mesatarja, sipas meterologëve vendas.

Por ata mendojnë se balta e Rasputitsa mund të vijë më herët këtë vit.