Ish-kandidati për kryetar të PD Fatbardh Kadilli e ka përshëndetur vendimin e Lulzim Bashës për t’u dorëhequr nga drejtimi i partisë. Në studion e “Radarit Informativ” në Abc ai u shpreh skeptik duke thënë se nga leximi që i bën deklaratës së Bashës kupton se ai do të kandidojë sërish për t’u ngjitur.
“Çdo dorëheqje është një hap që duhet përshëndetur pavarësisht se ka shumë paqartësi. Si do përdoret ky instrument çfarë nënkupton me këtë Basha. Teksti më lë shumë pikëpyetje. Kemi një Berishë që do të rikthehet, e një Bashë që ikën për rikthim. Na kanë nxjerrë në opozitë në 2013 dhe vazhdojmë te jemi në opozitë”.
Sipas tij, pa u larguar edhe Berisha nuk ka bashkim të PD.
“Pa u larguar Berisha dhe Basha PD nuk bashkohet. Basha sot tha se do të rikthehet përsëri. Uroj ta kem lexuar gabim deklaratën. Sa të jenë këta të dy nuk ka bashkim. Po pati bashkim me këta të dy është më turp akoma. Është tradhtia më e madhe që mund tu bësh demokratëve.
Njëri dhe tjetri janë pemë pa kokrra. Humbën në të gjithë territoret e djathta dhe e nxorën forcë të tretë PD dhe ne sot diskutojmë hallin e këtyre të dyve. Se në ç’krah do kthehet Basha e Berisha para se të flenë.
E djathta se njeh adhurimin, por të drejtën vlerat. Ka opozitë që është akuzuar për korrupsion dhe të pretendojë pushtet. Dyshoj që ky është skenari.
Do ta shndërrojnë si një parti të vogël. Do bëhet një kompani e madhe dhe 3 parti të vogla të mesme, një e LSI një e Berishës dhe një e Bashës. Do ta shesin dhe blejnë opozitën sa herë të munden”, tha ai.