MENU
klinika

Liria, shtypi, Perëndimi “totalitar”!

Fjalimi i Alaksandër Solzhenicit në Harvard

25.03.2022 - 11:53

        Elozhe për të vërtetën, të mirën dhe të bukurën

“Mediokriteti shpirtëror”

Në shoqërinë e sotme perëndimore mund të perceptohet lehtësisht, pabarazia midis lirisë për të bërë mirë dhe lirisë për të bërë keq. Çdo politikan që dëshiron të përmbushë një detyrë vërtet konstruktive në interes të vendit të tij, është i detyruar të veprojë me hapa të kujdesshëm, madje do thosha me shumë maturi, pasi kritika të shumta, të nxituara dhe të papërgjegjshme, do ta bombardojnë fort në çdo çast, si nga shtypi, ashtu edhe nga parlamenti. Duhet të justifikojë çdo hap që hedh, duke demonstruar një korrektësi absolute. Mirëpo, një njeri i jashtëzakonshëm, një njeri i vlershëm, një njeri i madh që premton të marrë iniciativa të pazakonta dhe të papritura, nuk ka as shansin më të vogël për t’u imponuar: befas do të merrte kaq shumë goditje, sa do dëshironte të kishte hequr dorë që në fillim. Dhe në këtë mënyrë, me pretekstin e kontrollit demokratik, arrin të sigurohet triumfi i mediokritetit. Si rrjedhojë, minimi i autoritetit të Administratës bëhet tejet i dukshëm dhe, të themi të drejtën, në mbarë vendet perëndimore autoritetet publike janë dobësuar ndjeshëm. Mbrojtja e të drejtave të individit vjen me abuzime të atilla, saqë e njëjta shoqëri ndjehet krejt e çarmatosur përballë vetë anëtarëve të saj: përfundimisht, Perëndimit i ka ardhur koha që të mbrojë jo aq të drejtat e popullit, sesa përgjegjësitë e veta.

Nga ana tjetër, lirisë për të bërë mirë, lirisë për të shkatërruar, lirisë së papërgjegjshmërisë, i janë shpalosur fushëveprimi të pafundme. Është vërtetuar tashmë, se shpesh shoqëria është gjendur thuajse e pambrojtur karshi honeve të kalbëzimit të mjedisit shoqëror, për shembull përballë “përdorimit të lirisë për të ushtruar një dhunë morale ndaj të rinjve”: pretendohet gjoja, se fakti që mund të ofrohen filma plot me pornografi, me krime apo satanizëm, përbën gjithashtu një lloj lirie, kundërpesha e së cilës, teorikisht, mbetet e drejta që gëzojnë këta të rinj për të mos i ndjekur këto lloj shfaqjesh. Kështu, jetesa e bazuar në drejtësi rezulton e paaftë për të mbrojtur deri vetveten kundër të keqes dhe gradualisht e lëshon veten që ajo ta përpijë.

E ç’mund të themi për hapësirat e errëta, në të cilat po lëvron krimi i mirëfilltë? Gjerësia e afateve ligjore (veçanërisht në Amerikë) përbën për individin jo vetëm një inkurajim për të ushtruar lirinë e tij, por edhe një inkurajim për të kryer krime të caktuara, pasi i ofron kriminelit mundësinë t’i shpëtojë ndëshkimit apo të përfitojë nga një privilegj i pamerituar, ndoshta falë mbështetjes së mijëra zërave që ngrihen në favor të tij. Dhe kur ndodh që autoritetet publike të shtetit i kundërvihen ashpër terrorizmit me synimin për ta çrrënjosur, opinioni publik i akuzon sakaq për nëpërkëmbje të të drejtave civile të banditëve. Ka shembuj të shumtë në këtë drejtim.

Liria drejt anës së errët, nuk devijoi sa hap e mbyll sytë, përkundrazi pati një evolucion gradual, por kam përshtypjen se si pikënisje shërbeu mendimi i gjerë filantropik, sipas të cilës njeriu, zoti i botës, nuk mbart në vetvete asnjë grimcë të së keqes dhe çfarëdo që lidhet me veset e gabuara në ekzistencën e njeriut është thjesht fryt i sistemeve sociale çorientuese, çka është e rëndësishme të korrigjohen. Veçse e çuditshme ama: Oksidenti, atje ku kushtet sociale janë më të mirat, paraqet një shkallë kriminaliteti më të lartë dhe relativisht shumë më të fortë se në Bashkimin Sovjetik, me gjithë mjerimin dhe mospërfilljen e ligjit në këtë të fundit. (Në atdheun tim, në kampet e punës, ka shumë të burgosur të përkufizuar si njerëz të zakonshëm, por që në të vërtetë, pjesa dërrmuese e tyre nuk janë aspak kriminelë, por njerëz të cilët janë përpjekur të vetëmbrohen me mënyra të paligjshme kundër një shteti pa drejtësi).

Madje edhe shtypi (po përdor fjalën “shtyp”, për të përcaktuar gjithë masmediet) natyrisht gëzon liri maksimale. Por, si e përdor atë?

Tashmë e dimë këtë gjë: duke u kujdesur që të mos kapërcejnë kufijtë ligjorë, por pa pasur asnjë përgjegjësi të vërtetë morale nëse shtrembërohen faktet dhe deformohen përmasat. Gazetari dhe gazeta e tij, a tregohen vërtet të përgjegjshëm para lexuesit apo para historisë? Nëse, duke dhënë informacione të rreme ose konkluzione të gabuara, ndodh që të mashtrojnë opinionin publik ose të shkaktojnë drejtpërdrejtë një veprim të gabuar në instancat më të larta të shtetit, a keni dëgjuar ndonjëherë ta deklarojnë publikisht fajin e tyre? Jo, sigurisht, sepse kjo do të dëmtonte shitjet e produktit. Në raste të tilla, shtetit mund t’i ndodhë më e keqja, por gazetari gjithmonë del pa u lagur. Madje, të jeni të bindur se do të fillonte të shkruante me një pompozitet të përtërirë për të kundërtën e asaj që pohonte më parë.

Nevoja për të dhënë një informacion të bujshëm dhe të besueshëm, e çon vetvetiu drejt mbushjes së boshllëqeve me hamendësime, me thashetheme dhe me supozime, të cilat, më pas, nuk do të përgënjeshtrohen kurrë, madje do të çimentohen në memorien e lexuesit. Sa gjykime të nxituara, të pamenduara, sipërfaqësore dhe krejt të rreme janë shkaktuar vazhdimisht, duke çoroditur lexuesin, për t’i skalitur përgjithnjë në memorien e tij? Shtypi ka fuqinë të luaj rolin e opinionit publik, por edhe ta mashtrojë atë. Si rrjedhojë, shohim terroristë mbuluar me lavdet e një heroi, zbulimin e sekreteve shtetërore që cenojnë sigurinë e vendit, dhunimin në mënyrë të paturpshme të jetës private të njerëzve të famshëm me parullën: “Të gjithë kanë të drejtë të dinë gjithçka” (slogan mashtrues, pjellë e një epoke shtirake; sepse përtej kësaj të drejte ndodhet një tjetër, duke u venitur gjithnjë e më shumë: e drejta e njeriut për të mos ditur, për të mos e rënduar shpirtin e tij hyjnor me thashetheme, me marrëzi, me kotësi boshe. Ai që punon vërtet, kush ka një jetesë të shëndetshme, nuk ka aspak nevojë për këtë lumë mbushur me informacione trullosëse).

Pikërisht në shtyp, më shumë se kudo tjetër, manifestohet kjo cektësi dhe nxitim që përbëjnë sëmundjen mendore të shekullit të njëzetë. Po të depërtojmë edhe më në thellësi problemi është shumë kundërtregues, më saktë nuk është natyra e tij e mirëfilltë, por kufizohet për të mbërthyer vetëtimthi ca elementë mbresëlënës.

