Ishte e pritshme një furi ndaj Lulzim Bashës pas rezultatit zhgënjyes për PD-në në 6 bashkitë ku u zhvilluan zgjedhjet e pjeshshme. U pa që të dielën në darkë, kur selinë e PD-së e kishin braktisur të gjithë se jemi në një proces që parashikon furtunë.
E realisht, çdo debat e proces zgjedhor brenda forcave politike është dialektik e normal, mjafton që t’i përshtaten një logjike që i përshtaten një forcë politike alternative që përgatitet për të qeverisur vendin.
Edhe pse çudit shpërthimi i Dumës, Saljanjit, apo edhe të tjerëve që deri dje ishin mbështetësit më të fortë të Lulzim Bashës, gjithsesi është pjesë e dialektikës politike.
“Ne nuk jemi këtu për të kontestuar legjitimitetin e kryetarit, as dorëheqjen, ai do të kishte dhënë atëherë kur Berisha jo vetëm nuk ja kërkoi po i doli në krah, së bashku me ne dhe ata që i ngritën gijotinën në stadium”, deklaroi Grida Duma në Kuvendin e 19 dhjetorit, ndërsa mbërëmë i kërkoi largimin.
Duket se të gjithë janë kthyer në bisha politike, ku ndjejnë nga larg erën e gjakut të viktimës së radhës që sipas ligjit të xhunglës, fiton ai që nis ta shqyejë i pari. Sepse vetëm kështu do të marrin prenë e presë që i kanë shqyer edhe kockat.
Në politikën shqiptare, madje edhe në ambientin social shqiptar ky është lejtmotiv, pra goditja kur je më i dobët dhe servilizmi kur dikush është i fuqishëm.
Por nga mbështetës së Sali Berishës, të cilët kanë të gjitha arsyet të gëzohen për këtë skenë që të kujton “Mbretin Luan” ku Scar-i plak pret në shpellën e tij që Simbën ta shqyejnë hijenat e tij, nuk po shfaqen shumë shenja entuziazmi.
Atyre nuk po i mjafton fare kjo kryqëzatë ndaj Lulzim Bashës, madje po i quajnë hipokritë deputetët që nisën sulmin ndaj kryetarit të PD-së.
Ata e kanë gjetur prenë e tyre; është ambasadorja amerikane Yuri Kim. Në rrjete, media apo edhe biseda televizive, nuk po rreshtin ta bëjnë atë si fajtore të renditjes së PD-së në vendin e tretë në bashkinë e Vorës.
Një shenjë e qartë, dhe e egër që të kujton realisht instiktet më të frikshme të një bishe të mllefosur dhe plagosur që është përzënë nga tufa dhe është degdisur të jetojë me hijenat në shpellat e kobshme.
Një sinjal politik që Sali Berisha nuk ka asgjë me Lulzim Bashën si person, pasi atë ai e vuri dhe e mbrojti për 8 vjet, por thjesht e ka me qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përfaqësuesit e saj. Shikoni komentet dhe fotot që ata sjellin tërë cinizëm a thua se ka konkurruar Yuri Kim e jo kandidatët e PD-së në Vorë e Rrogozhinë.
Çlidhje ka ambasadorja amerikane dhe qeveria që ajo përfaqëson me proceset në PD. SHBA ka qenë e qartë, kërkon që Partia Demokratike të jetë një forcë politike demokratike dhe perëndimore që të mos drejtohet nga një politikan i shpallur Non Grata për Korrupsion të rëndësishëm.
Ish-kreu politik i Shkodrës, pikërisht pas humbjes skandaloze në 6 mars, kërkon bashkimin e ngjizjes së PD-së me strukturat e Sali Berishës. Natyrisht, shenjë e qartë se strukturat që ai ka drejtuar në Shkodër kanë hapur rrugën për kandidatin e “Shtëpisë së Lirisë”.
Megjithatë, është krejt normale që ata që mbështetën Lulzim Bashën, tani të ndërrojnë mendjen e të rikthehen sërish tek Scar-i-Berisha, të cilin mund ta shikojnë si një bishë më të përshtatshme për xhunglën shqiptare.
Po ç’punë kanë me SHBA-në e qeverinë e saj? Ajo ka qenë e qartë: nuk do të bashkëpunojë me asnjë forcë politike që ka Sali Berishën në krye! Apo mendojnë se do të ndryshojnë mendim…