Ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Gordon Brown tha se duhet të krijohet një gjykatë e re ndërkombëtare për të hetuar Vladimir Putin për veprimet tij në luftën që i ka shpallur Ukrainës, që prej 24 shkurtit.
Ai kërkon që gjykata të jetë e të njëjtit model si gjykata që u ngrit kundër nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Brown thotë se në luftën Rusi-Ukrainë janë bombarduar civilë, gjë që është kundër ligjit ndërkombëtar.
Ai foli gjithashtu për shkeljen e armëpushimeve nga ana e Rusisë, mosrespektimin e korridoreve humanitare dhe shantazhet bërthamore.
I pyetur nëse e konsideron presidentin rus si një kriminel lufte, ai u përgjigj: “Kjo është ajo që tha Presidenti Biden dhe ky është edhe mendimi im për Putin”.
Brown është mes 140 akademikëve, avokatëve dhe politikanëve që nënshkruan një peticion që bën thirrje për një sistem ligjor të modeluar sipas gjyqeve të Nurembergut të kriminelëve nazistë të luftës pas Luftës së Dytë Botërore.