Ish-presidenti i Federatës Ukrainase të futbollit, Grigory Surkis, që në vitin 2018 ishte i dërguari special i UEFA-s për zgjedhjet në FSHF, cilësohet tradhtar në Ukrainë. Biznesmeni dhe politikani rus, bashkë me vëllain e tij Igor, janë pronarët e Dinamos së Kievit.
Klubi i njohur ka qëndruar në heshtje të plotë që kur ka nisur lufta në Ukrainë. Një qëndrim që shumëkush e ka cilësuar si tradhti ndaj Ukrainës dhe ka pasur aludime të vazhdueshme se vëllezërit Surkis kishin lidhje me rusët.
Veprimi i fundit i tyre ka bërë që zërat për tradhti kombëtare të shtohen. Të dy akuzohen se kanë larguar në kundërshtim me ligjet vendase një sasi të jashtëzakonshme parash, që para fillimit të luftës, duke qenë ndoshta në dijeni të sulmeve.
Sipas “Ukrayinska Pravda”, të dy vëllezërit kanë kaluar më 26 shkurt kufirin me Hungarinë me dy makina luksoze Mercedes të blinduara dhe me valixhe të cilat kishin 17,6 milionë dollarë.
Një shumë e jashtëzakonshme parash që është nxjerrë nga Ukraina pa deklaruar asgjë në autoritetet doganore. Ky është një skandal që po bën xhiron e rrjetit dhe që ka kthyer vëllezërit Surkis në armiq e tradhtarë të Ukrainës.