MENU
klinika

Kërcënon Ministri serb i Mbrojtjes

“Hapi i parë drejt përfshirjes së Serbisë në luftë në Kosovë”

24.03.2022 - 21:45

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, i njohur për deklaratat kërcënuese e fyese ndaj shqiptarëve e Kosovës, ka dal me një të tillë edhe të enjten mbrëma.

Ai e ka quajtur “provokim të përmasave të mëdha” suspendimin e gjyqtares serbe nga Mitrovica që mori pjesë në takim me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, të martën në Beograd, sa që ka thënë se është një hap drejt përfshirjes së vendit të tij në luftë në Kosovë apo konflikt siç e ka quajtur ai.

“Ky është hapi i parë drejt përfshirjes së Serbisë në konfliktet e armatosura në Kosovë, të cilat shqiptarët padyshim po i përgatisin. Nëse Bashkimi Evropian, i cili është sponsor i Marrëveshjes së Brukselit, nuk thirr takim në Bruksel dhe ndalon çdo lloj dhune kundër serbëve në Kosovë, atëherë me të drejtë mund të themi se sulmi i Kurtit nuk erdhi nga koka e tij e helmuar me urrejtje”, ka thënë Vulin, përcjell “B92”.

Për suspendimin e gjyqtares serbe, është deklaruar edhe presidenti Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrja Ana Bërnabiq.

Vuçiqi tha se “Kurti ka vendosur ta sulmojë Serbinë”, ndërkohë Bërnabiq shtoi se Marrëveshja e Brukselit tashmë është e vdekur.

Suspendimin e gjyqtares serbe, Liljana Stevanoviq, e bëri sot Këshilli i Gjyqtarëve të Kosovës, pasi të martën u pa në takimin e Këshillit të Sigurisë Nacionale në Beograd, të thirrur nga Vuçiqi.

Pezullohet kryetarja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë pas takimit me Vuçiqin

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në takimin e mbajtur të enjten, ka marrë vendim që ta suspendojë Liljana Stevanoviq, kryetare e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, deri në një vendim të radhës.

Suspendimi i Stevanoviqit vjen pas pjesëmarrjes së saj në takim me Aleksandër Vuçiqin, president i Serbisë.

Lajmi për suspendimin e Stevanoviqit u bë i ditur përmes një komunikate për media nga KGJK, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ajo ishte pjesë e grupit të serbëve të Kosovës që takoi Vuçiqin në Beograd, në ditën (22 mars) kur u mësua se Serbia nuk do të mund t’i organizojë zgjedhjet e saj edhe në territorin e Kosovës.

“Në fund, Këshilli vazhdoi takimin me dy (2) pika të mbyllura për: shqyrtimin e njoftimit AGJ.nr.93/2022 të Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë si dhe themelimin e panelit hetimor për rastin disiplinor Nr.AD/KGJK/07/2022/GJTHPR-AD/GJTHPR.nr.12/2022, me ç’rast vendosi për suspendim të Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, L.S, deri në vendimin e radhës”, thuhet në njoftim.

Lajmi për inicimin e procedurës disiplinore ndaj gjyqtares e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Uka-Lutfiu.

“Ju njoftojmë se Ligji për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, e autorizon kryetarin e Gjykatës Supreme që të hetojë përgjegjësinë disiplinore të kryetarëve të gjykatave, ndaj edhe për kryetaren e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, është duke u shqyrtuar rasti dhe shume shpejt do te procedohet ne KGJK”, tha thënë ajo./koha

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Jam lodhur me deklarata të tilla hipokrite..."

Foli kundër prekjes së kufijve/ Daçiç i ashpër me Pendarovskin