MENU
klinika

Kategoria Superiore, Java 23

Kastrioti fundos Skënderbeun, Laçi ngec me Egnatian

03.03.2022 - 16:46

Kastrioti ka marrë një fitore të madhe në Kamëz ndaj Skënderbeut, me rezultatin 1-0 dhe tashmë krutanët janë në zonën play-out, duke fundosur korçarët. Një ndeshje plot tension që në fillim pa nisur sfida.

Ndeshja duhet të niste në 13:45, por filloi me disa minuta vonesë. Kjo si pasojë e një momenti tensioni në tunelin e dhomave të zhveshjes mes dy skuadrave. Arbitri kryesor Juxhin Xhaja thërriti Didën dhe Bajramin, duke i ndëshkuar me karton të kuq. Sfida ka rifilluar më pas normalisht me nga 11 lojtarë për secilën skuadër, duke zëvendësuar të ndëshkuarit.

Ndeshja është zhbllokuar në minutën e 26-të. Randi Dumfur ndëshkon skuadrën e tij me një autogol, teksa ishte krejtësisht i pafat, pasi një top i goditur në portë, përfundoi në shtyllë dhe më pas ai pa dashje e shtyn në rrjetë. Kaq mjaftoi në pjesën e parë.

Edhe në pjesën e dytë krutanët luajnë më mirë. Në fillim të këtij fraksioni për pak sa nuk shënojnë golin e dytë. Më pas korçarët pretendojnë për penallti. Gjithsesi, vendasit janë më të rrezikshëm. Arrijnë të mbrojnë avantazhin deri në fund.

Ndërsa Laçi nuk ka shkuar më shumë se një barazim pa gola në fushën e tij ndaj Egnatias. Një hap fals i kurbinasve në luftën për titull, teksa tashmë diferenca me Tiranën kryesuese është 8 pikë.

Të besuarit e Mirel Josës dominuan takimin, por nuk ishte e thënë që topi të hynte në rrjetë. Tre shtylla të vendasve, por jo gola. Egnatia merr një pikë me shumë vlerë në luftën për mbijetesë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN