MENU
klinika

Sytë e dëshpëruar të fëmijëve...

Kurkov: Lufta? Derisa Putini të jetë gjallë!..

30.03.2022 - 15:53

         Shkrimtari ukrainas rusishtfolës Andrei Kurkov, ka ndryshuar tashmë në katër shtëpi, që nga nisja e luftimeve. “Nuk do të ikim, është vendi ynë. Vetëm dashuria shëron, por që të duash duhet të mbetesh gjallë”./Konica.al

E njëjta fjalë, nëse thuhet në kontekste të ndryshme, mund të stimulojë imazhe që janë shumë të largëta nga njëra-tjetra. Për shembull, nëse shqiptojmë Lvivi – sugjeron luftën e vazhdueshme midis Rusisë dhe Ukrainës, por në të njëjtën kohë ishte një fjalë që na bëri të mendojmë për një vend magjik, ku çdo gjë mund të ndodhte, ashtu si në përshkrimin e dhënë nga shkrimtari ukrainas Andrei Kurkov në “Jimi Hendrix në Lviv”. Kurkov lindi në fillim të viteve 1960, në një qytet në zonën e Leningradit. Në vitin 1983, u diplomua në Akademinë Pedagogjike të Gjuhëve të Huaja në Kiev. Andrei është autor ukrainas që shkruan në rusisht, ka punuar si gazetar dhe ka shërbyer në ushtri në Odesa, është marrë me kinema dhe romane për fëmijë, të përkthyer në dhjetëra gjuhë. Aktualisht jeton në Ukrainë, i fshehur, duke u zhvendosur nga një vend në tjetrin për t’i shpëtuar luftës: “Që kur u bëmë refugjatë, – na thotë, – tashmë jetojmë në banesën e katërt. Tani po qëndroj me  familjen në shtëpinë e një gruaje të panjohur, e cila na dha çelësat dhe shkoi të jetojë me vajzën e saj. Jemi në Ukrainën perëndimore, dyzet minuta me makinë nga kufiri hungarez. Mirëpo, nuk kemi ndërmend të shkojmë jashtë vendit. Mijëra refugjatë tashmë janë shpërngulur në Evropë. Tani linjat në pikat kufitare janë më të shkurtra, por shumë ukrainas kanë mbetur këtu në Ukrainën perëndimore dhe po presin mundësinë për t’u kthyer në shtëpi në Kiev, Vinnycja, Odessa dhe qytete të tjera”.

Në librin“Jimi Hendrix në Lviv” flisni për një qytet ku mund të ndodhin mrekulli e gjithçka varet nga forca e dashurisë, nga imagjinata e pakufishme, nga muzika e pavdekshme. Çfarë qyteti është Lvivi sot? Dhe si mund të jetë, pasi të përfundojë kjo luftë?

Lvivi është një qytet magjik, me një qytetërim të vjetër mesjetar. Që nga fillimi i luftës, qyteti me siguri ka ndryshuar. Aktualisht qyteti ka trefishin e popullsisë. Refugjatë nga e gjithë Ukraina kanë ardhur dhe jetojnë në konvikte universitare, hotele, me banorë vendas. Së fundmi, një refugjat shkroi në facebook, se nuk kishte parë kurrë kaq shumë ukrainas të famshëm në një qytet dhe një vend. Të gjithë tërhiqen nga qendra historike. Në kohë normale, mijëra turistë të huaj i vizitojnë, por në këto momente ata janë zëvendësuar nga refugjatë nga të gjitha rajonet e Ukrainës.

Një citim i famshëm i Hendrix, përkthehet: “Kur fuqia e dashurisë të kapërcejë dashurinë për pushtetin, atëherë do ta njohë bota paqen”. Në libër ju shkruani: “Bëni dashuri, jo luftë! Gjëja e rëndësishme në jetë është dashuria”. A do të mjaftojë dashuria, për të përballuar këtë konflikt?

Kur ata për të cilët dashuria dhe – pikërisht – jeta nuk kanë rëndësi, luftojnë kundër dashurisë, është shumë e vështirë ta mbash gjallë dashurinë. Që të duash, para së gjithash duhet të mbetesh i gjallë. Tashmë Putini po përpiqet t’i marrë jo dashurinë Ukrainës, por vetë jetën. Prandaj, në një situatë të tillë, dashuria është e pafuqishme. Mund të mbetet vetëm një kujtim.

Një tjetër fjali e librit tuaj thotë: “Gjatë rrugës mund të ndjeni ligështim të lumturisë”. Kjo është situata sot? Deri kur do të vazhdojë kështu, me një lumturi të çalë?

Për mua është e vështirë të them, se deri kur do të vazhdojë kjo luftë. Për sa kohë që Putini është gjallë, ai do të luftojë. Atij nuk i ka mbetur asgjë në jetë. Për të, nuk kanë rëndësi jetët e ushtarëve rusë, ekonomia ruse e shkatërruar nga sanksionet nuk është e rëndësishme. Ai dëshiron të mbetet në historinë ruse, si njeriu që ringjalli Bashkimin Sovjetik dhe ripushtoi ish-republikat e tij. Po kjo nuk ka për të ndodhur./Konica.al

Ju jeni diplomuar në akademi pedagogjike dhe keni shkruar libra të shumtë për fëmijë. Kjo është edhe lufta e fëmijëve. Sipas një raporti të fundit nga “Save The Children”, 1 në 5 fëmijë është detyruar të largohet nga vendi, 6 milionë janë të bllokuar, në rrezik të madh për shkak të rritjes së sulmeve ndaj strukturave civile. Më shumë se 460 shkolla dhe 43 spitale u prekën. Imazhet satelitore tregojnë “fëmijë” të shtruar në një oborr të bombarduar nga Rusia. 109 karroca bosh u ekspozuan në Lviv për të raportuar një masakër ndaj fëmijëve. Si i komentoni të gjitha këto? Cili do të jetë ndikimi i luftës në zhvillimin e fëmijëve?

Teksa shkruaj këto rreshta, zyrtarisht tashmë janë vrarë 135 fëmijë, ndërsa shifrat reale janë disa herë më të larta. Fillimisht arsimi i fëmijëve u godit nga pandemia e koronavirusit. Këtej e tutje do të vuajë edhe më shumë nga lufta, nga shkollat ​​dhe kopshtet e shkatërruara. Mendoj se pasojat e kësaj lufte do të ndihen pas 50 vitesh. Mirëpo, në të njëjtën kohë, besoj se këto vështirësi do të motivojnë shumë fëmijë të arsimohen.

Ukrainian novelist Andrey Kurkov, poses on Khreschatyk Str. on March,17 2014 in Kiev, Ukraine. Kurkov is the author of thirteen novels and five books for children. His books are translated into twenty-five languages, including English, Japanese, French, Chinese, Swedish and Hebrew. AFP PHOTO / VOLODYMYR SHUVAYEV (Photo by VOLODYMYR SHUVAYEV / AFP) (Photo by VOLODYMYR SHUVAYEV/AFP via Getty Images)

Në libër shkruani: “Lavdia e Ukrainës është ende e gjallë – liria e saj”. Në sytë e botës, guximi ukrainas në këto ditë konflikti është mahnitës. A është ende e gjallë liria, qoftë edhe përmes letërsisë? Mendoni se nga ky konflikt do të lindë një rrymë e letërsisë militante?

Që nga viti 2014, Ukraina ka dy letërsi: atë tradicionale, të shkruar nga shkrimtarët dhe atë ushtarake, të shkruar nga veteranët e luftës në Donbas. Më shumë se 300 libra janë shkruar dhe botuar tashmë për atë luftë. E gjithë letërsia ukrainase, madje edhe romanet e dashurisë dhe kundër luftës, është bërë më militante, më e politizuar. Nuk mendoj se do të ketë kthim në letërsinë tradicionale romantike dhe apolitike.

Cilat janë shpresat tuaja për të ardhmen? Çfarë mund të bëjë Evropa, tani?

Për një kohë të gjatë, Evropa e ka injoruar politikën e Putinit ndaj fqinjëve të Rusisë. Tani, më në fund, Evropa është zgjuar dhe ka shprehur solidaritetin me popullin ukrainas. Shpresoj që ky solidaritet të mos zhduket kur të përfundojë lufta. Shpresoj që Evropa të mos e lërë Ukrainën vetëm me problemet që i ka krijuar Rusia. Ëndrra ime është që Ukraina të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian dhe të mposht përfundimisht korrupsionin dhe problemet e tjera, që e bënë Bashkimin Evropian kaq të kujdesshëm në lidhje me perspektivat europiane të Ukrainës së paraluftës./Konica.al

 

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kur Stalini telefonoi Pastërnakun...

”Le Monde” analizon veprën e Ismail Kadaresë