MENU
klinika

''Lufta dhe paqja... e Napolonit''

Tolstoi do ta ulte në vendin e duhur… Putinin

27.02.2022 - 17:35

        Në përshkrimin e ngjarjeve aktuale të konfliktit të ndezur në Ukrahinë, shkrimtari i madh rus Leon Tolstoi, do të dallonte menjëherë ”mjegullnajën e luftës”. Sigurisht, duke e refuzuar nëse do të ishte gjallë.  “Lufta dhe Paqja” është e paarritshme në përshkrimin e asaj çfarë, aktualisht përshkruhet si “mjegullnaja e luftës” ose sipas vetë autorit, natyra “e çuditshme, e paqartë dhe e zymtë” e betejës.

Romani kryevepër, është gjithaq, i pakrahasueshëm, sa i përket përpjekjes për t’iu përgjigjur pyetjes themelore që shtronte: “Çfarë e prodhoi këtë ngjarje të jashtëzakonshme?”. Sipas Tolstoit, nuk ka të bëjë me “njerëzit e mëdhenj të historisë”, të cilëve, zakonisht u vishen edhe ngjarjet e mëdha historike.

Putini, mund të kënaqet duke cituar Tolstoin, por sigurisht që nuk i përvetësuar leksionet e shkrimtarit të madh rus.

Udhëheqësi aktual rus, beson verbërisht se, si kundërshtarët, ashtu edhe admiruesit e tij, kanë bindjen se ai është “njeri i madh”, besimplotë se nëse Evropa do të bëhet skenë e luftës së parë, që nga viti 1944, kjo gjë varet prej tij dhe vetëm prej tij.

Sikur thekson edhe analistja ruse, Tatiana Stanovaja, “ndjenja të qenit superior, përzier me arrogancën, e bën Putinin të ndihet i fortë”. Jo vetëm që ka lindur një Car, në shekullin XXI, por ky i fundit, beson se mund të ndryshojë rrjedhën e historisë.

Në romanin e tij, Tolstoi përshkruan deri në detaje betejën e Borodinos; në fakt, masakrën e vitit 1812, midis ushtrisë së madhe të Napolon Bonapartit dhe forcave ruse: “Duke hequr dorë nga ndjenjat njerëzore dhe logjika, miliona njerëz u detyruan të shkonin nga Perëndimi në Lindje dhe të vrisnin llojin e vet, ashtu si disa shekuj më parë, kur një lumë njerëzish kishin shkuar nga Lindja në Perëndim, duke vrarë llojin e tyre!”.

Ai konflikt, shkruan shkrimtari, u pa gjithashtu si vepra e njeriut, duke përfshirë edhe vetë atë. Teksa përshkruan mendimet që bluante përbrenda perandori francez, Tolstoi shkruan: “Më shumë se kurrë më parë, Napolonit iu duk se varej prej tij, të derdhte gjak, apo jo mes njerëzve të tij

Por, Tolstoi e hodhi poshtë teorinë e njeriut të madh, teori që supozon – siç ndodh me shumicën e analizave aktuale mbi Ukrahinën – se shtytja kryesore e ngjarjeve botërore, sipas fjalëve të romancierit, është “forca e natyrshme e heronjve dhe sundimtarëve”.

Por, ai e argumenton qasjen, si iluzore:”Të ashtuquajturit ”njerëz të mëdhenj”, janë etiketa që i japin një emër ngjarjes dhe që, ashtu si me etiketat, ka më pak lidhje se gjithçka, me vetë ngjarjen”. Në përshkrimin e Tolstoit, mbi pikëpamjen e Napolonit për betejën e Borodinos, perandori pretendon se fusha e betejës është një tabelë shahu, por ai nuk mund t’i shohë dot gurët e tij.

E vërteta, këmbëngul Tolstoi, është se ngjarjet historike përcaktohen nga një mori shkaqesh të mëparshme, tepër të  dhe të ndryshme, sa që nuk mund të kontrollohen nga çfarëdo individi i caktuar. Të ashtuquajturit ”burra të mëdhenj”, janë “instrumentet e pavullnetshme të historisë dhe kryejnë punë të fshehta për ta, por të kuptueshme për ne”.

Në pamje të parë, kjo filozofi mund të duket e papërshtatshme për ngjarjet në Evropën Lindore. A do ta kishte shkruar “Lufta dhe Paqja”, Tolstoi, nëse jo për karakterin e Napolonit? (Apo unë, këtë artikull, nëse dikush tjetër veç Putinit, do të ishte sot në krye të Rusisë?).

Por, ndërsa karakteri ka rëndësinë e vet, është edhe produkt i kontekstit. Mund të numërohen këtu një sërë faktorësh, nga ndarja e Bashkimit Sovjetik e deri me zgjerimin e shpejtë, nga NATO drejt Lindjes, apo lëvizja e Maidanit në Ukrahinë, si dhe ekonomia e dështuar ruse, që kanë formësuar karakterin dhe botëkuptimin e Putinit.

Nëse do t’i lexonte fjalët e Tolstoit, Putini mund të gjente një përshkrim më të saktë të vendit që ka ai në histori, në momentin kur shkrimtari e përshkruan Napolonin duke inspektuar viktimat, pas betejës së Austerlicit.

Perandori francez, befas sheh të shtrirë përtokë dhe gati të palëvizshëm, Princin Andrei, – një prej personazheve kryesore të romanit.- “Voilà une belle mort” (Ja një vdekje e bukur!) – deklaron Napoloni, i bindur se ajo që po shihte, ishte rezultat i vullnetit të tij.

Princi, ishte vetëm i plagosur. Ai mezi e njohu perandorin, teksa kali i tij rendte i vetëm nëpër fushë. Por, në vend të trokëllimës, ai dëgjon zërin e Napolonit, si një zhurmë të largët, si mizat që fluturojnë mbi kufoma.

 

*Nga: Robert Zaretsky – profesor i historisë franceze pranë Universitetit të Hjustonit, SHBA./Politico.eu/Konica.al 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Panairi i librave të vegjël"

Botimet Nazarko më pranë lexuesit