Ishte vitit 2013 kur Policia italiane mori të dhëna mbi një grup mafioz që vepronte në zonën e Acilisë.
Ishte degëzim i Kamorrës e për pasojë autoritetet ishin kujdesur që ta godisnin kreun e kësaj organizate.
E prangosen vite më parë, por duke lënë jashtë dy vëllezër, që ishin bashkëpunëtorët me të afërt të tij. Ata morën frerët e grupit dhe ofruan rreth vetes “shqiptarët e fortë”. Bëhej fjalë për një grup boksierësh, të cilët pas pak kohësh do të konsideroheshin si njerëzit e frikshëm që nuk llogarisnin askënd.
Të dhënat e asaj kohe tregonin se mes shqiptarëve gjendej një emër proverbial i krimit: quhej Arben Zogu. Me të ishin edhe tre boksierë, mes të cilëve kishte edhe kampion të Italisë në pesha të ndryshme. Shqiptarët, me në krye Zogun zotëronin disa sektorë si trafiku i drogës, vënia e gjobave dhe lojërat e kumarit në disa zona të Romës e përtej.
Lidhjet e tyre shkuan deri tek ultrasit lacialë e për pasojë, jo pak herë, Roma u përgjak për tyre, ku mes viktimave të grupeve të ndara rrugës, ishin shtetas shqiptarë, italianë dhe të kombësive të tjera. Madje për shkak të betejës së ashpër në Romë mes grupeve të fuqishme të trafikut të drogës, hasmëritë importoheshin edhe në vendin tonë, ku dy fise vijojnë të jenë në luftë të ashpër mes njëri-tjetrit!
Si duket, edhe pse Zogu u arrestua dhe iu vu nën sekuestro një pasuri prej 22 milionë eurosh bashkë me dy vëllezërit italianë, linjat e tyre kanë mbetur ende në zonën e Acilisë. Linjat ashtu siç kanë evoluar ashtu edhe janë hetuar e për pasojë, mëngjesin e djeshëm, skuadra operacionale romane ndërhyn për të goditur grupin e shqiptaro-italianë. Vihen 9 në pranga dhe shpallen 3 në kërkim, mes të kërkuarve dy shqiptarë dhe një italian. Ndërkohë që një prej personave që ka qenë nën hetim, mësohet se ka ndërruar jetë pak kohë më parë. Policia italiane nuk jep të dhëna se për kë bëhet fjalë!
OPERACIONI DJE
Mediat romane bënë me dije se Policia italiane ka shkatërruar një bandë kriminale që merrej me trafikun e drogës e përbërë nga 13 persona, italianë dhe shqiptarë. Mes tyre ishte edhe këngëtarja e njohur shqiptare, Elsa Lila, 41 vjeçe, e cila thuhet se mbante llogaritë e shitjes së drogës. I përfshirë është dhe boksieri Petrit Bardhi, i njohur si “Titi”. Janë lëshuar 13 urdhër arreste, por në pranga ka rënë vetëm 9 persona. Banda kriminale vepronte kryesisht në zonën e Acilisë dhe merrej me trafikimin e lëndëve narkotike si kokainë, hashash dhe marijuanë.
Përgjithësisht, blinin sasi të ndryshme droge, i transportonin me makina dhe i fshihnin në shtëpi e garazhe derisa të dorëzoheshin. Mediat italiane raportojnë se një dhomë të madhe në bodrum në zonën e Torrevecchia, përdorej nga grupi si magazinë. Gjatë kontrolleve në objektet ku Policia pretendonte se kishte gjetur sende të paligjshme u sekuestruan 5 kg kokainë, 43 kg marijuanë dhe 82 kg hashash. “TITI” Sipas të dhënave të mediave vendase, mësohet se mes personave që u arrestuan dje në Jug të Romës, është dhe një boksier.
Bëhet fjalë për Petrit Bardhin, i cili thuhet se ishte mik i ngushtë i Arben Zogut, i njohur si ultras i ekipit të Lacios. Zogu, i cili njihet me emrin “Riccardino”, u dënua me 20 vite burg për trafik droge më 10 maj të 2016-ës. Arben Zogu bashkë me dy shqiptarë persona të tjerë, u arrestuan gjatë një operacioni të Policisë italiane në vitin 2015. Ata ishin pjesë e grupit mafioz “Guarnera”, i përbërë nga një grup i madh qytetarësh shqiptarë, që cilësohen si “boksierët”. Shqiptarët u akuzuan si të lidhur me nëndegën e Kamorrës, i njohur si klani i kazalezëve.
Mediat italiane bëjnë me dije se këngëtarja ishte bërë pjesë e grupit si personi që iu mbante llogaritë, meqë ajo kishte bar të njohur në zonë dhe nga aty sipas italianëve bëhej edhe shpërndarja e lëndës narkotike thuajse në tri lloje. Në fakt, ajo që e rëndon më shumë pozitën e grupit është lidhja që ekziston mes tyre dhe Arben Zogut, një nga personat më të rrezikshëm sipas Prokurorisë italiane, të cilët i kanë 20 vjet burg për përfshirjen e tij në organizatë mafioze.
PO KUSH ËSHTË ARBEN ZOGU?
Mediat italiane ndër vite i kanë cilësuar shqiptarët e këtij klani mafioz si mjaft të rrezikshëm. Ata thanë para disa vitesh se Arben Zogu, i njohur ndryshe si “Ricardino”, një person i egër dhe mjaft i rrezikshëm, ishte drejtuesi i bandës që ka lidhje mjaft të ngushta me Fabrizio Piscitellin. Madje, ai edhe akuzohet që porositi vrasjen e tij me 7 gusht të vitit 2019. Por, sipas mediave vendase, kjo nuk është ngjarja e vetme për të cilën është lakuar emri i Zogut. Ai është arrestuar mes nëntë personave në një operacion në vitin 2015.
Shitja e kokainës dhe mbledhja e gjobave ishte aktiviteti kryesor i shqiptarit dhe drejtonte pjesën e bandës që kishte lidhje me Shqipërinë. Po ashtu në vitin 2013, Zogu ishte ishkrahu i djathtë i bosit italian të Kamorra-s, i cili i dërgoi një mesazh kërcënues gazetarit të njohur italian, të cilin e paralajmëronte të kishte kujdes kur shkruante se ku përmendej shefi i tij, mund të kishte “njerëz që qëllojnë”. Zogu u tha se bashkëpunonte me një boksier shqiptar, Orial Kolaj dhe Petrit Bardhi, me të cilët menaxhonte biznesin e pokerit dhe impononin instalimin e makinetave ku donin dhe si donin ata..