MENU
klinika

I përjashtuari i Partisë Komuniste

Absurdi është shpengimi

28.03.2022 - 19:29

        Ai është filozofi i absurdit. Një absurditet që pajtohet me jetën përmes pranimit. Konceptimi i filozofisë si një disiplinë që synon t’u përgjigjet pyetjeve ekzistenciale, apo pyetjeve të tilla, si “çfarë është jeta?”, “cili është kuptimi i saj?” dhe “pse jemi këtu?” është përhapur gjerësisht. Përgjigjen na e jep Albert Kamy: jeta është absurde, nuk ka absolutisht asnjë kuptim dhe universi mbetet totalisht shpërfillës ndaj pyetjeve tona ekzistenciale./Konica.al

Për Kamynë është absurde distanca midis kërkimit të qenieve njerëzore për kuptimin dhe indiferencës absolute të universit ndaj nevojës sonë për përgjigje. Absurdi është kërkimi i kuptimit në diçka që thjesht nuk e ka atë. Me fjalë të tjera, jeta njerëzore është e parëndësishme për universin që na rrethon. Absurdi është koncepti qendror në veprën e Kamysë dhe në rrymën ekzistencialiste: “I huaji” (1942) dhe “Miti i Sizifit” (1942) shohin tek absurdi një divorc mes njeriut dhe botës. Sidoqoftë, absurdi është një përvojë pozitive: përvoja e absurdit është ajo e vërtetësisë. Te Kamyja, pakuptimësia e gjërave duhet të supozohen me qetësi. Nëse e mendojmë mirë, njerëzit e gjetën veten pjesë të universit vetëm për një fraksion shumë të vogël të kohës: 300,000 nga 13,700 milionë vjet.

Sipas Kamysë, veprimet e mëdha dhe mendimet e mëdha bazohen në arsyetime qesharake. Shpesh veprat e mëdha lindin në ndonjë qoshk ose pranë derës së restorantit. Kështu është dhe absurdi. Megjithatë, absurdi është fisnik pikërisht për shkak të origjinës së tij të mjerueshme. “Miti i Sizifit” tregon se Sizifi (Prometeu për mitologjinë greke) u ndëshkua nga Zeusi se u vodhi zjarrin perëndive për t’ua dhënë njerëzve. Dinakëria e çoi në dënimin e përjetshëm: do i duhej të mbante një gur të madh deri në majë të një mali. Sapo arrinte në majë, guri rrokullisej sërish dhe Sizifi do të rifillonte nga e para, përsëri e përsëri me të njëjtin rezultat; kështu në përjetësi. Duke iu referuar këtij miti, Kamy dëshiron të demonstrojë se sa e kotë dhe boshe është jeta njerëzore, bazuar në përsëritjen e cikleve (të ngrënit, të fjeturit, punës, etj.). Në fakt, të gjithë jemi Sizifë. Sipas Kamysë, ka mënyra të ndryshme për të reaguar ndaj absurdit të jetës. Së pari, ta lëshojmë veten të tërhiqemi nga ky absurditet që duket si një burg: rruga e vetëvrasjes. Humbja e të ashtuquajturit kuptim të jetës, gjë që për disa është puna, për ca të tjerë një person i dashur ose shëndeti, është motiv i mjaftueshëm për t’i dhënë fund jetës. Kur humbim arsyen për të jetuar, kjo bëhet arsyeja jonë për të vdekur. Një tjetër mënyrë për të reaguar ndaj absurdit të ekzistencës, është ajo që Kamy e quan “vetëvrasje filozofike”. Nga vetëvrasja filozofike vjen ideja se ka botë të tjera metafizike, të tilla si parajsa e të krishterëve ose vendet ku rimishërohemi, të cilat, në një kuptim të caktuar, na ndihmojnë të ruajmë idenë se jeta që bëjmë është e padobishme dhe e pakuptimtë. Një mënyrë për të sfiduar tensionin që jetojmë në jetën e tanishme. Po ashtu, ndër idetë metafizike Kamy përfshin utopitë e mendimit siç është komunizmi, të cilin ai e quan “fe pa Zot”. Megjithatë, pas ekspozimit të kësaj teorie, Kamyja u përjashtua nga Partia Komuniste, ku ishte një anëtar aktiv.

“Gjithë morali bazohet në idenë, se një akt duhet të ketë pasoja që e justifikojnë ose e nihilizojnë atë. Një shpirt i zhytur në absurditet, dëshiron thjesht që këto pasoja të konsiderohen me qetësi. Ai është i gatshëm të paguajë. Pra, edhe pse për të mund të ketë përgjegjësi, nuk do të ketë kurrë fajtorë. Më së shumti ai do të pranojë të përdorë përvojën e kaluar për të bazuar veprimet e tij në të ardhmen”. Kamy e sheh vetëvrasjen si një mënyrë të suksesshme (pra, të qëndrueshme), edhe pse është disi burracakëri, për të përballuar absurditetin e ekzistencës sonë.

(Original Caption) Albert Camus, 1959.

Për Kamynë duhet të pranojmë që jeta është absurde, se ajo nuk ka kuptim në universin e gjerë ku jetojmë dhe, edhe pse kështu, jetojmë me entuziazëm, pasion, krijojmë vepra arti, shijojmë. Kjo është mënyra e vetme, për të qenë në këtë botë. Absurdi nuk duhet të jetë një kalvar: ai mund të ndihmojë në shpengim. Pranimi është rebelimi i vërtetë kundër absurdit të jetës sonë. Në çdo rast, për Kamynë është e paimagjinueshme që dikush të arrijë të krijojë një sens jete para se të pranojë të mos e ketë atë, pranim që, nga ana tjetër, duhet të na largojë nga një përpjekje e tillë, e cila do të nënkuptonte pajtim me vetë natyrën tonë.

Për të cituar fjalët e tij: “Nga absurdi fitova tri pasoja: rebelimin, lirinë dhe pasionin. Vetëm me lojën e ndërgjegjes, unë e shndërroj atë që ishte një ftesë për vdekje në një rregull jete…”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Mesazhi që vazhdon të jehojë edhe sot…

Fjalimi historik i Albert Kamysë që i rrëzikoi jetën


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit