MENU
klinika

Pas dy vitesh hiqet kufizimi i lëvizjes përtej 23:00

Hapen baret e natës, nga sot nuk ka orë policore

03.03.2022 - 11:16

Me ardhjen e pranverës, në krye të dy viteve pandemi, Shqipëria i kthehet jetës së natës, pas vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve për të hequr orën policore e për të lejuar lëvizjen e qytetarëve e bizneseve edhe përgjatë orëve të natës.

Një gjë e tillë pritet t’u japë një lehtësim të ndjeshëm bareve e restoranteve, të cilët ankohen se janë në krizë.

Lehtësimi arsyetohet me uljen e ndjeshme të infektimeve si pasojë e vaksinimit, ndërsa janë lënë në fuqi masat e tjera për izolimin 5-ditor për të infektuarit, përdorimin e maskës në ambiente të mbyllura dhe grumbullimet në masën 30%.

“Tashmë është e qartë që përmirësimi i kësaj situate epidemiologjike vjen në radhë të parë nga procesi i vaksinimit. Në mënyrë që kjo situatë të vazhdojë të mbetet e tillë, në mënyrë që t’i ndalojmë qarkullimin virusit, duhet që të rendim të vazhdojmë me shumë intensitet procesin e vaksinimit”, nënvizoi Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli, teksa shton se do të vazhdojë të monitorojë dinamikën e pandemisë duke ia përshtatur ndryshimin e masave, ndryshimit të indikatorëve, siç janë rastet e reja, hospitalizimet e fatalitetet.

Një ditë më parë, të njëjtën masë lehtësuese mori edhe shteti fqinj, Kosova. Ora policore niste në 23:00 deri në 06:00, duke kufizuar lëvizjen e qytetarëve me qëllim uljen e rrezikut të infektimeve.

SITUATA

Duke pranuar përmirësimin e treguesve të pandemisë në vend, Komiteti theksoi se e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund kësaj sëmundje është vaksinimi, duke bërë me dije se ata rekomandojnë vaksinimin e të gjithë fëmijëve mbi 12 vjeç.

Eksperti i ISHP, Alban Ylli, vuri në dukje se pavarësisht rritjes së numrit të vaksinimeve, sërish ka shumë punë për të bërë në këtë drejtim, veçanërisht me të rinjtë.

“Ngelet e nevojshme të bëjmë më shumë lidhur me vaksinimet. Në popullatën target mbi 56 vjeç janë vaksinuar 61%. 57% me të dyja dozat”.

Dy tregues të tjerë, numri i telefonatave në drejtim të Urgjencës Kombëtare dhe shtrimeve spitalore, janë në përmirësim të dukshëm, por ekspertët nuk lanë pa përmendur faktin se çdo ditë humbin jetën njerëz.

Në Spitalin Infektiv ka tashmë 50 pacientë të shtruar, pjesa më e madhe e të cilëve janë të pavaksinuar, ndërsa mesatarisht çdo ditë ka pasur nga 3 humbje jete. Ulja e shtrimeve në spital është edhe një nga faktorët kryesorë që çoi në heqjen e orës policore, duke filluar nga data 3 mars.

Edhe në spitalin pediatrik ka një përmirësim ku gjatë 2 ditëve të fundit nuk ka pasur shtrime të fëmijëve të infektuar me covid, ndërsa edhe ata 7 që janë të hospitalizuar, janë drejt përfundimit të terapisë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN