MENU
klinika

Ç'mjeshtër tekanjoz!..

Faik Konica, një emër pa kohë

15.03.2022 - 13:52

         Faik Konica është emri, personaliteti i të cilit pati, ka dhe do të ketë një ndikim dhe vend të patjetërsueshëm në kulturën shqiptare. Ai ishte njohësi më i thellë, më i vërteti dhe më kritiku i shqiptarëve. Një jetë kushtuar vlerave të kombit të tij të vogël, të ashpër e si të harruar nga historia – Konica mbeti i veçanti dhe tekanjozi; një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqipe. Ai qe prozator dhe poet, publicist, estetist, kritik letrar e përkthyes. Me veprën e tij të shumanshme, Faik Konica pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja, gjuhën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar.

Konica ishte njeriu me dituri të madhe dhe dhunti artistike; mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe. Ai njihet jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe shkrimtar me vlera të spiktatura ideoartistike.

Lindur më 15 mars 1875, në Konicë të Vilajetit Janinë të Perandorisë Osmane, Faik Konica mori mësimet e para në vendlindje, në vijim ndoqi Kolegjin Jezuit Saverian të Shkodrës e më pas, studimet e Liceut Perandorak Francez të Gallatasarajit në Stamboll.

Pasi kreu shkollat e mesme në Francë, ai vazhdoi studimet në Dizhon për filologji romane. Më 1912, Konica u diplomua për letërsi në Universitetin e Harvardit, në SHBA, ku mori gradën “Mjeshtër i Arteve” (Master of Arts), ndërkohë që është cilësuar nga miqtë e tij, si “biblioteka lëvizëse”.

Konica fitoi disa konkurse duke u nderuar me çmime për aftësitë e tij intelektuale jo të zakonta. Faik Konica që në moshë të re e lidhi jetën me veprën e tij dhe me lëvizjen kombëtare shqiptare. Në vitin 1895, Faiku përvetësoi fenë katolike dhe zgjodhi emrin Dominik. Pasi boton broshurën “Shqipëria dhe Turqit” (1895) në Paris, ai vendoset në Bruksel (Belgjikë), ku në 1987-ën boton revistën politiko-kulturore dhe letrare, “Albania”, që u bë organi më i rëndësishëm e më me autoritet i Rilindjes Shqiptare. E botuar në gjuhën shqipe, frënge dhe pjesërisht në atë turke, si një enciklopedi e vërtetë, ajo propagandoi për vite me radhë (1897-1909) programin e lëvizjes kombëtare shqiptare, historinë dhe kulturën e popullit shqiptar.

Pas mbërritjes në Boston, së bashku me Fan Nolin, ata themeluan gazetën “Dielli”, një organ i rëndësishëm i Federatës Panshqiptare “Vatra”. Më 1912-ën, në emër të Federatës Vatra, Konica shkoi në kryeqytetin britanik, për të mbrojtur interesat kombëtare shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër.

Në vitin 1921, Konica u zgjodh kryetar i Federatës Vatra dhe me rimarrjen e drejtimit të gazetës “Dielli”, ai filloi të shkruante në një rubrikë të tijën, “Shtylla e Konitzës”. Ndërsa më 1926, Faik Konica u emërua Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara (ambasador).

Eruditi u shua në Uashington, më 15 dhjetor 1942. Në vitin 1995, pas rënies së diktaturës komuniste, eshtrat e tij u kthyen në Tiranë.

Me veprën e tij letrare e me shkrimet kritike, Konica pasqyron një njohje të thellë të mendësisë dhe të jetës politike shqiptare. Gjatë veprimtarisë së tij, ai është përpjekur për një gjuhë letrare të përbashkët duke ndihmuar në pasurimin e zhvillimit të stilit letrar dhe publicistik të shqipes së shkruar. Krijimtaria e Konicës ka mbetur në pjesën më të madhe e botuar në shkrime të shtypit të kohës dhe në dorëshkrime.

Faik Konica, mbetet një figurë qendrore dhe një pikë referimi në ecurinë e kulturës moderne shqiptare.

“Faik Konica ishte vërtetë një figurë e pazakontë. Mjafton vetëm larmia e formimit të tij kulturor, bredhjet dhe ikjet nga një universitet në tjetrin, për të hedhur njëfarë drite mbi karakterin dhe kundërtitë, që do ta shoqëronin tërë jetën këtë vesveseli të pashoq.

Si shumë bejlerë myslimanë, e kishte nisur kulturimin me mësues privatë të arabishtes, që i braktisi për të shkuar në kolegjin katolik të jezuitëve në Shkodër, prej nga, si për të plotësuar koleksionin e feve, shkoi në shkollën ortodokse greke, e pas saj, në Liceun imperial në Kostandinopol.

Prej andej, krejt i pakënaqur, shkoi në Francë për t’u bërë murg protestant, por në vend të murëgrisë përfundoi në ateist, për të vazhduar studimet e larta në Paris, e më pas me radhë në universitetet e Kembrixhit në Angli, të Upsalasë në Suedi e të Harvardit në SHBA” – do ta cilësonte Ismail Kadare.

Me veprën letrare krahas kritikë, Konica pasqyron njohjen e thellë të mendësisë dhe të jetës politike shqiptare. Ndërsa veprimtaria e tij, është udhëhequr nga përpjekjet për një gjuhë letrare të përbashkët, kjo me një kontribut të madh në pasurimin e zhvillimit të stilit letrar e publicistik të shqipes së shkruar.

Krijimtaria e tij, ka mbetur në pjesën më të madhe, e botuar në shkrime të shtypit të kohës dhe në dorëshkrime.

Faik Konica vijon të shkëlqejë në vazhdimësinë e gjuhës e botëkuptimit shqip, deri në majat më të larta të atij universal: profilin unik të shqiptarizmës, me anën e saj më të kulluar, të një personaliteti shpërthyes, elegant, erudit dhe mendjehapur, sikur diti të ishte, vetëm Beu i Konicës…/Konica.al

Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen