MENU
klinika

BALLI

Veprimtari, i deleguari personal i Mid’hat Frashërit

06.02.2022 - 09:11

         Aktivisti i njohur i “Ballit Kombëtar”, jurist dhe futbollist, Halim Begeja lindi më 6 shkurt 1916, në Tiranë.

Prej moshës 15-vjeçare, ai u bë pjesëtar aktiv dhe i pazëvendësueshëm në formacionin e “S.K.Tiranës”, me të cilin fitoi tre tituj kampioni të Shqipërisë. U bë pjesë e ekipit kombëtar që prej vitit 1936, nën drejtimin e hungarezit Samo Singer.

Më 16 shtator 1942, Halimi merr pjesë në Konferencën e Pezës, si përfaqësues i Rinisë Nacionaliste dhe i deleguari personal i Mid’hat Frashërit.

Ai përpiloi “Traktin për Demokracinë”, dokument që në historiografinë e luftës ka hyrë me emrin “Dekalogu i Ballit Kombëtar”.

Ky dokument paraqitet nga Halimi, miratohet nga organizata e “Ballit Kombëtar” dhe shpallet publikisht më 28 nëntor 1942. Në qershor 1944 shkon në Kosovë, si zv.komandant i batalionit “Besnik Çano”, ku luftoi për tre muaj rresht.

Në vitin 1944 largohet nga Shqipëria dhe vendoset në Nju Jork, ku vazhdoi aktivitetin e tij politik kundër komunizmit.

Halim Begeja ishte anëtar themelues i komitetit “Shqipëria e Lirë” dhe sekretar i këtij komiteti. Gjithashtu ai u zgjodh Sekretar i përgjithshëm i Ballit Kombetar dhe së bashku me Vasil Andonin, Halit Maçin, Nexhat Peshkëpinë e të tjerë, botuan për disa dekada gazetën “Flamuri” të Ballit Kombëtar.

Më vonë, me shpenzimet e veta botoi në Nju Jork, gazetën “Zëri i Ballit Kombëtar”. Me këtë frymë vazhdoi veprimtarinë e tij kudo që ishte, në Evropë dhe SHBA. U nda nga jeta në Nju Jork, në vitin 1977, pa e parë vendin dhe familjen e tij.

Fotografia kryesore:

Në Reggio Emilia (Itali) më 28 Nëntor 1946 –  në mes, udhëheqësit e Ballit Kombëtar: Nga e majta, Halim Begeja, Bub Fekeçi, Mid’hat Frashëri, Vasil Andoni, Said Demneri, Shaqir Stërmasi, Ramazan Turdiu, Luan Dosti, Bardhyl Borshi etj.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN