MENU
klinika

Mashtrim dhe shpërdorim detyre

9 të proceduar në Vlorë, mes tyre një zyrtare vendore

24.03.2022 - 12:41

Nëntë persona janë procxeduar penalisht e policisë së Vlorës pasi akuzohen për vepra të ndryshme penale.

Policia bën me dije se një 34 vjeçare akuzohet për falsifikim dokumentesh, po ashtu me të njëjtën akuzë edhe një punonjëse e kompanisë për prodhimin e dokumenteve të identifikimit, sepse dyshohet se ka kryer në mënyrë të parregullt, procedurën e aplikimit të pajisjes me pasaportë, për një shtetas.

Burime për abcnews.al bëjnë me dije se është proceduar penalisht shtetasja Margarita Koco.

Të proceduar janë edhe 7 shtetas të të tjerë të akuzuar për zjarrëvënie pa leje dhe për kanosje.

“Specialistët e Hetimit të Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Vlorë proceduan penalisht për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, shtetasen E. B., 34 vjeçe, banuese në lagjen ”Partizani”, Vlorë, punonjëse e kompanisë për prodhimin e dokumenteve të identifikimit, sepse dyshohet se ka kryer në mënyrë të parregullt, procedurën e aplikimit të pajisjes me pasaportë, për një shtetas.

Specialistët e Hetimit të Krimit Ekonomiko-Financiar referuan materialet proceduriale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për shtetasen M. K., 51 vjeçe, banues në Nartë-Vlorë, me detyrë administratore e Njësisë Administrative Qendër Vlorë, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, sepse ka bërë kallëzim shtetasi F. Th., banues në Nartë-Vlorë, pasi dyshon se 51-vjeçarja ka futur dokumente të falsifikuara, në dosjen e pronësisë së tij.

Po nga këto shërbime u proceduan penalisht për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, shtetasit: B. C., 47 vjeç, banues në lagjen “Pavarësia”, E. A., 38 vjeçe, banuese në lagjen “Isa Boletini” dhe B. Xh., 56 vjeç, banues në lagjen “24 Maji”, Vlorë, pasi ushtronin aktivitete tregtare në subjekte të paregjistruara në organet tatimore dhe nuk kryenin deklarimet e të ardhurave.

Specialistët e Hetimit të Krimit në Stacionin e Policisë Orikum proceduan penalisht për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, shtetasit L. L., 40 vjeç, banues në fshatin Radhimë, D. B., 47 vjeç, banues në fshatin Tragjas, A. J., 41 vjeç, banues në Dukat të Ri, pasi kanë ndezur zjarre në vende të ndryshme dhe për pasojë janë djegur bimësi dhe shkurre.

Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Himarë proceduan penalisht për veprën penale “Kanosja”, shtetasin F. Z., 42 vjeç, banues në fshatin Borsh, Himarë, pasi ka bërë kallëzim shtetasi S. G., 61 vjeç, banues në fshatin Borsh, Himarë, se 42-vjeçari e ka kërcënuar”, thuhet në njoftimin e policisë.