MENU
klinika

"Negociatat"

Drejtori i lutet Samit, të kthehet në kafaz…

27.03.2022 - 11:02

        Shimpazeja e kopshtit zoologjik të Beogradit, u bë skup mediatik kur ia doli të arratisej dy herë, shkurtin e vitit 1988. Ai bëri një shëtitje nëpër qendrën e Beogradit, përpara se ta kapnin, pas “negociatave” të gjata me drejtorin e kopshtit zoologjik, Vuk Bojović.

Sami lindi në kopshtin zoologjik “Osijek”, në vitin 1979. Ai ishte një ekzemplar me një strukturë të fortë trupore dhe shumë inteligjent. Sami mbërriti në kopshtin zoologjik të Beogradit, në janar të vitit 1988 dhe u vu në rrethimin me rrjetë të madhe, e sigurtë shimpazenë e rritur.

I pamësuar me mjedisin e ri dhe aspak tërheqës për të, Sami shfaqi simptoma depresioni dhe sjellje agresive, që javët e para në kopshtin zoologjik.

Arratisja e parë e shimpazesë, ishte ajo e mbrëmjes së ftohtë, të së dielës së 21 shkurtit 1988. Lajmet lokale tregonin se, ka të ngjarë, që kafsha kërkonte të çiftohej, pasi në ambienetet e reja nuk kishte shoqëri.

Sami, mori drejtimin për në kinemanë “Ballkan”, në qendër të Beogradit e më pas, në parkun “Kalemegdan”. Para se të mbërrinte aty, në sheshin “Studentët” e rrethoi policia.

Vuk Bojovic, drejtori i kopshtit zoologjik të Beogradit, u thirr për ta qetësuar, pasi ai ishte i vetmi të cilit, Sami i besonte. Sipas dëshmitarëve, Vuk u përpoq ta bindte dhe ta shoqëronte për në kafazin e tij, duke i thënë: “Eja, Sami, shkojmë në shtëpi.” Ai arriti ta merrte për dore majmunin dretj makinës së tij dhe kështu, e ktheu në kopshtin zoologjik.

Pas dy ditësh, Sami arriti të arratisej edhe një herë, duke dalë pa mundim nga kafazi dhe duke u endur në rrugët e Beogradit. Nuk zgjati shumë dhe kafsha u shfaq pranë fabrikës “Beko”, që ndodhej në afërsi të kopshtit zoologjik.

Punëtorët u përpoqën të kapnin me një rrjetë të madhe, por dështuan. Në ndjekje e sipër, në rrugën “Tsar Dušan 33”, Sami u ngjit në majën e një qershie dhe përfundoi në garazh.

Lajmi për arratisjen u përhap me shpejtësi dhe me mijëra qytetarë dolën në mbështetje të kafshës. Gazetat shkruanin për njerëz që mbajnë pankarta me parrullat: “Sami, jemi me ty!” dhe “Mos u dorëzo, Sami!”. Pamjet u transmetuan edhe në televizionet lokale.

Siç tregohet në këto fotografi ikonike, Vuk Bojović u ngjit mbi garazh dhe u përpoq ta bindte Samin, që të kthehej në kopshtin zoologjik me të, por këtë herë pa sukses. Më në fund, kafsha u qëllua me një shigjetë me injeksion dhe u rikthye, por jo para se të bëhej një prej heronjve të Beogradit.

Sami, vdiq papritur më 11 shtator 1992, por statuja e bronzit e ka përjetësuar kafshën inteligjente.

Pas vdekjes së tij, disa nga gazetat kryesore të Beogradit e lavdëruan Samin, si “disident”. “Shenjat e solidaritetit me arratisjen e tij, janë jehona e njerëzve të pakënaqur në sistemin komunist në Jugosllavinë e atëhershme, që ishte nën hijen e Bashkimit Sovjetik dhe ende i përhumbur nga fantazma e presidentit të përjetshëm, Josip Tito.”

Arratisja e Samit, ngjalli solidaritetin mes njerëzve, të cilët u identifikuan me izolimin e tij, duke u shenjuar një krisje në rendin shoqëror. Kafsha, nuk ishte në habitatin e vet dhe ky paralelizëm, ndezi revoltat e qytetarëve të Beogradit.

Sikur Sami të ishte njeri, ata që e përkrahnin mund të përballeshin me arrestimin, por si i tillë, Sami mund të brohoriste, nga turma pa u ndëshkuar.

Së bashku me të, beogradasit mund të imagjinonin se një botë tjetër, ishte e mundur. Njerëzit dhe shimpazetë së bashku, për një moment, agjësuan ideologjinë gjeopolitike.