MENU
klinika

Debati për çmimet

Balluku: Opozita përdor krizën, jep sugjerime nga karrigia

24.03.2022 - 12:49

Ministrja e Energjitikës dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku ka akuzuar opozitën se po përdor krizën aktuale për kredo politike. Nga foltorja e Kuvendit, në kuadër të mocionit të debatit kërkuar nga grupi i Partisë Demokratike, ministrja theksoi se qeveria ka marrë të gjitha masat për të menaxhuar këtë krizë, duke iu referuar Paketës së Rezistencës.

Duke iu përgjigjur opozitës, e cila kërkon uljen e taksave, Balluku tha se një gjë e tillë nuk mund të bëhet dhe cilësoi si sugjerim nga karrigia. Në fund, ministrja kërkoi që opozita të jetë bashkëpunuese në këto kohë lufte.

Pjesë nga deklarata e Belinda Ballukut:

Faktet flasin ndryshe dhe pavarësisht se ju e keni dëshirën ti mohoni. Kriza është ndërkombëtare e nxitur nga situata gjeopolitike. Krizën e energjisë e kemi paralajmëruar në shtator. Ju thatë që nuk ka krizë dhe është instrument që po përdor Rama. Unë realisht nuk e di me cilën cilësi flisni kur shitet dhe blihet energjia në Shqipëri. Ju në SPAK mund të çoni çdo dosje. E vetmja gjë që keni bërë nga ndarja mes jush kanë qenë dosjet për SPAK. Ne nuk kemi asnjë problem. Çdo dosje e çuar nuk ka asnjë problem sepse jemi të gatshëm të përgjigjemi për të gjitha.

Kjo është një krizë mbarë botërore që ka prekur çdo familje. Sigurisht më të prekurat janë shtresat në nevojë, prandaj qeveria ka ndërmarrë një paketë rezistence. Taksat qenkan vendosur për të goditur punën. Nuk e kuptoj as konceptin e fjalisë. Është Rama ai që hoqi taksat për biznesin e vogël. Si mund të thoni ju që këto taksa janë vendosur për të goditur punën. Ju që i keni pasur taksat më të larta. Ju e dini shumë mirë çfarë keni bërë për pensionet. Kjo është një paketë e tërë. Mbështetet në buxhetin e shtetit. Nëse do të hiqnim të gjitha taksat siç sugjeroni ju nga karrigia, por me cilat para do të kompensohet 3 mijë lekëshi që do t’u jepet njerëzve në nevojë. Si do ti kompensojmë ne të gjithë ata që përdorin transportin urban. Si do të kompensohen bujqit? Si do të kompensohen të gjithë familjet, të cilat sot nuk ekspozohen ndaj çmimit të energjisë.

Folët për oligopol por asgjë nuk ka ndryshuar nga tregu i naftës dhe gazit. Ai është një treg i lirë dhe qeveria shqiptarë përveç kësaj here kemi ngritur një bord për të bërë transparencën e çmimeve. Ne nuk kemi ndërhyrë kurrë në këtë treg. Ju keni lënë gjurmë në sektorin e hidrokarbureve privatizimin e ARMO-s. Ju që sot kërkoni llogari edhe për krizat gjeopolitike. Qytetarët janë shumë të qartë. Do të ishte mirë që në kohë lufte të kujdesemi të gjithë bashkë për qytetarët. Do ishte mirë të uleshit me ne dhe të diskutonim mbi masat dhe jo të përdorni çdo fatkeqësi.