Dhe, me gjithë këto, shtypi është shndërruar në forcën më të rëndësishme të shteteve perëndimore, duke tejkaluar pushtetin ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor. Por le të pyesim veten për një moment: në bazë të cilit ligj është zgjedhur dhe kush është përgjegjës për punën e tij? Nëse në Lindjen komuniste, një gazetar caktohet drejtpërdrejt nga eprorët, si çdo zyrtar tjetër i qeverisë, kush janë zgjedhësit, që gazetarët perëndimorë u detyrohen për pozicionin e pushtetshëm që ata mbajnë? Dhe për sa kohë qëndrojnë? E me ç’të drejtë?/Konica.al

Dhe, së fundi, ekziston edhe një tipar tjetër i papritur për dikë që vjen nga Lindja totalitare, ku shtypi është ngushtësisht i konsoliduar: nëse e trajtojmë në tërësi shtypin perëndimor, mësojmë gjithashtu se edhe ai ka orientime të njëtrajtshme, në të njëjtin drejtim (ajo e erës së shekullit), gjykime të ruajtura brenda kufijve të caktuar, pranuar nga të gjithë, ndoshta edhe nga interesa të përbashkëta korporative, për pasojë rezultati i gjithë kësaj situate nuk është assesi konkurrenca, por njëfarë standardizimi. Dhe nëse shtypi gëzon një liri të shfrenuar, nuk mund të themi të njëjtën gjë për lexuesit e saj: në fakt, gazetat u kushtojnë rëndësi vetëm opinioneve që nuk bien ndesh me interesat e vetë gazetave dhe tendencën e përgjithshme të shtypit për të cilën flet.

Në Perëndim, edhe pa nevojën e censurës, kryhet një përzgjedhje e hekurt që ndan idetë e rrymës nga ata që nuk janë, dhe edhe pse këto të fundit nuk ndalohen hapur, nuk kanë as shansin më të vogël për të depërtuar në gjirin e veprave të tjera, periodikëve, apo të relatohen

në ndonjë aktivitet universitar. Pra, studiuesit tuaj konsiderohen ligjërisht të lirë, por në realitet të frenuar nga idhujt e të menduarit sipas tendencës. Pa pasur, si në Lindje, dhunë të hapur, kjo përzgjedhje e bërë sipas tendencës, kjo nevojë për të ratifikuar gjithçka sipas modeleve standarde, nuk i lejon mendimtarët e ndershëm dhe të pavarur të japin kontributin e tyre në jetën publike dhe të ndalojnë manifestimin e frymës së turmës shoqërore, që shndërrohet në një pengesë të pakalueshme për çfarëdolloj zhvillimi që e meriton këtë emër. Prej se kam ardhur në Amerikë, kam marrë letra nga njerëz jashtëzakonisht inteligjentë, për shembull, nga një profesor i një kolegji të humbur në një provincë të largët, i cili mund të bëjë vërtet shumë për të ripërtërirë dhe për të shpëtuar vendin e tij: por vendi nuk mund t’ia dëgjojë kurrë zërin, sepse mediet nuk e mbështesin. Ja në këtë mënyrë rrënjosen paragjykimet tek masa, verbëria godet mbarë kombin, me pasoja që në shekullin tonë dinamik mund të jenë shumë të rrezikshme.

Të marrim si shembull tablonë e gënjeshtërt që kemi për gjendjen aktuale në botë: një gjë e tillë formon rreth dëshmive një koracë kaq të blinduar, saqë asnjë prej zërave që na vijnë nga 17 vendet e Evropës Lindore dhe Azisë Lindore, nuk arrin ta kapërcejë, në pritje që çekiçi i pamëshirshëm i ngjarjeve ta bëjë copë e thërrime./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


S a l a m o v

Poeti lakuriq

Mbahet edicioni i tetë

‘Vjeshta dhe Vargjet’


Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen