Shprehja “goditje e naftës” apo “krizat e rënda të naftës” përdoret për të karakterizuar rritjen e ndjeshme dhe të shpejtë të çmimit të naftës, duke sjellë pasoja negative në ekonominë botërore. Historianët dhe ekonomistët, evidentojnë tre krizat e naftës të viteve 1973, 1979 dhe 2008 të cilat patën një efekt tejet negativ në rritjen e përgjithshme ekonomike,duke i bashkengjitur atyre dhe krizën e katërt, atë të vitit 2022, që tashmë është në zhvillim të plotë me pasoja mjaft të rënda për ekonominë botërore. “Parashikohet se cmimi mund të shkojë deri në 150 apo dhe 300 dollarë për fuçi… por dhe mund të stabilizohet relativisht më shpejt se krizat e tjera. Askush nuk e di, askush nuk ka një shkop magjik për zgjidhje, por ajo që është e sigurt është se jemi pothuajse në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave për çmimin e naftës”.
Nga vitet 1950, me kalimin nga qymyri në hidrokarbure, kërkesa për naftë u bë gjithnjë e më e fortë në botë. Për dhjetë vite, çmimi për fuçi ishte i qëndrueshëm dhe lëvizte rreth 3 dollarë. Por, midis 1970 dhe 1973, ari i zi kushtonte dy herë më shumë.
Gjatë të ashtuquajturave “vite të lavdishme” – 1945-1975, periudhë e një rritje ekonomike të fortë dhe rritje të jashtëzakonshme të udhëhequra nga investimet dhe konsumi, të rritjes së nivelit të jetesës në shumë vende të zhvilluara e të industrializuara, të konsideruara si “revolucioni i heshtur” që shënoi kalimin e Europës, Kanadasë, japonisë, etj., drejt shoqërisë së konsumit, vendet e industrializuara u bënë shumë të varura nga “ari i zi”.
Në mënyrë që nafta të ishte sa më e disponueshme në treg, kompanitë kryesore të naftës vendosin të ulin çmimet dhe të shtojnë prodhimin e saj. Rezultati: në shtator 1960, Venezuela, Arabia Saudite, Iraku, Irani dhe Kuvajti u mobilizuan për të stabilizuar çmimin e naftës duke krijuar Organizatën e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC).
1973: kriza e parë e naftës në histori
Ndërsa Lufta e Yom Kipur midis Izraelit dhe vendeve të Gjirit persik në fund të vitit 1973 morri përmasa të gjera, Shtetet e Bashkuara vendosën të ndërhynin në këtë konflikt duke ofruar mbështetje ushtarake për Izraelin. Si reagim ndaj këtij vendimi të SHBA, vendet e Gjirit persik të bashkuara në ombrellën e OPEC vendosën të reduktojnë prodhimin e tyre të naftës me 25%. Arabia Saudite shkoi dhe më larg duke vendosur embargo ndaj eksporteve të saj drejt Shteteve të Bashkuara.
Çmimi i një fuçie shpërtheu menjëherë duke shkuar nga 4 në 13 dollarë në vetëm pak javë. Rritja ekonomike pësoi goditje të forta, papunësia në vendet e industrializuara filloi të rritet, sukseset e “veteve të lavdishme” filluan të duken si një “kohë e largët”.
Goditja e parë e naftës është një krizë globale e çmimeve të naftës që fillon në vitin 1973 pas pikut të prodhimit të naftës në Shtetet e Bashkuara dhe braktisjes së marrëveshjeve Bretton-Ëoods që pati efektin e një goditje të fortë të zhvlerësimit të dollarit dhe rrjedhimisht çmimeve të naftës, të cilat shpreheshin në dollarë amerikanë.
Megjithatë, kriza ekonomike e shkaktuar, u shoqerua dhe me një tronditje tjetër të fortë edhe për shkak të deklaratës së embargos së OPEC-ut, duke përshpejtuar më tej rritjen e çmimit të një fuçie naftë. Nga tetori 1973 (data tradicionale e lidhur me fillimin e krizës) deri në mars 1974, çmimi i një fuçie u katërfishua. Efektet e “goditjes së parë të naftës” do të ndihen deri në vitin 1978.
Për ekspertët e analizave të ecurisë së tregut të naftës dhe të industrisë, arsyeja e goditjes së parë të naftës është fakti se SHBA, prodhuesi më i madh i naftës në atë kohë, e kaluan pikun e prodhimit në vitin 1971. Ambasadori amerikan James Akins, i mandatuar nga qeveria amerikane për të vlerësuar gjendjen reale të rezervave amerikane të naftës, deklaroi në vitin 1972, se SHBA “nuk kishin më kapacitet për të rritur më tej prodhimin e tyre”.
Në një fjalim të posaçëm drejtuar Kongresit për politikën energjetike, mbajtur më 18 prill 1973 (6 muaj përpara se Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) të vendoste për një embargo të naftës), Presidenti Nixon deklaron se: “Kërkesa jonë për energji është rritur aq shpejt sa që tani tejkalon furnizimin tonë të disponueshëm dhe me rritmin aktual të rritjes do të jetë pothuajse dyfishuar në krahasim me vitin 1970-të. Brenda disa viteve të ardhshme, ne duhet të pranojmë mundësinë e mungesave sporadike të energjisë dhe disa rritje të çmimit të energjisë. Prodhimi vendas i disponueshëm i naftës nuk është më në gjendje të përballojë kërkesën ».
Sipas Ministrit të naftës të Arabisë Saudite të asaj periudhe, “ ishin vetë SHBA, ata që kërkonin rritje të mprehtë të çmimit të naftës. Kjo rritje e çmimit duhet ta bëjë fitimprurëse shfrytëzimin e fushave jokonvencionale të naftës që ndodhen në tokën amerikane”.
Për shumë ekonomistë, goditja e parë e naftës në 1973, ishte pasojë e drejtpërdrejtë e reagimit të OPEC-ut ndaj rënies së fortë të dollarit pas përfundimit të marrëveshjeve të Bretton Woods. Më 15 gusht 1971, Shtetet e Bashkuara pezulluan konvertueshmërinë e dollarit në ar. Sistemi i kursit fiks të këmbimit u shemb përfundimisht në mars 1973 me miratimin e regjimit të kursit të këmbimit të ndryshueshëm.
Rezultati ishte një nënçmim i vlerës së dollarit amerikan, monedhës në të cilën vendosen çmimet e naftës, që u pasua në të ardhura më të ulëta për prodhuesit e naftës për të njëjtin çmim nominal. Karteli i OPEC publikon një deklaratë të përbashkët për shtyp ku tregon se tani e tutje, çmimi i një fuçi nafte do të jetë fiks në raport me arin.
Nga viti 1947 deri në vitin 1967, çmimi i naftës në dollarë amerikanë u rrit me më pak se 2% në vit. Deri në goditjen e naftës, çmimi mbeti relativisht i qëndrueshëm kundrejt monedhave dhe mallrave të tjera, të cilat papritmas u bënë shumë më të luhatshme më pas. Ministrat e OPEC-ut nuk kishin zhvilluar mekanizma institucionalë për të përditësuar shpejt këto çmime për të mbajtur ritmin me zhvillimet e tregut, kështu që të ardhurat e tyre reale mbetën me vite prapa mallrave të tjera. Rritjet e konsiderueshme të çmimeve të viteve 1973-1974 plotësuan kryesisht këto diferenca.
Mungesa e naftës në treg krijoi menjëherë panik : cmimet vazhduan rritjen e tyre marramendëse duke u katërfishuar brenda pak muajve; Rritja ekonomike globale u ngadalësua ndërsa inflacioni filloi të rritej me shpëjtësi; Deficitet tregëtare, deficitet buxhetore dhe borxhi publik i mjaft vendeve u rritën ndjeshëm; Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA), e krijuar me këtë rast, nuk ishte në gjendje të vendoste “rregull dhe disiplinë në tregun e naftës”; Disa vende arabe kërkuan me urgjencë një reduktim të prodhimit për të mbajtur çmimet e larta; Shtetet e Bashkuara u përpoqën të organizonin një kartel ndërkombëtar të konsumit kundër OPEC-ut; Fatura e naftës në Shtetet e Bashkuara u rrit nga 4 miliardë dollarë në 1973 (23 miliardë sot) në 24 miliardë në 1974 (124 miliardë sot).
1979 : kriza e dytë e naftës – Rënia e Shah-ut të Iranit dhe vendosja e Republikës Islamike
Goditja e dytë e naftës është një krizë globale e çmimeve të naftës që filloi kryesisht në Iran. Nën efektet e kombinuara të revolucionit iranian, luftës Iran-Irak dhe ringjalljes së kërkesës botërore pas goditjes së parë të naftës, çmimi i naftës u shumëfishua me 2.7 herë midis mesit të 1978 dhe 1981. Kriza e dytë e naftës ishte padyshim edhe më e rëndë se i mëparshmi në atë që nuk kurseu as vendet e sapo industrializuara të Azisë dhe as ato të Botës së Tretë.
Mund të imagjinohet tmerri që pushtoi ekranet e televizorëve dhe gazetat, në mëngjesin e të enjtes, 28 qershor 1979, pas një takimi maratonë në Gjenevë, trembëdhjetë vendet anëtare të Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës ( OPEC) njoftoi një rritje prej më shumë se 20% të çmimit të naftës. Fuçia e arit të zi saudit, pikë referimi i naftës, do të rritej nga 14.50 dollarë në 18 dollarë. Goditja e dytë e naftës kërcënonte të destabilizonte ekonomitë, të rindizte inflacionin dhe të ngrinte në qiell papunësinë.
Më 8 shtator 1978, në Teheran u zhvilluan trazira të shtypura me dhunë, të njohura si “E Premtja e Zezë”. Ishte fillimi i revolucionit iranian, i cili përfundoi me arratisjen e Shahut më 16 janar 1979. Vendet konsumatore të naftës ishin përballur me shumë vështirësi me goditjen e parë të naftës, atë të viteve 1973-1974 (pas nacionalizimit të industrisë së naftës në Libi pas grushtit të shtetit të Gaddafit në 1969, dhe luftës së Yom Kipur midis Izraelit dhe fqinjëve të tij arabë në tetor 1973).
Brenda OPEC-ut, Irani po ndryshonte anë. Deri më tani, Teherani kishte qenë një nga “të moderuarit” krahas Arabisë Saudite. Që tani e tutje, do të ishte në anën e vendeve të njohura si “të vështira” – të mishëruara nga Algjeria dhe Libia – ato që kërkojnë çmimet më të larta të mundshme pavarësisht nga situata ndërkombëtare.
Për shkak të këtyre trazirave politike në një nga vendet kryesore prodhuese të naftës, prodhimi botëror shënoi rënie të madhe duke shkaktuar një rritje të çmimit të naftës. Çmimi i “naftës arabe” që ishte më pak se 13 dollarë/fuçi, në shtator 1978 arriti në 35 dollarë/fuçi, dhe arriti kulmin në më shumë se 40 dollarë/fuçi në vjeshtën e të njëjtit vit. Në Roterdam, çmimet e produkteve të gatshme rriten, duke u rritur midis fundit të tetorit 1978 dhe fundit të qershorit 1979 nga: 200 usd në 400 usd ton metrikë për karburantin premium; nga 130 usd në 380 usd për naftën diezel; dhe nga 70 usd në 140 usd për naftën e zakonshme.
Më 22 shtator 1980 filloi Lufta Iran-Irak. Ndalimi i eksporteve iraniane shkakton rritje të mëtejshme të çmimeve. Çmimi zyrtar i ‘naftës arabe”, i cili ra në 26 dollarë për fuçi në fillim të vitit 1980, u rrit në 32 dollarë për fuçi më 1 nëntor të po atij viti. Rritja e prodhimit nga Arabia Saudite nuk mjaftoi për të parandaluar këtë rritje.
Pas takimit të OPEC-ut në Bali të Indonezisë në dhjetor 1980, diferenca midis çmimit zyrtar i naftës së papërpunuar standarte dhe naftës diezel u rrit në 8 dollarë/fuçi, d.m.th pesë deri në gjashtë herë niveli i dhjetorit 1978.
Vendet konsumatore kryesore të naftës lancuan një sërë masash e politikash që synonin “kursimin e energjisë dhe reduktimin e varësisë nga nafta e gjirit persik”. Shumica e vendeve të industrializuara filluan një “kufizimin e konsumit të naftës dhe kërkimin e burimeve të tjera alternative të energjisë”, gjë që çoi në një ngadalësim të konsumit të arit të zi.
Përballë kësaj rënie të kërkesës, çmimet filluan të bien sërish në pranverën e vitit 1981. Në qershor 1981, prodhuesit e Detit të Veriut ulën çmimet e tyre me 3 dollarë/fuçi. Meksika dhe Nigeria nga ana e tyre, në verën e vitit 1981, bënë ulje të konsiderueshme të çmimeve, në mënyrë që të riorganizonin çmimet e tyre në raport me naftën e papërpunuar.
Më në fund, pas takimeve në Gjenevë, në fund të tetorit 1981, dhe në Abu Dhabi, në fillim të dhjetorit të po atij viti, vendet e OPEC-ut kryen “riorganizimin e pritshëm të shkallës normale të çmimeve të naftës”. Cmimi i naftës pësoi rënie dhe tregjet e hidrokarbureve u stabilizuan.
Kjo krizë e dytë nafte bëri që vendet e industrializuara të rrisin ndjeshëm koston e energjisë, duke i detyruar ato të investojnë më shpejt në disa energji alternative. Gjithashtu, u konstatua dhe një rënie e përgjithshme e investimeve. Këto zhvillime prekën veçanërisht Japoninë, për të cilën Irani ishte burimi tradicional i furnizimit me naftë. Gjithashtu, për një numër të konsiderueshëm vendesh në zhvillim, vështirësive të shumta të zhvillimit ekonomik e social të tyre, ju shtua dhe mungesa e burimeve të lira të energjisë.Ato që dolën fitues nga kjokrizë nafte ishin kryesisht vendet prodhuese të naftës të cilat patën fitime të konsiderueshme financiare.
Ndryshe nga goditja e parë e naftës kur nuk u prekën cirkuitet/tregjet e naftës, zhvendosja e rrjeteve tradicionale të logjistikës së naftës këtë herë e bëri të nevojshme rishpërndarjen e plotë të furnizimit me naftë bruto në tregje të ndryshme. Nafta dhe produktet e naftës tashmë do të tregtohen pjesë-pjesë, në varësi të luhatjeve të çmimeve dhe pritshmërive të operatorëve. Kjo shfaqje e tregut spot, e lehtësuar dhe e inkurajuar nga liberalizimi financiar, u konsiderua si një “krijim i ri i një praktike të vjetër”. Bursa e Nju Jorkut (Nymex) e fillimit të viteve 1980 ringjalli tregun që ekzistonte njëqind vjet më parë, pikërisht atë që Rockefeller e kishte mbytur duke krijuar monopolin Standard Oil.
1986 : kundërgoditja e cmimit të naftës
Pas goditjeve të naftës të viteve 1973 dhe 1979 dhe rritjes së çmimit të një fuçie, mbiprodhimi i naftës për shkak të ngadalësimit ekonomik çoi në një rënie të ndjeshme të çmimit të naftës së papërpunuar në gjysmën e parë të viteve 1980. Cmimi i një fuçi nafte arriti minimumin 10 dollarë në vitin 1986. Kjo rënie është rezultat i një marrëveshjeje politike midis SHBA dhe Arabisë Saudite për të rritur prodhimin e naftës për të përmbushur nevojat e vendeve të industrializuara për energji. U morën parasysh edhe konsiderata të tjera gjeopolitike: rënia e çmimit të naftës do të sillte me vete uljen e të ardhurave të Bashkimit Sovjetik, në atë kohë një eksportues kryesor i naftës.
Në vazhdën e kësaj marrëveshjeje, shumica e vendeve të Lindjes së Mesme dhe OPEC rritën prodhimin e tyre. Për të kompensuar rënien e çmimit të një fuçie, ata kërkuan rritjen e kuotave të prodhimit, dhe për rrjedhojë, rritën shifrat e shpallura për rezervat e tyre të naftës.
Kundër-goditja e naftës quhet kështu sepse pason dy goditjet e naftës të viteve 1973 dhe 1979. Këto dy goditje kishin në thelb arsye ekonomike: goditja e parë e naftës në 1973 ishte pasojë e drejtpërdrejtë e reagimit të OPEC-ut ndaj rënies së mprehtë të dollarit pas fundi i marrëveshjeve të Bretton Ëoods. Lufta e Yom Kipurit për goditjen e parë të naftës dhe Revolucioni iranian për goditjen e dytë të naftës.
Disa episode të pjesshme: vitet 1990 dhe 2000
Në vitin 2003, fatura e naftës përfaqësonte afërsisht 2% të PBB-së botërore, 50% më pak se në vitin 2013. Pushtimi i Irakut nga SHBA do të destabilizojë ndjeshëm një nga zonat kryesore të prodhimit të naftës, dhe deri në vitin 2008, çmimet ndoqën një trend rritës, duke thyer stabilitetin relativ që kishte mbizotëruar për gati njëzet vjet. Gjatë këtij intervali, çmimi i naftës së papërpunuar ka përjetuar ndryshime të forta herë pas here, por në periudha mjaft të shkurtra.
2001 – Ekonomia amerikane vuan nga kriza e tregut të aksioneve të internetit nga viti 2000, e ndjekur në vitin 2001 nga një recesion ekonomik. Çmimet filluan të bien nga pranvera dhe pas sulmit terrorist të 11 shtatorit. 1997-1998 – Nga vera e vitit 1997, shumica e vendeve aziatike kaluan nëpër kriza valutore të cilat i vunë ekonomitë e tyre në vështirësi dhe reduktuan kërkesën rajonale për naftë. Në vitin 1998, krizat valutore prekën Rusinë dhe Amerikën Latine. Kjo ishte më e rëndësishmja nga kundërgoditjet e vogla të naftës. Përfitojnë SHBA, të cilat u orintuan me shpejtësi drejt “ekonomisë së re”, dhe Evropa, e cila po përfitonte në të njëjtën kohë nga konvergjenca para euros. 1990-1991 – Pushtimi i Kuvajtit në verën e vitit 1990 sjell një “peshë të rëndë” gjeopolitike në çmimin e naftës.
2008 : kriza e tretë e naftës
Nga vera e vitit 2004, cmimi për një fuçi naftë u ngrit në kuadrin e një mjedisi gjeopolitik të trazuar nga një përkeqësim i konfliktit në Lindjen e Mesme dhe konfliktit në Irak, si dhe trazira sociale në Venezuelë dhe Nigeri, të gjitha vende të rëndësishme prodhuese të naftës. Në tetor 2004, nafta e papërpunuar tejkaloi 50 dollarë duke arritur në 62.4 dollarë në 2016 dollarë. Rritjet e çmimeve u përshpejtuan pasi uragani Katrina goditi instalimet e naftës në Gjirin e Meksikës, duke kaluar kufirin e 70 dollarëve në gusht 2005 (84.3 dollarë në 2016). Ky shpërthim i ri tashmë cilësohet si “goditja e tretë e naftës”.
Por kriza e subprime-ve në SHBA, e cila do të çonte në një krizë ekonomike globale, dhe rënia e konsumit, shkaktuan rënien e çmimeve të naftës së papërpunuar, duke humbur më shumë se dy të tretat e vlerës së tyre në pesë muaj, duke rënë në dhjetor 2008 në 32 dollarë. Për një kohë, lufta civile që tronditi Libinë në vitin 2011 dhe shkaktoi pezullimin e prodhimit të naftës bëri që çmimet të rriteshin me gati 35% në një kulm prej 127 dollarë (134.7 dollarë 2016) më 11 mars 2008.
Që nga vera e vitit 2014, çmimi i një fuçie naftë u ul me 70%, duke rënë në 18 muaj nga 110 në 30 dollarë (108 në 30 dollarë në 2016), në një sfond të “ofertës së tepërt” dhe kërkesë më të dobët. E përballur me këtë fenomen të dyfishtë, Arabia Saudite, në vend që të ulte prodhimin, vendosi të përmbytë tregun, duke përkeqësuar akoma më shumë rënien e çmimeve. E parë në fillim si pozitive për ekonomitë, kjo rënie brutale rezultoi të jetë shqetësuese.
E supozuar se do të rivendoste marzhet e investimeve dhe konsumit, kjo rënie e çmimeve në fakt ndikoi në rrënien e rritjes ekonomike, në uljen e investimet në shumë sektorë, në kontraktimin e konsumin në vendet prodhuese… duke e bërë shumë prezente frikën e deflacionit. Investimet në projektet e reja të naftës u ulën me 20% në 2015 në krahasim me vitin 2014. Kjo “është rënia më e madhe në historinë e naftës”, pohon Fatih Birol, zyrtar në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë, duke sugjeruar se “shfaqja e nevojave të reja mund të shkaktojë një rritje të mprehtë të çmimeve”.
Pas prekjes së pragut psikologjik prej 100 dollarësh (112.5 dollarë në 2016) në janar 2007, cmimi për një fuçi, i nxitur nga rënia e stoqeve amerikane dhe rritja kineze, u ngrit sërish në pranverë, pas dobësimit të dollarit amerikan. Më 11 korrik 2007, ai arriti maksimumin e tij të të gjitha kohërave, duke tejkaluar 147 dollarë. Në atë kohë, disa hodhën idenë e një «peak oil» duke parashtruar mundësinë e një bote pa energji…
2022 – drejt një krize të re të naftës?
Rritja e kurbës së cmimit të naftës gjatë ditëve të para të marsit 2002 është shumë shqetësuese. Vetëm pak ditë pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, çmimet e arit të zi po rriten në përmasa marramendëse. Fuçia e naftës nga Deti i Veriut (Brent) u rrit, të premten më 4 mars, mbi nivelin e 118 dollarëve, një kulm që nuk e kishte arritur që nga vera e vitit 2014. Fuçia e ËTI amerikane arriti në 115 dollarë, niveli më i lartë që nga viti 2008.
Situata në tregjet e arit të zi është kritike. Alexandre Andlauer, analist financiar dhe një nga ekspertët më të mirë të tregut të naftës, vlerëson se “fuçia mund të arrijë shpejt në 200 dollarë”. Tronditja aktuale mund të krahasohet me atë të vitit 1973. Sipas Ministrit të Ekonomisë së Francës, Bruno Le Maire “Goditja aktuale energjetike, e lidhur me krizën gjeopolitike të shkaktuar nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia në fund të shkurtit, është i krahasueshëm me goditjen e naftës të vitit 1973 dhe përgjigja më e mirë për t’u marrë me të është të punosh për pavarësinë energjetike ….. veçanërisht përmes më shumë rezervave të gazit për dimrin e ardhshëm, diversifikimit të furnizimeve dhe mbrojtjes së familjeve dhe bizneseve me të ardhura të ulëta të prekura ne nuk duhet të përsërisim gabimet e vitit 1973 në 2022, për të shmangur përjetimin e një episodi stagflacioni”. Stagflacioni është një situatë ekonomike e karakterizuar nga një ngadalësim i rritjes ekonomike të kombinuar me inflacion të lartë.
“Një plan i dytë masiv i ndihmës publike, sipas modelit të atij gjatë krizës Covid-19, “vetëm do të nxiste rritjen e çmimeve … do të ishte si të hedhësh benzinë në zjarr…ne u angazhuar në një politikë fiskale ekspansioniste për të mbështetur masivisht kërkesën … në 1973, kjo përgjigje shkaktoi tronditjen inflacioniste që i bëri bankat qendrore të rrisin masivisht normat e interesit, gjë që vrau rritjen ekonomike…ka një emër: stagflacion. Kjo është pikërisht ajo që ne nuk duam të përjetojmë përsëri në 2022” deklaroi Bruno Le Maire.
Evropa aktualisht është shumë e varur nga energjia ruse dhe po përpiqet të gjejë një zgjidhje për muajt e ardhshëm, pasi çmimet rriten dhe lufta ka c’orientuar plotësisht rregullat e tregtisë me Moskën, në kontekstin e sanksioneve ekonomike masive. Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar njoftuan të martën ndalimin e importeve të hidrokarbureve ruse, ndërsa Kontinenti i Vjetër është më ngurrues për të goditur një sektor që siguron 40% të nevojave të tij në gaz natyror dhe 30% në naftë.
Ashtu si me krizën e vitit 1973, rritja aktuale e çmimeve të naftës i paraprin luftës në Ukrainë dhe lidhet me rimëkëmbjen e fortë post Covid, me ofertën që nuk arrin të përmbushë kërkesën në rritje. Por konflikti ka bërë veçanërisht nervozë tregjet ditët e fundit, duke përshpejtuar më tej rritjen e çmimeve të naftës, tashmë afër niveleve të tyre historike.
Pushtimi rus i Ukrainës çoi në një shpërthim të çmimeve të naftës dhe gazit në planet. Çmimi për fuçi arriti në 139 dollarë për brent, indeksi standard i naftës në Evropë, duke iu afruar çmimit rekord prej 147 dollarësh të arritur në qershor 2008. “Parashikohet se mund të shkojë deri në 150 apo dhe 300 dollarë për fuçi..por dhe mund të stabilizohet relativisht më shpejt se krizat e tjera. Askush nuk e di, askush nuk ka një shkop magjik për zgjidhje, por ajo që është e sigurt është se jemi pothuajse në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave për çmimin e naftës”